Revoltat në Kubë vijojnë! Revoltat në Kubë vijojnë! 

Kuba, imzot Echeverria: të shikohet dialogu dhe e mira e përbashkët

Në një intervistë dhënë gazetës italiane “La Repubblica”, kryetari i ipeshkvijve kubanë nënvizon se përballë kushteve të rënda shoqërore dhe manifestimeve të protestës, duhet hapur udha e dialogut dhe e bashkëpunimit të anasjelltë.

R. SH. - Vatikan

Kriza e thellë ekonomike dhe ajo shëndetësore, pasojë e Covidit, janë shkaqet kryesore të manifestimeve, që po e trondisin thellë prej disa  ditësh ishullin e Kubës. Të shumta arrestimet nga ana e forcave të rendit.  E pavarësisht nga lëshimet, që detyrohet të bëjë qeveria, përballë zemërimit popullor, si leja për hyrjen në vendin e uritur të prodhimeve të domosdoshme për jetën, ushqimeve, ilaçeve dhe sendeve të tjera, të cilat mungojnë prej vitesh, në këtë vend ku ende flitet për arritjen në komunizëm, protestat vijojnë. Mbi situatën në Kubë shprehet, në gazetën italiane “La Repubblica”, imzot Emilio Aranguren Echeverria, ipeshkëv i Holguín dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore kubane, që thekson nevojën e domosdoshme për hapjen e dialogut, nësa kriza bëhet gjithnjë më e papërballueshme.

Të gjithë të punojnë për të mirën e përbashkët

“Duhet rritur aftësia për të dëgjuar, duke i lënë edhe të tjerët ta shprehin mendimin për mënyrën si shkojnë punët, si e shikojnë jetën, si atë personale, ashtu edhe atë shoqërore - pohon imzot Echeverria. - Çka po jeton sot Kuba “është krejt e jashtëzakonshme”- nënvizon - e prandaj revoltës së njerëzve duhet t’i jepet përgjigje me edukatë, në përkim me këto kushte të vështira, që të mësojnë ç’do të thotë të jesh qytetar e ta vlerësojnë, jo ta shkatërrojnë, të mirën e përbashkët.

Kemi nevojë për dinjitet!

Lidhur me demonstratat, që të dielën e kaluar pushtuan qytetet kryesore kubane, prelati kujton se nuk munguan as aktet e dhunës. Njerëzve u ka ardhur shpirti në fyt e nuk janë më në gjendje ta frenojnë inatin. E qeveria i përgjigjet inatit me një inat edhe më të paarsyeshëm. Ndaj prelati  u kujton të gjithëve “se dhuna ndjell dhunën”. Prandaj kujton se është e nevojshme të kuptohen nevojat dhe pakënaqësitë e njerëzve, jo vetëm duke kërkuar shkaqet, “por edhe duke u munduar për t’i mbledhur forcat e atyre, që kanë mundësi të realizojnë një projekt në dobi të të gjithëve”.

Së fundi, lidhur me vendimin e autoriteteve për ta bllokuar internetin, ipeshkvi  tregon se në këtë çast “shihet një lëvizje më e pakët njerëzish e   e forcat e rendit janë më të kujdesshme, të favorizuara edhe nga masat mbrojtëse, marrë nga qendrat e shërbimit, për të parandaluar aksionet e dhunshme nëpër rrugë ose në hapësirat e tjera publike”. Masat kundër mjeteve të komunikmit u morën për të shmangur transmetimin e mesazheve, që do të shkaktonin situata të reja të këtij tipi. 

17 korrik 2021, 15:56