Kërko

 Beato Benardin Palaj ofm, martire della Chiesa Albanese Beato Benardin Palaj ofm, martire della Chiesa Albanese

Takim me martirët: i Lumi at Bernardin Palaj ofm, martir (I )

Jetёn e At Bernardinit e karakterizojnë tri aspekte: kontakti i drejtpërdrejtë me popullin, vetmia dhe puna. Puna qe thelbi i tij si njeri, si i krishterë, si frat, si meshtar, punoi “me besnikëri e devotshmëri”, duke e ruajtur “shpirtin e uratës së shenjtë dhe të devotshmërisë”. Puna qe jeta e tij dhe prova e jetës së tij të varfër. Vetëm arrestimi, burgu dhe vdekja mund ta ndalnin dallgën e dinamizmit të tij fizik e intelektual.

R.SH. – Vatikan

Vazhdojmë me ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”. Sot nё pjesën e dytё 24-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit at Bernardin Palaj, ofm (pjesa I).

Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona:

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

I Lumi Patër Bernardin Palaj, frat françeskan i Urdhrit të Fretërve Minorë, lindi në Shkodër më 2 tetor 1894. Ishte më i madhi ndër pesë fëmijët e bashkëshortëve Gjon Palaj e Marte Dedja me prejardhje nga malësia e Shllakut. Familja e tij qe shkolla e parë e formimit në jetën e krishterë. Kur ishte fëmijë 10 vjeç, në vitin 1904, hyri në shkollën e fretërve minorë në Gjuhadol në Shkodër dhe ky ambient, ambienti i qytetit të Shkodrës, e sidomos kontakti i tij me figurën e Atë Gjergj Fishtës, që ishte drejtori i asaj shkolle, do të lënë gjurmë në formimin e tij njerëzor e kulturor.

Kur përfundoi gjimnazin, u ndie i mbështjellë prej hirit të Hyjit që e thërriste t’i kushtohej tërësisht Atij në mënyrën e Atit Serafik Shën Françeskut. Dhe nuk u tërhoq prapa. Në moshën 17-vjeçare u pranua në noviciat në kuvendin françeskan të Rubikut. Pas bërjes së kushteve të para, eprorët, duke pasur parasysh inteligjencën e tij të mprehtë, e dërguan në Austri, ku përfundoi studimet e liceut në Salzburg dhe vazhdoi studimet filozofike e teologjike në Innsbruck e, në të njëjtën kohë, ndoqi edhe kurset universitare në Fakultetin Shtetëror të Letërsisë. Pas bërjes së kushteve të përjetshme, u shugurua meshtar më 2 gusht 1918. Fillimisht do të angazhohet në Shkodër në mësimdhënie të gjuhës shqipe dhe latine.

Pikërisht në këtë periudhë do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Atë Gjergj Fishtën, i cili e nxiti të bënte studime në fushën e traditave dhe të folklorit të Shqipërisë së Veriut, gjë që Atë Bernardini në vitet pasuese do ta bëjë me shumë pasion, duke pasur gjithsesi një kujdes edhe për Jugun e Shqipërisë, gjë e cila dëshmohet nga hulumtimet që ai bën me ndihmën e Atë Josif Papamihalit në zonën e Këlcyrës.

Patër Bernardini kaloi një pjesë të mirë të shërbimit të tij meshtarak në malet e vështira të Dukagjinit: Toplanë, Plan, Shalë; në Palç të Merturit; si dhe në zonat e Mirditës: Bushkash, Rubik. Ishin vende të largëta e të vështira, por Patër Bernardini nuk ligështohet, përkundrazi u përkushtohet me zell e me thjeshtësi këtyre malësorëve të thjeshtë, bujarë, të varfër, por edhe krenarë. Kjo pasi Atë Bernardini ndjek një rrugë të vetën, që përqafon tri aspekte shumë të rëndësishme e të rralla për t’u hasur në harmoninë e jetës së një personi të vetëm. Para së gjithash, me të mirat por edhe me të metat tipike të çdo njeriu, ai qe: i krishterë, frat dhe meshtar i vërtetë; njëri prej shtatë shkrimtarëve më të mëdhenj të katolicizmit shqiptar.

Një atdhetar i pasionuar, që në mënyrë efikase diti t’i jepte një identitet kombëtar popullit të vet që për shekuj me radhë kishte jetuar nën Perandorinë Osmane. Ishte njeri i prerë, energjik dhe shumë i pashëm. Kishte shikim të thellë e sy të mprehtë, gjithmonë në lëvizje. Kur shikonte dikë, dukej sikur sytë e tij si shigjetë depërtonin në zemrën e tjetrit. Shquhej për një zë të bukur tenori, por edhe ishte një flautist e pianist i mirë. Personalitetit të tij të fortë i kundërvihej shpirti i varfërisë françeskane: i varfër me malësorët e varfër. Duke pasur parasysh se vuante nga zemra, bashkë edhe me vështirësitë ekonomike, nuk qe i lehtë qëndrimi në ato male të Dukagjinit e jo vetëm. Por përshpirtëria e fortë dhe lutja e bënin që t’u jepte një domethënie shpirtërore të gjitha gjërave, përfshirë edhe vetmisë.

