Vangelo della 15domenica B - il Signore li inviò a due a due Vangelo della 15domenica B - il Signore li inviò a due a due

Shenjtorët e javës më 11 -18 korrik

Me 11 korrik Kisha kremton të Dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, e po më 11 korrik, kalendari kujton edhe Shën Benediktin Abat, pajtor qiellor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet me emrin Bekimi - dhe Shën Piun I papë. Shën Benedikti ati i jetës murgare perëndimore, që përmbledh traditën murgare lindore, duke e përshtatur me botën latine. Rregulla e tij hap rrugën e re të qytetërimit evropian, pas rënies së qytetërimit romak.

R.SH. – Vatikan

E diel 11 korrik, Kisha kremton të Dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, e po më 11 korrik, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Benediktin, Abat, nga Norça, pajtor qiellor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekimi - e Shën Piun I papë.  Shën Benedikti Abat është ati i jetës murgare perëndimore. Rregulli i tij, që përmbledh traditën murgare lindore, duke e përshtatur me botën latine, hap rrugën e re të qytetërimit evropian, pas rënies së qytetërimit romak. Në brazdën e hapur nga Benedikti në mbarë kontinentin e vjetër, u mbollën e mbinë manastire të shumtë, qendra përshpirtërie të thellë dhe fanarë që vijojnë të japin dritë edhe sot, kur shumë prej tyre materialisht s’janë, veçse rrënoja.

Të hënën më 12 korrik, kalendari kishtar  përkujton Shën Veronikën. Emri i saj përmendet për herë të parë në Ungjijtë apokrifë, lidhur me gruan që vuante nga hemorragjia, për të cilën ungjijtë kanonikë tregojnë çau turmën për të prekur kindin e petkut të Jezusit dhe u shërua në vend.

Të martën më 13 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Henrikun II Duka i Bavarìsë, qe kurorëzuar perandor më 1014 nga Papa Benedikti VIII. Mbretëroi duke u përkujdesur për promovimin dhe ngritjen njerëzore të krishterë të njerëzve. Prapa insistimit të tij papa Benedikti VIII e vendosi Besojmën e krishterë në Meshën e së dielave e të festave kryesore.

Të mërkurën më 14 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Kamilin de Lellis, meshtar. Lutja që Shën Kamili pëlqente më shumë e të cilën e përsëriste më shpesh: “Do të desha një zemër të madh sa vetë bota!”. Një zemër që i zë të gjithë njerëzit. Jetoi me moton: “T’u shërbesh të varfërve, do të thotë t’i shërbesh vetë Krishtit”. Kamili gjeti kështu idealin, për të cilin ia vlen të shkrish të gjitha energjitë e jetës.

Të enjten më 15 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Bonaventurën nga Bagnoregio, ipeshkëv e dijetar i Kishës, teolog e mistik i madh françeskan. Liturgjia e ditës na kujton se në mbarim të jetës sonë, kur do të prekim bregun tjetër, vetë Zoti do t’i marrë në duart e tij veprat tona të mira. Atje do të vijnë edhe engjëjt e do të pastrojnë, bashkë me Të, çka nuk është pastruar plotësisht në jetën tonë. E në dorë të Zotit do të mbetet vetëm dashuria e jetuar
 
Të premten mё 16 korrik, Kisha katolike kremton festën e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës në  trevast shqiptare e njeh me emrin Zoja Karmë. Po mё 16 korrik përkujtohet edhe Shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është në qendër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vëmë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje

Të shtunën mё 17 korrik, kalendari kishtar pёrkujton Shën Marçelinën, virgjër, motër e Shën Ambrozit, ipeshkëv; Shën Aleksin e Shën Leonin IV, papë. Liturgjia e ditës na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.

Të dielën e ardhshme më 18 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën 16-të gjatë kishtar, e gjithnjë më 18 korrik, kalendari kishtar pёrkujton shёn Emilianin, martir e shën Brunon nga Senji, ipeshkëv. Liturgjia e ditёs na kujton se Zoti hyn në jetën e njeriut në majë të gishtërinjve. Atëherë në zemra ndizet një shkëndijë dashurie, një flakëz feje e cila na shndërron e na ndihmon të gjejmë rrugën e drejtë, rrugën e fesë, që çon te Ati.

11 korrik 2021, 08:40