Kuba në protesta Kuba në protesta 

Ipeshkvijtë e SHBA-ve, popullit kuban: të thellohet miqësia ndërmjet dy vendeve tona

Nësa në Kubë vlojnë protestat e popullsisë kundër krizës ekonomike, në vend arrin solidariteti i ipeshkvijve amerikanë. Në një deklaratë, prelatët urojnë që ndërmjet SHBA-ve e Kubës të vendosen marrëdhënie pajtimi e harmonie, që do ta ndihmojnë ishullin “të ketë më shumë prosperitet e ndryshime shoqërore”.

R. SH. - Vatikan

Solidaritet me Kishën dhe popullin kuban dhe një thirrje e SHBA-ve për ta thelluar miqësinë ndërmjet dy vendeve, “në interes të drejtësisë e të paqes”. E shprehin ipeshkvijtë amerikanë, ndërsa në ishullin karaibik si dhe në diasporën kubane vijojnë protestat kundër krizës ekonomike dhe urisë, që po thellohet edhe nga Covid-19. Manifestimeve regjimi po i përgjigjet me arrestimin e kundërshtarëve, ndërmjet të cilëve, edhe përfaqësues të Kishës katolike.

Të nxiten shkëmbimet ndërmjet SHBA-ve dhe Kubës

Në deklaratën, nënshkruar nga imzot José H. Gomez di Los Angeles, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të SHBA-ve (Usccb) dhe ipeshkvi David J. Malloy, kryetar i Komitetit për drejësi e paqe ndërkombëtare, prelatët bashkojnë zërat me thirrjen e 12 korrikut të ipeshkvijve kubanë “për kërkimin e rrugëzgjidhjeve pozitive” të krizës, larg ndeshjeve, duke dëgjuar propozimet për ta ndërtuar Atdheun me të gjithë - e për të gjithë”

Me të njëjtën frymë, edhe Osccb kërkon që autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të kërkojnë paqe për Kubën. Paqe, që buron edhe nga “pajtimi e harmonia ndërmjet dy vendeve” - pohojnë - duke kujtuar se prej disa dìkadash Konferenca ipeshkvnore amerikane, së bashku me Selinë e Shenjtë dhe me ipeshkvijtë kubanë, e kanë shumë për zemër bashkëpunimin kulturor e tregtar të Kubës me SHBA-të, parë si mjet për ta ndihmuar ishullin të arrijë më shumë prosperitet e, sidomos, shndërrime shoqërore”.

Jo, masave ndëshkimore!

Ipeshkvijtë amerikanë kanë kërkuar në shumë raste lehtësimin e embargos së SHBA-ve kundër Kubës, duke inkurajuar politikën e uljes së tensionit, nisur që në vitin 2014 nga administrata Obama, përmbysur, më pas, nga presidenti Trump. Në këtë kuptim, janarin e kaluar patën shprehur “mospajtimin e thellë”, me vendimin e ish-sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për ta shtuar Vendin latino-amerikan në listën e shteteve që  financojnë terrorizmin.

Pandemi e sistem shëndetësor në krizë

Protestat në Kubë nisën në një çast kritik, kur Pandemia e Covid-19 e  gjunjëzoi sistemin shëndetësor në Ishull. Këtu numri i infektimeve është më i larti në të gjithë Amerikën Latine e strukturat shëndetësore, të paafta për t’i bërë ballë, siç vërejti këto ditë edhe Caritas Internationalis. Në vend mungojnë ilaçet dhe materialet e tjera mjekësore, punonjësit e shëndetësisë janë tmerrësisht të lodhur nga puna pa pushim e infrastrukturat e spitaleve, në gjendje të vajtueshme. Gjithë kësaj mënxyre, i shtohet edhe kriza ekonomike, me pasojë urinë e mirëfilltë. E ky është edhe shkaku kryesor, që i nxiti këta njerëz të lodhur, të sëmurë e të uritur të dalin në sheshe, për të kërkuar jetë!

21 korrik 2021, 12:24