Kërko

 Vangelo XVIII Domenica Ordinaria 'B' - Gesù pane vivo Vangelo XVIII Domenica Ordinaria 'B' - Gesù pane vivo

Fjala e Zotit e dielës së 18-të gjatë vitit ‘B'

Nё Ungjillin e kёsaj sё diele nga Gjoni, Jezusi flet për vete duke e quajtur veten Bukë e vërtetë, e zbritur nga qielli, që të mban gjallë përgjithmonë e jetës. Ai është shujta, që jep jetën e pasosur, sepse Bir i vetëm i Hyjit, që është në gji të Atit, i ardhur për t’i dhuruar njeriut jetën e përkryer, për ta përfshirë në vetë jetën e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takim in tonë javor me fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 18-të gjatë vitit kishtar, ciklit dytë,  gjatë vitit kishtar, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 18-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 18-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Ungjilli i së dielës sё 18-tё gjatё vitit kishtar ‘B’ nga Gjoni (Gjn 6,24-35) i kushtohet bukës së zbritur nga qielli . Nё kёtё pjesё ungjillore, Jezusi na fton të mos mbyllemi në horizonte thjesht njerëzore, por të shikojmë shumë më larg, ta hapim zemrën për të parë horizontet e pafundme të Zotit, horizontet e fesë. Nё fragmentin e Ungjillit të kësaj sё diele, në të cilin turmat e kërkojnë Jezusin, sepse kishte kryer punë të mrekullueshme, del nё pah fakti se Krishti dëshiron t’i ndihmojë njerëzit të shkojnë përtej plotësimit të menjëhershëm të nevojave të tyre materiale, ndonëse edhe ato, pa dyshim, të rëndësishme.

Nё Ungjillin e kёsaj sё diele nga Gjoni, Jezusi flet për vete duke e quajtur veten Bukë e vërtetë, e zbritur nga qielli, që të mban gjallë përgjithmonë e jetës. Ai është shujta, që jep jetën e pasosur, sepse Bir i vetëm i Hyjit, që është në gji të Atit, i ardhur për t’i dhuruar njeriut jetën e përkryer, për ta përfshirë në vetë jetën e Zotit.

Në mendimin hebraik, ishte e qartë se buka e vërtetë e qiellit, që ushqente Izraelin, ishte Ligji, Fjala e Zotit. Tani Jezusi, duke u dëftuar si Bukë e qiellit, dëshmon se është Ai vetë Fjala e Zotit, Fjala e mishëruar, përmes së cilës njeriu mund të ushqehet me vullnetin e Hyjit (cfr Gjon 4,34) që e orienton dhe e mban gjallë jetën. Atëherë mund të themi se të dyshosh për natyrën hyjnore të Jezusit, siç bëjnë judenjtë në fragmentin ungjillor të së dielës, do të thotë t’i kundërvihesh veprës së Hyjit.

Jezusi dëshiron t’u hapë një horizont jete, që nuk është thjesht ai i shqetësimeve të përditshme, shqetësimit për të ngrënë, për t’u veshur, për të ngjitur shkallët e karrierës. Jezusi flet për një ushqim, që nuk mbaron kurrë, të cilin njeriu duhet ta kërkojë e ta bëjë të vetin.

Moisiu, na kujton Leximi Parё nga  Libri i Daljes (Da 16.2-4.12-15 , i pati dhënë Izraelit manën, bukën e rënë nga qielli. Ndërsa Jezusi nuk jep ndonjë gjë. Jezusi jep vetveten: është Ai vetë, buka e zbritur nga qielli. Por Jezusi, buka e vërtetë e gjallimit, që na shuan urinë e kuptimit të jetës, të së vërtetës, nuk mund të ‘fitohet’ me punën njerëzore. Vjen ndër ne vetëm si dhuratë e dashurisë së Zotit, si vepër e Zotit, që duhet kërkuar e duhet pranuar.

Në ditët e ngarkuara me shqetësime e probleme, por edhe në çastet e prehjes e të vetëharrimit, Jezusi na fton të mos harrojmë gjënë më të rëndësishme. Vërtetë, është nevojshme të shqetësohemi për bukën e gojës dhe për t’i ripërtërirë forcat e shkalitura, por më e rëndësishme është të kërkojmë lidhjen tonё personale me Zotin, ta forcojmë këtë lidhje me Atë, Jezusin që është buka e jetës, që na e përmbush dëshirën e zjarrtë për vërtetësi e dashuri.

