XV Domenica Tempo Ordinario – Anno B - Vangelo - Gesù XV Domenica Tempo Ordinario – Anno B - Vangelo - Gesù

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës: dërgimi i të Dymbëdhjetëve

Siç tregon Ungjilli i së dielës XV të vitit kishtar, marrë nga kreu 6 i Shën Markut (7-13), Krishti i thirri të Dymbëdhjetët të formojnë bërthamën e popullit të Zotit dhe i bëri bashkëpunëtorë të tij. U dha detyrën e pushtetin për ta mundur të keqen, për të shëruar e për t’i shpëtuar njerëzit, që do të besonin në Lajmin e Mirë. E nga dëshmia e besimtarëve për këtë kumt varet edhe sot fati i njerëzimit.

R.SH. - Vatikan

Përmes lajmëtarëve të tij, gjatë historisë, Zoti e ka përgatitur njerëzimin për ardhjen e Birit të vet dhe për shëlbimin, që sillte. Duke u nisur nga populli i Izraelit, dashuria e tij shëlbuese duhej të shtrihej tek të gjithë njerëzit. Kjo është arsyeja për të cilën Jezu Krishti, siç tregon Ungjilli i së dielës XV të vitit kishtar, marrë nga kreu 6 i Shën Markut (7-13), i thirri të Dymbëdhjetët të formojnë bërthamën e popullit të Zotit dhe i bëri bashkëpunëtorë të tij. U dha detyrën e pushtetin për ta mundur të keqen, për të shëruar e për t’i shpëtuar njerëzit, që do të besonin në Lajmin e Mirë. E nga dëshmia e besimtarëve për këtë kumt varet edhe sot fati i njerëzimit. Të ndjekim pjesën ungjillore…

Në atë kohë, Jezusi i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka. 10 Dhe u thoshte: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të mos largoheni nga ai vend. 11 Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre”. 12 Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. 13 Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.

Të lutemi së bashku:

Erdhi çasti e Ti vendos, o Jezus,

t’i dërgosh në mision të Dymbëdhjetët

për të kumtuar Ungjillin,

për të luftuar kundër forcave të së keqes

me pushtetin, që vjen prej Zotit.

U kërkon atyre të udhëtojnë pa gjë me vete,

pa strajca e pa ushqime,

sepse në të vërtetë, ka rëndësi

dhurata që u le në dorë,

e jo përgatitjet e diktuara

nga logjika njerëzore.

 

U besove atyre një mesazh

ngushëllimi e gëzimi,

një fjalë që është thirrje

për ndryshim, qysh tani,

për kthim me gjithë mend kah Zoti,

të cilit i duhet dhënë besimi i plotë.

 

U transmetove atyre energjinë e nevojshme

për t’iu kundërvënë e për të fituar

mbi çdo formë skllavërie e keqdashjeje,

pa lejuar të mposhten

nga kontrastet, refuzimet,

konfliktet, kundërshtitë.

 

Nuk janë ata, që veprojnë, por vetë Zoti:

prandaj, asgjë nuk duhet t’i tërheqë

përveç se detyrës, që u është caktuar,

krejtësisht, duhet të merren me Lajmin e Mirë,

ta bëjnë të duket dhembshurinë e Atit

që kalon në botë përmes tyre.

 

A mund të çuditemi nëse tepër shpesh

dëshmia dhe kumti ynë

janë pak të besueshëm?

Ndodh, sepse ndoshta, po e shkelim amanetin Tënd

10 korrik 2021, 08:11