Amazona Amazona

Të rinjtë e “Economy of Francesco” reflektojnë mbi energjinë

Filloi sot e para nga katër MasterClass lidhur me bujqësinë dhe me prodhimin e energjisë. Flasin dy gra nga popullsitë indigjene të Amerikës Latine

R.SH. - Vatikan

Në përgatitje të Takimit të ri botëror të ekonomistëve dhe sipërmarrësve të rinj të “The Economy of Francesco”, i cili do të mbahet në tetor, filloi sot e para nga katër MasterClass lidhur me bujqësinë dhe me prodhimin e energjisë. Kujtojmë se “The Economy of Francesco” janë një sërë nismash të ekonomistëve të rinj për ta rimëkëmbur ekonominë botërore në prizmin e ekologjisë së gjithanshme. Katër MasterClass janë organizuar në bashkëpunim me Forumin Botëror të Ushqimit, një rrjet global i pavarur, krijuar dhe udhëhequr nga të rinjtë, për transformimin e bujqësisë dhe të sistemeve ushqimore dhe për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Sot, në takimin e parë, u diskutuan propozime për të vënë në jetë të ashtuquajturat tranzicione energjitike dhe ushqimore në mënyrë të tillë që të mos u sjellin përfitime vetëm popujve të pasur. Në qendër të vëmendjes vendet e Afrikës, të Amerikës së Jugut, të Azisë Juglindore, por edhe popujt më të ligshtë të vendeve të zhvilluara.

Përfaqësueset e popujve autoktonë

Në veçanti, në uebinarin e sotëm, u dëgjuan dëshmitë e dy grave të reja nga Kolumbia dhe Ekuadori, që përfaqësonin popullsitë autoktone të Amerikës Latine. Ato vunë në pah vështirësitë dhe padrejtësitë e përjetuara nga indigjenët, për shkak të veprimtarisë së grupeve të mëdha industriale në territorin e tyre, sidomos kur kërkojnë hidrokarbure dhe kur u bien me sopatë pa kriter pyjeve të Amazonës. Gratë e ngritën zërin në mbrojtje të biolarmisë, të traditës dhe të kulturës së trojeve të tyre.

Projektet

MasterClass e sotme, së bashku me tre të tjerat, që do të mbahen më vonë e, me të mëparshmen në nëntor 2020, lindën si reultat i bashkëpunimit të “The Economy of Francesco”, FAO-s dhe Forumit Botëror të Ushqimit. Ky i fundit po shqyrton disa projekte të propozuara nga të rinjtë e “The Economy of Francesco”. Në veçanti, tre prej tyre do të paraqiten në MasterClass të ardhshme. Projekti i parë ka të bëjë me krijimin e një vendi, ku të rinjtë e gjithë botës të gjejnë zgjidhje, edhe teknologjike, për ndërmarrje të tipit të ri në bujqësi. Pastaj, një projekt për kulturimin dhe edukimin e të rinjve, duke i ndihmuar të gjejnë thirrjen e tyre në punë. Ndërsa projekti i tretë dëshiron t’u japë rëndësi marrëdhënieve të grave me tokën, kujdesit të tyre amnor për të.

15 korrik 2021, 15:57