Kërko

Kryq në liqenin e Tiberiades, Toka Shenjte Kryq në liqenin e Tiberiades, Toka Shenjte

Historia e Kishës: prof. Lettieri, “identiteti katolik nuk është shpikje e Kostandinit”

“Kostandini sheh në Kishën Katolike universale një fuqi fetare e morale të rëndësishme. Është pikërisht kjo, që e nxit të marrë vendimin epokal për ta ndaluar persekutimin kundër të krishterëve, duke e shpallur krishtërimin, në vitin 313, si të vetmen fe zyrtare të perandorisë”. Kështu deklaron profesor Gaetano Lettieri i Universitetit “La Sapienza” të Romës, gjatë paraqitjes së konferencës ndërkombëtare në Vatikan, me temë “Hulumtim mbi historinë e shekujve të parë të Kishës"

R.SH. - Vatikan

“Nuk do të ekzistoja profesionalisht, nëse nuk do të ekzistonte një dokumentacion për shekujt para Kostandinit”. Gaetano Lettieri, anëtar i Komitetit Papnor të Shkencave Historike dhe drejtor i Departamentit të Historisë, Antropologjisë, Feve, Artit dhe Spektaklit në Universitetin “La Sapienza” të Romës, iu përgjigj kështu pyetjes për fjalët e një historiani të famshëm, Adolf von Arnack, i cili një shekull më parë, pohoi se nuk mund të thuhet me siguri shkencore ç’ka ndodhur në dy shekujt e parë të historisë së Kishës. Këto deklarata i bëri në Sallën e Shtypit të Vatikanit, gjatë paraqitjes së konferencës ndërkombëtare, që hapet në Vatikan nga dita e nesërme e deri më 29 tetor, me temë “Hulumtim mbi historinë e shekujve të parë të Kishës”.

         Natyrisht, shpjegoi Lettieri, “nuk ekziston një Kishë Katolike romake në Itali para Kostandinit perandor e para Koncilit të Nikesë”. “Sigurisht, Kisha Katolike romake është krijuar në një çast historik të caktuar, por trashëgon traditën e lashtë, e cila përshkon edhe shekujt e parë të krishtërimit”. Ai i Veprave të Apostujve, dha si shembull studiuesi, “është një protokatolicizëm, në të cilin del në pah ajo lëvizje unitare ndërmjetësimi, që nuk mund të mos ketë marrëdhënie vazhdimësie me zanafillën e krishtërimit. Që në fund të shekullit të dytë është i qartë ai proces sinteze, unifikimi dhe identifikimi institucional e doktrinal, tipik i protokatolicizmit, që do ta nxisë edhe perandorin Kostandin të kthehet në krishtërim”.

         “Identiteti katolik nuk është shpikje kostandiniane”, theksoi Lettieri. “Kostandini sheh në Kishën Katolike universale një fuqi fetare e morale të rëndësishme. Është pikërisht forca, përhapja, kompaktësia historike e Kishës, që e nxit Kostandinin të marrë vendimin epokal për ta ndaluar persekutimin kundër të krishterëve dhe për ta lënë të lirë krishtërimin, duke e shpallur, në vitin 313, si të vetmen fe zyrtare të perandorisë”.

26 tetor 2021, 16:10