Qendra e jetës, ajo që i jep kuptim e shpresë të patundur udhës sonë të përditshme, shpesh tepër të vështirë, është besimi në Jezusin, takimi me Krishtin. E këtu nuk bëhet fjalë, për të ndjekur një ide, një projekt, por për të takuar Jezusin si Vetje e gjallë, për ta lëshuar plotësisht vetveten në dorën e Tij, për t’i besuar me gjithë zemër Ungjillit të Krishtit. Besimi në Të është gjëja më themelore për zemrën njerëzore, gjithnjë në kërkim të jetës së vërtetë-  

                                                      Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Dal 16, 2-4.12-15

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, mbarë bashkësia e bijve të Izraelit zuri të ankohet kundër Moisiut e Aronit në shkretëtirë. I thoshin njëri-tjetrit: “Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s’u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë të vdesë urie mbarë bashkësia?!” Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit. Le të dalë populli e le të mbledhë, aq sa t’i dalë mjaft për çdo ditë. Dua t’i vë në provë palè a do të ecën në ligjin tim apo jo. I dëgjova ankimet e bijve të Izraelit. Thuaju: Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë e atëherë do ta pranoni se unë jam Zoti, Hyji juaj!”. Posa u bë mbrëmja, ia bëhen shkurtat dhe e mbuluan tëbanishtën, kurse në mëngjes një shtresë vese rreth e rrotull tëbanishtës e kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës! Atëherë u duk mbi tokë kokërrizë e hollë porsi brymë. Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri-tjetrit: “Manhu?” – që do të thotë: “Çka është kjo?” Sepse nuk dinin se çka ishte. Moisiu u tha: “Kjo është buka që Zoti jua dha për ta ngrënë!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 78

Na e jep, o Zot, bukën e jetës

Ato që dëgjuam e mësuam,

çka na treguan etërit tanë,

nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,

do t’i kalojmë gojë me gojë në breznitë e ardhshme

lavditë e Zotit e mrekullitë e tija,

veprat e bindshme që ai bëri.

 

Kështu u urdhëroi reve prej së larti,

i hapi pendët e qiellit,

porsi shi e lëshoi manën për ushqim,

u dha bukë nga qielli:

njeriu hëngri bukë engjëjsh.

 

U dha ushqim me shumicë.

I çoi në tokën e vet të shenjtë,

në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.

Mandej në qiell e zgjoi erën e lindjes,

me pushtet të vet bëri të fryjë shiroku.

 

Leximi dytë Ef 4,17.20-24

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, them këtë dhe përbej në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët, në kotësinë e mendjes së tyre. Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin, në qoftë se keni dëgjuar për të dhe në qoftë se keni qenë mësuar simbas së vërtetës që është në Jezusin: në fuqi të së cilës u duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës, njeriun e vjetër, të cilin prirjet e shfrenuara e çojnë në bjerrje, dhe duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,

por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

Aleluja.

 

Ungjilli   Gjn 6, 24-35

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur erdhe këtu?” Jezusi u përgjigji: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë. Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati-Hyj.” Atëherë ata i thanë: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” Jezusi u përgjigji: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në atë që Ai e dërgoi.” “Çfarë shenje bën ti – i thanë ata – që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? Etërit tanë hëngrën mannën në shkreti si shkruan edhe në Shkrim shenjt: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit’.” Jezusi u përgjigji: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: sepse buka e Hyjit është ajo që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.” Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” Jezusi u përgjigj: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XVIII GJATË VITIT: UNË JAM BUKA E JETËS.

(Dal 16, 2-4. 12-15; Ps 78 (77); Ef 4, 17.20-24; Gjn 6, 24-35)

Në Ungjillin e së dielës së kaluar kemi dëgjuar se si Jezusi shumon pesë bukët dhe dy peshqit, duke i bërë të mjaftojnë për pesëmijë burra, pa llogaritur gratë e fëmijët dhe madje duke tepruar dymbëdhjetë shporta plot me bukë. E kemi parë se sa mrekulli e bujshme ajo ishte për popullin e Izraelit. Kurse në Ungjillin e kësaj të diele dëgjuam një pjesë që vijon menjëherë pas kësaj mrekullie në Ungjillin e Gjonit.

Pjesa e Ungjillit tregon se si turmat, kur e vënë re se Jezusi nuk është në lundra me nxënës, niset ta kërkojë dhe, çuditërisht, e gjejnë në anën tjetër të liqenit. Prandaj edhe e pyesin: «Rabbi, kur erdhe këtu?» Jezusi u përgjigjet: «Përnjëmend, përnjëmend po u them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë...» Për t’i kuptuar këto fjalë të Jezusit, na vjen në ndihmë leximi i parë i cili flet për një ngjarje tejet të rëndësishme në Besëlidhjen e Vjetër. Është fjala për kohën kur Izraeli po endej nëpër shkretëtirë, fill pasi kishte dalë nga skllavëria e Egjiptit.

