Gjaku i Krishtit Gjaku i Krishtit 

Korriku, muaj kushtuar Gjakut të Krishtit: premtimet e litanitë

Pas majit të Zojës e qershorit të Zemrës së Jezusit, erdhi korriku, muaj kushtuar Gjakut të Krishtit.

R. SH. - Vatikan

Ky devocion u zhvillua kryesisht nga Shën Gaspri i Bufalos, që jetoi në Romë ndërmjet viteve 1786-1837 ku, më 1815, themeloi Kongregatën e Misionarëve të Gjakut të paçmueshëm, si mjet për kthimin e mëkatarëve e për t’i dhënë fund frymës së mosbesimit  kundër Kishës, që vijonte të përhapej nëpër botë pas revolucionit francez.  Në vitin 1835, me Shën Maria de Mattias, themeloi Motrat Adhuruese të Gjakut të Krishtit.

E korriku na kujton edhe premtimet, që i pati bërë Krishti, në vitin 1969, një murgeshe të përvujtë austriake. Duke i kujtuar sot, urojmë t’jua forcojnë fenë, në këtë kohë të valë vere!

1. Ata, që ia kushtojnë ditë për ditë Atit qiellor punën, flijimet e lutjet, në bashkim me Gjakun tim të paçmueshëm e Plagët e mia, për shpërblim të mëkateve, të jenë të sigurt se lutjet e flijimet e tyre shkruhen në Zemrën time e se i pret një hir  i madh nga Ati im.

2. Atyre, që ia kushtojnë vuajtjet, lutjet, flijimet Gjakut tim të paçmueshëm dhe Plagëve të mia për kthimin e mëkatnorëve, në amshim do t’u dyfishohet lumturia e përmbi tokë do të mund të kthejnë shumëkënd me lutjet e tyre.

3. Ata, që e ofrojnë Gjakun tim të paçmueshën e Plagët e mia me përkushtim për mëkatet e tyre, të njohura e të panjohura para se të Kungohen, duhet të jenë të sigurt se nuk do ta marrin kurrë më Hosten padenjësisht e se do të sigurojnë një vend në Parriz.

4. Atyre që, pas Rrëfimit, i ofrojnë vuajtjet e mia për të gjitha mëkatet e bëra gjatë tërë jetës e që e thonë vullnetarisht, për pendesë,  Rruzaren e Varrëve Shenjte, do t’u bëhen shpirtrat të pastra e të bukura, pikërisht si ishin menjëherë pas Pagëzimit, ndaj mund të luten, pas një Rrëfimi të tillë, për kthimin e një mëkatari të madh.

5. Ata që, në emër të Gjakut e të Plagëve të mia ia kushtojnë ditën njerëzve në fill të mortjes, duke shprehur, në emër të njeriut që shuhet,  dhimbje të thellë për mëkatet e veta, mund të jenë të sigurt se i hapën portat e qiellit për shumë mëkatarë e se mund të shpresojnë një vdekje të mirë edhe për vetveten”.

Litanitë e Gjakut të Krishtit

Kujtojmë se pas litanive të Zojës e të Zemrës së Krishtit, në korrik thuhen litanitë e Gjakut të Krishtit.

Po përmendim vetëm fillimin e tyre:

Gjaku i Krishtit, Bir i vetëm i Atit, shpëtona!

Gjaku i Krishtit, Fjala e Mishëruar e Zotit…

Gjaku i Krishtit, i Besëlidhjes së re e të amshuar…

Gjaku i Krishtit, që u derdh mbi tokën e agonisë…

Gjaku i Krishtit, që lagu kurorën e ferrave

Gjaku i Krishtit, që u derdh përmbi kryq

Gjaku i Krishtit, çmim i shëlbimit tonë

Gjaku i Krishtit, pa të cilin nuk ka falje, shpëtona!...

03 korrik 2021, 14:03