Motër Gloria Narvaez, rrëmbyer në Mali më 2017 Motër Gloria Narvaez, rrëmbyer në Mali më 2017

Publikohet letra e motër Narváez Argoti, rrëmbyer në Mali nga xhihadistët, më 2017

Rregulltarja kolombiane shkruan: “Shpresoj që Zoti të më ndihmojë të lirohem”

R.SH. – Vatikan

 “I përshëndes të gjithë përzemërsisht. Zoti i mirë ju bekoftë dhe ju dhuroftë shëndet. Jam peng që prej katër vitesh e tani, më kanë kaluar tek një grup të ri”. Me këto fjalë, murgesha kolombiane françeskane 57-vjeçare, Gloria Narváez Argoti, jep lajme për veten me një mesazh, dërguar të vëllait, Edgar Narváez, përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Njoftimi u dha nga Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, i cili ka mundur të lexojë 11 rreshtat e shkruara me dorë më 3 shkurt 2021, në spanjisht, me shkronja të mëdha e stilolaps blu. Familja e mori letrën në maj.

Rrëmbimi

 Rrëmbyer katër vjet më parë në Karangasso të Malit, motër Gloria e quan grupin terrorist, i cili e mban peng aktualisht, si GSIM - Grupi për Mbështetjen e Islamit dhe të Myslimanëve. Është formacion, që i përket një aleance xhihadiste aktive në Sahel, e lidhur me Al Kaidën. “Lutuni të gjithë shumë për mua. Zoti ju bekoftë të gjithëve. Shpresoj që Hyji të më ndihmojë ta rifitoj lirinë. Motra juaj e dashur, Gloria”, lexohet së fundi, në letrën e shkurtër.

Duke folur me Fondacionin, vëllai i murgeshës kujton se me mesazhin e tij të parë, e pati njoftuar të motrën për vdekjen e nënës 87-vjeçare, Rosita Argoti de Narváez. Gjithashtu, Edgar Narváez nënvizon se lirimi i shoqes së burgut, mjekes franceze Sophie Petronin, në tetor të vitit të kaluar, e kishte tronditur shumë motrën Gloria.

Pas lirimit të Sophie Petronin, murgeshën “e zhvendosën në grupin që përmend në letër, GSIM, në një vend edhe më të largët. Por gradualisht, ajo e mori veten dhe tani është sërish mirë”, shton i vëllai. Një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga Kolumbia, që u dërgua në Afrikë për të siguruar lirimin e motrës françeskane, u pezullua në qershor, pas grushtit të ri të shtetit në Mali, në maj.

09 korrik 2021, 12:25