Kërko

Për një Kishë sinodale Për një Kishë sinodale

Sinodi, filloi faza dioqezane: laikët e familjet, protagonistë

Me një kremtim eukaristik, të dielën më 17 tetor, ipeshkvijtë e gjithë botës filluan udhën e dëgjimit e të shoshitjes në Kishat lokale, udhë që përgatit Asamblenë e Sinodit të Ipeshkvijve në vitin 2023.

R.SH. - Vatikan

Procesi sinodal fillon e merr jetë. Pas përurimit solemn të 10 tetorit, me meshën e kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, këtë të diel, filloi edhe etapa sinodale e dëgjimit dhe e shoshitjes në Kishat lokale. Çdo ipeshkëv kremtoi meshën në dioqezën e vet e kështu ndodhi edhe në të gjitha dioqezat e trevave shqiptare, me një përkim të bukur për kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, e cila, së bashku me hapjen e Sinodit, kremtoi edhe Natën e Zojës së Shkodrës, duke ia besuar asaj rrugëtimin e sinodalitetit. Në këtë udhë, që do të vijojë deri në vitin 2023, për të përfunduar në Vatikan, me Asamblenë e Sinodit të Ipeshkvijve, ndër protagonistët kryesorë janë edhe laikët e familjet.

Familjet, bashkësi që e mbajnë Kishën

 “Nëse flasim për dëgjim, familjet janë të parat që dëgjohen e, nëse flasim për takim, familjet janë të parat që takohen, sepse pikërisht në familje përballohen e shpesh, edhe zgjidhen të gjitha vështirësitë”, deklaron në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News, presidenti i Federatës së Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë (Fafce), Vincenzo Bassi. “Bariu - shton Bassi - duhet ta dëgjojë grigjën e vet, e cila përbëhet sidomos nga bashkësi familjare”. Ta ndjekim, ndërsa thekson risinë e kësaj udhe sinodale…

Risia është pjesëmarrja e shoqatave të familjeve. Në këtë udhë konfrontimi, ato duhet të ndihmojnë, duke krijuar hapësira të përshtatshme në të cilat barinjtë e Kishës mund të dëgjojnë me lehtësi.

Shoqatat familjare, pra, janë mjet për të ecur më mirë në rrugën sinodale, apo jo?

Familjet nuk e kanë ndalur kurrë ecjen. Por, nganjëherë, kanë ecur në vetmi. Shoqatat familjare shërbejnë për t’i bërë njerëzit të kuptojnë se edhe problemet më të vështira mund të zgjidhen në familje. Sidomos në këtë periudhë pandemie, u bë e qartë se sëmundja e parë për t’u kuruar është vetmia. Personalisht, jam plot shpresë, duke e ditur se kjo do të jetë një nga temat, që do të diskutohet gjerësisht në Sinod.

Cilat janë propozimet që Federata e Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë do të sjellë si kontribut në Sinod?

Para së gjithash, për ne është përvojë e re. Me përvujtëri, do të përpiqemi të kuptojmë mirë cili do të jetë roli ynë, duke respektuar edhe rolin e të tjerëve. Pastaj, mendoj se duhet treguar me fakte si mund t’i frymëzojë të tjerët shembulli i familjeve: familja shpreh vlerat themelore të një bashkësie. Së fundi, është mirë të kujtohet, siç nënvizoi edhe Ati i Shenjtë, se Sinodi duhet të përvijojë një rrugë të thjeshtë, por jo banale. Pikërisht, në thjeshtësi, fillojnë gjërat e mëdha.

18 tetor 2021, 10:48