Jeta nëpër shkretëtirë ishte e vështirë dhe kishte filluar t’i mundonte pa masë uria dhe etja. Prandaj ata fillojnë të ankohen kundër Moisiut dhe Aronit: «Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s’u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë, të vdesë urie mbarë bashkësia?!» Ankesa do të kishte qenë e pranueshme sikur të mos kishte qenë pikërisht Zoti ai që i kishte nxjerrë nga skllavëria e Egjiptit dhe sikur Zoti të mos u kishte premtuar se do t’i çonte në tokën e premtuar. Por kishin filluar ta humbisnin besimin në Të.

Megjithatë Hyji e tregon përsëri mirësinë e vet dhe i thotë Moisiut: «Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit...» Premton edhe mish: «Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë...» E menjëherë premtimet Hyjnore realizohen: «Posa u bë mbrëmje, ia behën shkurtat dhe e mbuluan tëbanishtën, kurse në mëngjes, një shtresë vese rreth e rrotull tëbanishtës e kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës. Atëherë u duk një kokrrizë e hollë porsi brymë. Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri-tjetrit: ‘Manhu’ [që do të thotë: ‘Çka është kjo?’]. Sepse nuk dinin se çka ishte.» Moisiu u tha që të mos kishin frikë ta hanin, sepse ajo ishte buka që Zoti ua kishte premtuar.

Një mrekulli vërtetë e madhe që flet qartë për Gjithëpushtetësinë Hyjnore e që, nga ana tjetër, izraelitët i siguronte përsëri se Hyji nuk e kishte braktisur popullin e Vet. Kjo «manë» ishte garancia e dashurisë dhe e përkujdesjes së Hyjit ndaj tyre. Kështu kuptojmë se për ç’arsye mrekullia e shumimit të bukëve nga Jezusi nuk ishte thjesht një gjest që tregonte pushtetin e Tij Hyjnor, por për turmën ishte shumë më shumë se një mrekulli. U dukej sikur koha e përkujdesjes së madhe të Hyjit ndaj popullit të Vet po përsëritej.

Në Jezusin po përsëriteshin gjestet e kohës së artë të Moisiut e të popullit të Izraelit kur po dilnin nga skllavëria e Egjiptit. Mos vallë ky ishte «Profeti» të cilin Moisiu e kishte premtuar se do të vinte pas tij? Mos vallë ky do t’i lironte nga skllavëria e Romës?

Jezusi e vëren se në këtë mrekulli populli ka parë diçka më shumë, e vëren se e kanë kuptuar se kjo mrekulli është një shenjë mesianike, pra një gjest që i lajmëron popullit praninë e Mesisë së premtuar. Prandaj Ai u thotë: «Më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë.»

Këto fjalë të Jezusit nuk duhet t’i kuptojmë si fyese ndaj njerëzve që po rendnin pas Tij. Është e vërtetë se populli shpesh e kuptonte mbrapsht Jezusin, por është e vërtetë edhe se Jezusi nuk i kishte përçmuar kurrë ata. Por, edhe pse i ka pranuar, Jezusi gjithnjë i ka ftuar të shkojnë më thellë në jetën e tyre me Hyjin. Kështu – si një ftesë për të shkuar më thellë – mund të kuptohet edhe fjalia që vijon: «Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’ua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati-Hyj.»

Pra nuk bëjnë keq që tek Jezusi shohin dikë më tepër se një mrekullibërës – që shohin Mesinë e premtuar –, por duhet edhe që, këtë Mesi, ta kuptojnë në mënyrën e duhur. Nuk duhet të presin prej tij «një ushqim që prishet», as mbretëri që kalojnë e stile jete që në fund të fundit nuk janë as e mira e vërtetë e njeriut, por duhet të kërkojnë prej Tij «një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme».

Jezusi i fton që të mos e shohin atë bukë të cilën Ai e kishte shumëzuar, si garanci të pranisë e të dashurisë së Hyjit, sepse një tjetër «bukë» do të jetë garancia e vërtetë e Hyjit për dashurinë e Tij: është fjala për Eukaristinë.

Kjo mrekulli e shumimit të bukëve e ka vendin e saj në mes dy mrekullive të tjera, shumë të largëta në kohë nga njëra-tjetra. Pikësëpari ajo kujton mrekullinë e «manës» e, së dyti, ajo paralajmëron edhe «themelimin e Eukaristisë», e cila është «ushqimi që qëndron për jetën e amshueshme», duke qenë se është prania e vetë Jezusit në mesin tonë.

