Kërko

Imzot Ottavio Vitale Imzot Ottavio Vitale

Imzot Ottavio Vitale: udha sinodale në dioqezën e Lezhës

R.SH. - Vatikan

Imzot Ottavio Vitale, ipeshkëv i Lezhës, na dërgon një informacion të hollësishëm mbi udhën e fazës dioqezane të Sinodit të Ipeshkvijve. Fillon më 16 tetor, me një “Takim Parasinodal” gjysmëditor, në të cilin do të mblidhen përreth ipeshkvit famullitarët, rregulltarët/et dhe disa besimtarë laikë (bashkëpunëtorët më të ngushtë), të zgjedhur nga të gjitha famullitë për të reflektuar mbi Sinodin: një kohë lutjeje, dëgjimi dhe shqyrtimi, me qëllim motivimin e operatorëve kryesorë baritorë mbi fenomenin e sinodit. Të nesërmen, mesha shenjte në katedrale.  Më poshtë, programi e detajet...

ECJA SINODALE NË DIOQEZËN E LEZHËS, SHQIPËRI

2021-2022

Ja fazat kryesore me të cilat jemi përgatitur drejt ecjes sinodale dhe të tjerave që mendojmë të ndërmarrim.

I) Para hapjes dioqezane të Sinodit

-          1/ Meshtarëve dhe rregulltarëve iu janë dhënë dokumente të ndryshme të Selisë së shenjtë që kanë të bëjnë me Sinodin 2021-2023.

-          2/ Më 9 qershor 2021 është takuar “Komisioni Dioqezan për sinodin”, me Sekretarinë përkatëse dioqezane.

-          3/ Më 16 tetor 2021 mbahet një “Takim Parasinodal” i rëndësishëm gjatë një gjysmë dite, ku përreth Ipeshkvit mblidhen famullitarët, rregulltarët/et dhe disa besimtarë laikë (bashkëpunëtorët më të ngushtë), të zgjedhur nga të gjitha famullitë për të reflektuar mbi Sinodin: një kohë lutjeje, dëgjimi dhe shqyrtimi e bashkëndarjeje, me qëllim motivimin e operatorëve kryesorë baritorë mbi fenomenin e sinodit. Lidhur me këtë, është propozuar një përmbledhje e deklaratave kryesore të Papa Françeskut rreth sinodit dhe “stilit sinodal” (nga homelia e Meshës së hapjes më datë 10 tetor 2021), por edhe një reflektim mbi qëllimin kryesor të Sinodit në nivelet e tij të ndryshme (vendor, rajonal, kontinental, universal).

II) Pas hapjes së Sinodit të dielën, 17 tetor, me Meshën e shenjtë në Katedrale.

-          4/ Nisur nga të dielat pasuese, 24 e 31 tetor, në çdo famulli të dioqezës, do t’iu shpërndahet të gjithë besimtarëve një “Pyetësor” (shiko bashkëngjitur) që përmbledh në një faqe propozimet kryesore të nxjerra nga Vademekumi i Sekretarisë së Sinodit: artikulimi i zgjedhur është ai i tre fjalëve kyçe: “BASHKIM – PJESËMARRJE – MISION”. Propozoni që çdo besimtar të bëjë një reflektim personal mbi këtë temë: “Si të jemi një kishë më e bashkuar, me më shumë pjesëmarrje, më misionare?

-          Të tregohet kujdes që të mos humbasim në biseda të zgjeruara teologjike, por që të përqendrohemi në dy gjëra:

o   Përvojat tona konkrete: çfarë shkon mirë; çfarë vërehet se çalon dhe ka nevojë për ndihmë;

o   Propozimet konkrete për të ndihmuar që kisha jonë të bëhet më sinodale, me më shumë pjesëmarrje dhe më misionare.

Përpjekja duhet të synojë nga njëra anë që të ndihmojë sa më shumë persona që është e mundur për t’u ndjerë pjesëmarrës në jetën kishtare, dhe nga ana tjetër të propozojë gjëra konkrete e të dobishme për kishën tonë vendore. (E ku i dihet? Ndoshta edhe për kishat e tjera...)

