Kërko

San Ignazio di Loyola San Ignazio di Loyola

Shën Injaci i Lojolës : jezuiti i dashuruar me Zotin

Në festën e themeluesit të Shoqërisë së Jezusit, po kujtojmë shkurtimisht figurën e Shën Injacit, thirrjen e tij dhe aktualitetin e madh të Ushtrimeve Shpirtërore, që praktikohen edhe nga ndjekës të feve të tjera.

R. SH. - Vatikan

Të prirë nga Shën Injaci, të vihemi në shërbim të të tjerëve! Kjo, zemra e mesazhit që na vjen nga figura e themeluesit të Shoqërisë së Jezusit. Shën Injaci Lojolës qe njeri që, para takimit me Jezu Krishtin, ëndërronte pushtetin, pëlqente jetën sipas mendësisë së botës por që, më pas, si e studioi dhe e dëgjoi me përkushtim të thellë Fjalën e Zotit, e lëshoi krejt vetveten në  dorë të vullnetit të Tij.

Shtegtar gjithnjë përudhë

Në Kishën e Jezusit, në Romë, ku Shën Injaci Lojolës pushon në paqe,  jezuiti at Jean Paul Hernandez e përshkruan si njeri i veprimit, njeri gjithnjë “në dalje”, siç  i pëlqen të përsërisë Papës Françesku. Bërthama e karizmës jezuite - pohon at Hernandez - është bindja, që do të thotë ta kesh zemrën e  lirë. Jezuiti është njeri i lëshuar plotësisht në duart e Zotit, që zbaton një stil të caktuar jete; analizon realitetin në të cilin jeton, shkon në thellësi të tij, vihet në lutje, shqyrton e pastaj vepron. Themelore në këtë proces, janë Ushtrimet Shpirtërore, kodifikuar nga gjysma e ‘500-tës, që vijojnë të jenë thellësisht aktuale. “Nuk i praktikojnë vetëm rregulltarët - shpjegon atë Hernandez - por edhe shekullarët, që ndjekin përshpirtërinë injacjane si dhe vëllezërit ortodoksë” .

Jezuitët sot

“Stili i jezuitit krijon kushtet që secili të specializohet në fushën ku është i thirurur - shton rregulltari at Jean Paul Hernandez - prej këndej, ndjekësit e Shën Injacit merren fort me ungjillëzimin e ri, me sfidat e dijes së sotme, por edhe me emigrantët, që përbëjnë emergjencën e kohëve tona”. Qendra Astalli, pranë Kishës së Jezusit, në Romë, është një nga përgjigjet e shumta,  që i japin jezuitët kësaj plage të kohëve tona,  duke ndjekur rreth 17 mijë vetë, në 100 kombe të ndryshme të botës.

Shën Injaci

Basco di Azpeita lindi më 1491 e vdiq në Romë, më 1556.  Djali i vogël i familjes, qe paracaktuar për jetë meshtarake, por ai ëndërronte të bëhej kalorës. I dërguar në Kastilje, u formua në oborrin e Mbretit Ferdinand, i mbiquajtur Katoliku. I plagosur në betejën e vitit 1520, iu desh të kalonte një periudhë  pushimi, gjatë të cilës, fare rastësisht e krejt pa dëshirë, nisi të lexojë tekste fetare, përmes të cilave u takua me Zotin. Ishte një çast, që ia ndryshoi krejt rrugën e jetës,  duke  i hapur një faqe të re, atë të themelimit të Shoqërisë  së Jezusit, miratuar nga Papa Pali III, në vitin 1538. Duke iu bindur Papës, Injaci mbeti në Romë për të koordinuar veprimtarinë e Shoqërisë e për t’u marrë me të varfërit, aq sa të meritonte epitetin “apostull i Romës”. Reliket e tij ruhen në altarin më të majtë të navatës qendrore, në Kishën romake të Jezusit.

31 korrik 2021, 14:04