Feja e thjeshtë, e fortë, si dhe e ushqyer prej kulturës, e shoqëroi gjatë gjithë rrugëtimit sfilitës të jetës së vet, ku problemeve shëndetësore iu shtuan edhe burgosjet e padrejta nga regjimi i korruptuar dhe korruptues i Ahmet Zogut, i vetëshpallur mbret, e më pas edhe nga rregjimi komunist ateist. Edhe pse me shëndet të dobët, ishte me karakter të fortë, dinamik dhe energjik, e nuk binte kurrë në kompromis me të keqen, me shthurjen dhe me korrupsionin. Atë Bernardini diti ta ruante dhe ta ushqente, si frat dhe si meshtar, përshpirtërinë e thjeshtë të trashëguar në familje e të konsoliduar mes atyre maleve ku jetoi e punoi, në përputhje të plotë me thirrjen e tij françeskane. Zoja e Bekuar ia drejtoi gjithmonë zemrën kah dashuria e Hyjit dhe kah dashuria për njerëzimin. Kur në pranverën e vitit 1941 u ndodh në Romë, nuk e humbi rastin për të shkuar te Zoja në Gjenacan e aty, në mënyrën e vet, i shkroi Asaj një lutje-poezi.

Atë Ambroz Martini në dëshminë e tij për Patër Bernardinin ka thënë: “Ishte një engjëll me trup njerëzor… Kjo ishte përshtypja që e mora nga besimtarët që ai u shërbeu… E shikonte Hyjin edhe në natyrë dhe dukej si të dinte të fliste me çdo krijesë”. Atë Daniel Gjeçaj ka shkruar: “Vetëm çka asht botue prej Atë Palajt dishmon se ai, ashtu si Atë Gjergj Fishta, e meritonte kunorën e larit sa ishte gjallë. Por frati i malit ishte tepër i përvujtë, aq sa gati-gati me i ardhë marre para Atë Gjergjit për vargjet e veta. Ndërsa Poeti Kombëtar [Atë Gjergj Fishta] e shikjonte me dashtëni, shpresë e besim se nuk do të shkonte me këndue me harpë e lirë ndër Vallet e Parrizit, pa lënë ma parë një dishepull të dejë me lahutë në dorë në «Mrizin e Zanave»”.

Ekzistencën e Atë Bernardinit e karakterizojnë tri aspekte të përmasës së jetës françeskane: kontakti i drejtpërdrejtë me popullin, vetmia dhe puna. Nëse në shpirtin e françeskanizmit të pastër të varfrit janë mësues, Atë Bernardin Palaj nuk e pati të vështirë të ndiqte shkollën e popullit dhe pikërisht atë të malësorëve. Ai, megjithëse i njihte mirë klasikët perëndimorë, kaq ishte bâ nji me kangatarët e malit, sa që mund të themi se në çdo krijim të tijin ndihen të jehojnë këngët që kishte dëgjuar nga goja e popullit.

Gjithashtu vetmia, që pjesërisht ishte e natyrshme për të dhe pjesërisht një zgjedhje e detyruar aty mes malesh, e zhyste Patër Bernardinin në një formë misticizmi lutës, që e stërviste në marrëdhënien e tij me Hyjin, me njerëzit dhe me artin. Siç e përshkruan më së miri studiuesja italiane Angela Cirrincione, në “gjithë veprën e Palajt shihen me lehtësi herë fshehtas, herë haptas çaste të një hovi mistik kah Hyji”. Siç edhe u përmend, puna qe thelbi i tij si njeri, si i krishterë, si frat, si meshtar, pikërisht ashtu siç i porosit Shën Françesku ndjekësit e tij, që të punojnë “me besnikëri e devotshmëri”, duke e ruajtur “shpirtin e uratës së shenjtë dhe të devotshmërisë”. Puna qe jeta e tij dhe prova e jetës së tij të varfër. Vetëm arrestimi, burgu dhe vdekja mund ta ndalnin dallgën e dinamizmit të tij fizik e intelektual. Shpirti i uratës së shenjtë dhe i devotshmërisë shkoi përtej dhe e mbajti deri në frymën e fundit.

Për këtë devotshmëri, por edhe për ‘gjakun e tij të derdhur në nder të Hyjit’ do të flasim në emisionin e ardhshëm.

24 tetor 2021, 09:46