Prandaj Jezusi u thotë: «Nuk ua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: sepse buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.» Shën Toma i Akuinit, Mësues i Kishës, e shpjegon këtë të vërtetë kështu në himnin e tij të famshëm «Pange lingua», të cilin pjesërisht e këndojmë gjatë çdo adhurimi Eukaristik: «Sakrament, pra, kaq t’madhnuem / le t’adhrojmë me fytyrë për dhe, / edhe dokja e motit të shkuem, / t’ia lëshoj vendin sjelljes së re.»

«Moti i shkuem» nënkupton Besëlidhjen e Vjetër, e cila tani duhet t’ia lëshojë vendin «sjelljes se re», pra Eukaristisë së Shenjtë, Besëlidhjes së Re në Jezu Krishtin. Këtë po u thoshte Jezusi judenjve kur po u paralajmëronte themelimin e Eukaristisë dhe rëndësinë e saj.

Por, siç ndodh shpesh në jetën e Jezusit – por edhe të Kishës së Tij – përsëri keqkuptohen Fjalët e Tij. E keqkuptimi ndodh pikërisht nga fakti se Jezusi dhe bashkëfolësit e Vet kanë dy pikëpamje krejt të ndryshme në mes tyre: Jezusi fliste duke shikuar planin e Atit dhe kriteret e Tij, kurse ata flisnin duke shikuar planet e veta dhe kriteret e tyre vetëm materiale. Prandaj edhe niveli i bisedës bie deri në një kërkesë të këtij lloji: «Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!» Meqë qenka një bukë më e veçantë, “shpejtojnë” që ta marrim prej saj, që kështu të ngihen një herë e mirë.

Shën Gjoni në Ungjillin e vet shpesh na bën ta shohim këtë ndryshim të madh kriteresh mes Jezusit dhe bashkëfolësve të Vet. Një rast tjetër është biseda me samaritanen, e cila, kur Jezusi i fliste për «ujin e gjallë» që Ai mund të jepte e që njeriut mund t’ia shuante etjen për gjithmonë (e kishte fjalën për Hirin e pagëzimit, hir i cili na zhyt në jetën me Hyjin), gruaja kujton se po i fliste për ndonjë ujë të veçantë dhe i thotë: «Më jep edhe mua prej atij uji.»

Por edhe këtu Jezusi ua thotë qartë se për çfarë po flet. U thotë: «Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë, nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.» Eukaristia është ushqimi më i dobishëm e më i domosdoshëm për njeriun. Prandaj nuk duhet ta lëmë pas dore marrjen e kungimit sa herë që të kemi mundësinë. Shën Toma që e cituam më sipër, thoshte: «Eukaristia është përmbledhja e të gjitha mrekullive.» Kjo sepse në Eukaristi është misteri i Vdekjes e i Ngjalljes së vetë Jezusit. Prandaj jemi në gabim shumë të madh kur nuk i afrohemi kësaj Mrekullie që na shëlbon.

Për ta kuptuar këtë mësim të Jezusit, duhet feja. Kriteret tona duhet t’ia lëshojnë vendin kritereve të Jezusit. Edhe në Ungjillin e sotëm njerëzit i thonë Jezusit: «Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji.» Jezusi u përgjigjet, atyre e neve: «Vepra që Hyji kërkon, është kjo: besoni në atë që Ai e dërgoi!» Për të marrë jetë nga kjo «bukë e jetës», duhet të besojmë në Jezusin. Kjo nuk do të thotë që ta kuptojmë misterin e paarritshëm të pranisë së Tij në Eukaristinë e Shenjtë, por që t’i zëmë besë fjalës së Jezusit dhe t’i hapemi veprimit të Tij në Sakramentin e Eukaristisë.

Si pasojë, duhet edhe largimi i përditshëm nga mëkati, nga e keqja, që kështu Hiri i Eukaristisë të mund të veprojë në ne. Prandaj Shën Pali sot na thotë «Duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës, njeriun e vjetër [...] dhe të visheni me njeriun e ri!» Për Shën Palin, të vishemi me njeriun e ri do të thotë të vishemi me Krishtin. Vetë Shën Pali e thotë këtë diku tjetër: «Gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin, me Krishtin jeni veshur.» (Gal 3, 27). Le të vishemi, pra, me Krishtin! Të mbushemi me fjalën e Tij dhe ta pranojmë jetën që vjen nga Jezusi: Ai është vetë «buka e jetës».

Dom Dritan Ndoci

31 korrik 2021, 10:31