 

-          Gjatë Kohës së Ardhjes (4 e 11 dhjetor) do të kryhet faza famullitare e Sinodit dioqezan: në çdo famulli do të kushtohet një ditë për t’i mbledhur të gjithë besimtarët që dëshirojnë të marrin pjesë në reflektimin sinodal (përveç këshillit famullitar). Aty do të propozohet që të jetohet dhe të thellohet, në nivel famullitar, çfarë është zhvilluar në mënyrë embrionale në takimin parasinodal:

o   Lutje - Dëgjim – Shpjegim i sinodit – Punë në grupe (rreth 12 veta) mbi Pyetësorin – Dëgjim i përvojave të ndryshme (circulis minores) – Raportim në asamble – Agape vëllazërore.

o   “Sekretaria famullitare e sinodit” (2-5 veta) e ngritur nga Famullitari, do të mbledhë të gjitha përgjigjet e Pyetësorit dhe do të përpunojë një Përmbledhje të përgjigjeve, për t’ia dërguar ato Sekretarisë dioqezane.

-          Sekretaria dioqezane e Sinodit do të propozojë kështu një Tekst bazë (“Instrumentum Laboris”) që do të mbledhë kontributet e të gjitha përgjigjeve të pyetësorit nga ana e sekretarive të veçanta famullitare. Ky tekst do t’i dërgohet pastaj “Delegacioneve famullitare”. Këto do të caktohen nga secili famullitar, pasi një shqyrtimi të kujdesshëm dhe në lutje, dhe do të përbëhen nga rreth 12 laikë.

-          Në Kohën e Kreshmës: “Delegacionet e ndryshme famullitare” do ta studiojnë Tekstin bazë dhe do të marrin pjesë pastaj në Asamblemenë Sinodale dioqezane.

-          Pas Pashkës, më 30 prill 2022, do të mbahet një Asamble dioqezane, ku do të marrin pjesë të gjitha Delegacionet famullitare dhe të gjithë të ftuarit nga Ipeshkvi.

Asambleja, në një klimë lutjeje dhe dëgjimi, aq sa i sugjeron Shpirti Shenjt besimtarëve:

-          Do të diskutojë në grupe (circuli minores) tekstin bazë, duke propozuar shtesa të ndryshme.

-          Do të dëgjojë përmbledhjet e propozimeve të ndryshme.

Sekretaria dioqezane e Sinodit, në dritën e asaj që ka dalë në Asamble, do të vazhdojë me një rishikim të fundit të tekstit që do t’i dorëzohet Ipeshkvit. Ky dokument përfundimtar, i pranuar në kohën e duhur nga Ipeshkvi, do t’i dërgohet pastaj Sekretarisë kombëtare të Sinodit si fryt i punës dioqezane.

 

                                                                      ⴕ At. Ottavio Vitale, rcj

 

PYETËSORI I SHKURTUAR

 

I// BASHKIMI - “Kisha është Bashkim”: a thua është e vërtetë? A jemi ne në bashkim?

1) Çfarë na bashkon? A ndjehemi vërtet “shokë udhëtimi”?

2) Çfarë përvojash ke ti të bashkimit kishtar?

3) Çfarë propozon konkretisht për t’u rritur në bashkim në famulli dhe në dioqezë?

 

II// PJESËMARRJA - “Të gjithë besimtarët marrin pjesë aktive në jetën e Kishës.”

1) Si e vlerëson (në mënyrë pozitive dhe kritike) pjesëmarrjen tënde dhe të të tjerëve në jetën e Kishës, në lidhje me:

a) Dëgjimin e Fjalës së Zotit dhe të të tjerëve?

b) Dialogun brenda Kishës dhe me ata që janë “jashtë”?

c) Dashurinë për më të varfrit dhe të mënjanuarit?

d) Kremtimet liturgjike?

2)   Çfarë do të propozoje konkretisht për ta bërë Kishën tonë vendore më “pjesëmarrëse”?

 

III// PËRGJEGJËSIA NË MISIONIN E PËRBASHKËT - “E gjithë Kisha është misionare.” A është e vërtetë? A jemi misionarë?

1) Si merr ti pjesë në misionin e Kishës? A ke ndonjë përvojë misioni?

2) Nga vjen shpirti misionar? Nga ana tjetër, çfarë e pengon atë?

3) Çfarë do të propozoje konkretisht për ta bërë Kishën tonë vendore më “misionare”?

 

Pyetje e përmbledhur: Çfarë propozon për t’u bërë gjithmonë e më shumë njerëz që jemi në gjendje të “ecim së bashku", ta dëgjojmë njëri-tjetrin, të përfshihemi në bashkëbisedim dhe të marrim pjesë në misionin e Kishës?

15 tetor 2021, 17:06