Kërko

 Holy Land Holy Land

Hapet një ekspozitë fotografike, titulluar “Toka e dashur nga Jezusi”

Hapet një ekspozitë fotografike, kushtuar Viseve të Shenjta, që do të shtegtojë në tre vende. Titullohet “Toka e dashur nga Jezusi”.

R.SH. - Vatikan

Do të hapet në Siri, Liban e në Irak, ekspozita shtegtare, e titulluar “Toka e dashur nga Jezusi”, e cila synon t’i bëjë të njohura Tokat Shenjte,  përmes fotografive të arkivit të Rojtarisë.

Ekspozita, shpjegon organizuesi i saj, atë Nooor Tamas, është përgjigje që i jepet dëshirës së të krishterëve të Lindjes së Mesme, të cilët ëndërrojnë ta vizitojnë Tokën e Jezusit, por nuk munden, për arsye politike. “Shumë njerëz nuk kanë mundësi të kërkojnë online informacione për Viset e Shenjta - saktëson rregulltari - prej këndej, detyra jonë është t’ua çojmë “një grusht me dhe” nga Toka Shenjte, në viset ku banojnë. Këtë herë  vendosëm ta bëjmë këtë, përmes fotografive”.

Ekspozita u nis nga leximi i shënimeve të disa prijësve të shtegtarëve, për të vijuar me burimet dhe tekstet hartuar nga  fr. George e Johnny Jallouf. Fotografitë u zgjodhën nga arkivi i kohëve të fundit i Rojtarisë së Tokës Shenjte (ndërmjet tjerash, ai i Nadim Asfour, Marie-Armelle Beaulieu, Giovanni Malaspina e Neva Gasparo), por edhe nga arkivet personale e famullitare të fretërve të ndryshëm, nga Jeruzalemi, në Siri e Liban.

E lindur si projekt  përmbledhjesh fotografike të vendeve më të famshme të krishterimit, ekspozita, falë mbështetjes dhe interesimit të Muzeut të Tokës Shenjte dhe Shoqatës “Për Tokën Shenjte”, u shndërrua në rrëfim  të  jetës së françeskanëve dhe në mjet për të kumtuar Lajmin e Mirë.

“Pasi  nisëm nga puna, menduam ta çojmë deri në fund - rrëfen fra Noor - Për këtë arsye në stendat e para përmblidhet historia e Rojtarisë, historia  e Urdhërit e ajo e vetë Shën Françeskut, por edhe puna e fretërve në Siri, Liban e Jordani. Rrëfimi i jetës sonë, pastaj - vijon rregulltari - shndërrohet në rast kumtimi për këdo ndjen thirrjen të ecë mbi hapat e Shën Françeskut e ta jetojë karizmën tonë misionare”.

Duke ndjekur  ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Krishtit, në ekspozitë mund të soditen shenjtëroret, që lidhen me Lajmërimin, me Ngjalljen, me Vizitacionin, me Lindjen, jetën e veprën e Krishtit e, katër stendat e fundit, paraqesin panoramikën e shërbimit të Rojtarisë së Tokës Shenjte. I pari i kushtohet françeskanëve të famullive të Libanit. I dyti, shenjtores së Shën Palit në Siri. I treti, Memorialit të Moisiut, mbi Malin Nebo, në Jordani. I katërti, përmbledh të dhënat numerike të shërbimit në Tokën Shenjte (Numrin e fretërve, të shtëpive ndërtuar në vende të ndryshme, ku vepron Rojtaria, informacione mbi bursat e studimet, shtëpitë e pritjes, famullitë…). Është vizitë virtuale e cila, si e ke soditur, të lë shijen e mahnitjes, që jetohet kur shkel me të vërtetë mbi gjurmët e Krishtit!

27 korrik 2021, 19:06