Kardinali Pietro Parolin kremton Meshën për Jubileun e Shën  Odilies në Strasburg të Francës Kardinali Pietro Parolin kremton Meshën për Jubileun e Shën Odilies në Strasburg të Francës 

Kardinali Parolin: feja hap skenarë të rinj

Me meshën në Malin e Shën Odilies, përfundoi vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në Strasburg, ku mbërriti të shtunën si Legat Papnor për kremtimet e 1300-vjetorit të vdekjes së shenjtes Pajtore të Alsazës

R. SH. - Vatikan

“Jeta e Shën Odilies na tregon se ndërhyrja e Zotit mund ta ndryshojë perspektivën në çdo çast, të dhurojë jetë dhe mision të ri, të shërojë sëmundjet dhe të hapë rrugën për forma të papritura ungjillizimi”. Këtë nënvizoi, dje pasdite, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në meshën me të rinjtë, në shenjtëroren e Malit të Shën Odilies, abaci e Hohenbourg në Francë, ku është varrosur shenjtorja Pajtore e Alsazës. Me të, përfundoi edhe vizita e kardinalit, dërguar në Strasburg si përfaqësues i Papës, për kremtimet e 1300-vjetorit të vdekjes së Shën Odilies. Prania e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit ishte edhe rast për shugurimin e ipeshkvit të ri ndihmës të dioqezës së Strasburgut, imzot Gilles Reithinger, deri më sot Epror i përgjithshëm i Misioneve të jashtme të Parisit, emëruar nga Papa më 26 qershorin e kaluar.

Drita e Zotit

Shën Odilia - emër që do të thotë “Drita e Zotit” - është Pajtore e Alsasës,  ku vijon të jetë i gjallë kulti popullor, posaçërisht në Mont-Sainte-Odile, vend shtegtimi, ku përkujtohet 7 korriku 1842, përvjetor i zhvendosjes së trupit të shenjtores e ku shkojnë të luten posaçërisht ata, që humbasin dritën e syve. E njohur si ndërmjetëse për shërimin e verbërisë, ajo vetë kish lindur e verbër, në një familje fisnike merovinge e qe shëruar mrekullisht ditën e pagëzimit, në moshën 15 vjeçare. I ati, Alderiku, themeloi për të manastirin benediktin të Hohenbourgut, në Alsasë. Aty u bë abatesha e parë e jetoi shenjtërisht, në lartësinë që të kujtonte emri i saj. Vdiq më 13 dhjetor të vitit 720 e u shpall shenjte nga Papa Leoni IX në shekullin IX.  Papa Piu XII e shpalli Pajtore të Alsasës në vitin 1946 , një vit pas përfundimit të Luftës II Botërore, që i kishte dëmtuar rëndë këto troje, të pushtuara nga Gjermania naziste. Duke nisur nga nga 13 dhjetori 2020, dioqeza e Strasburgut kremton Jubileun e Madh  të 1300 vjetorit  të vdekjes së Shën Odilies.

Veçantia fetare e Alsasës

Dioqeza e Strasburgut, ashtu si dioqeza e afërt e Metz, ka një veçanti më vete: zbaton rregullat e Konkordatit napoleonik. Priftërinjtë paguhen nga shteti e ipeshkvijtë emërohen njëherësh nga Papa e nga Presidenti i Republikës, me botimin e emrave në Gazetën Zyrtare (Journal Officiel).

Ndërsa në Alsasë e në Moselle nuk zbatohet  ndarja e Kishës nga shteti, sepse këto dy vende në vitin 1905, kur Republika franceze miratonte ligjin, ishin nën sovranitetin gjerman. Kur iu kthyen përsëri Francës, pas Luftës I Botërore, parimet e laicitetit zbatoheshin pjesërisht. Këto dy dioqeza u vizituan si nga Gjon Pali II,  në vitin 1988, ashtu edhe nga Papa Bergoglio më 2014-tën. Por Françesku nuk pati mundësi të ndalohej në katedralen e Strasburgut për shkak  të  vizitave në Parlamentin evropian e në Këshillin e Evropës.

06 korrik 2021, 09:47