Kërko

 Perdono d’Assisi Perdono d’Assisi

Asizi, Sorentino: rifillon tradita e lashtë e “Ndjesës së Asizit”

Në përgatitje të Ndjesës së Porciunkolës, që do të kremtohet më 1-2 gusht, të gjithë banorët e Asizit do të nisën të diel, në orët e para të mëngjesit, nga qendra e Qytetit, deri tek Bazilika e Shën Marisë së Engjëjve “për të qenë të parët në marrjen e Ndjesës, hir i Françeskut, nxjerrë nga Zoti”.

R. SH. - Vatikan

Asisi përgatitet për Ndjesën e Porciunkolës, më 1 e 2 gusht, e ipeshkvi, imzot Domenico Sorrentino, vendosi të rinisë një traditë gati-gati të harruar: “Ndjesën e asizianëve”. Sipas kësaj tradite, më 1 gusht, në orët e para të agimit, asizianët nisen drejt qendrës, deri te Bazilika e Shën Marisë së Engjëjve, “për të qenë të parët që e marrin ‘Ndjesën’, hir që e nxori Françesku nga Zoti, përmes lutjes ngulmuese”.

Të rinisemi nga Porciunkola

Shkruan prelati në Letrën baritore: “Të rinisemi nga Porciunkola, do të thotë të rinisemi nga Ungjilli. E të rinisemi edhe drejt vitit të ri baritor e 800-vjetorit të vdekjes së Françeskut”. Letra, e nënshkruar më 22 korrik, do t’u shpërndahet besimtarëve të dielën e ardhshme. “Të vihesh edhe fizikisht për udhë - shpjegon ipeshkvi i Asizi-Nocera Umbra-Guardo Tadino - na nxit e na inkurajon, ndërsa jetojmë, me të gjithë shoqërinë. Të rinisemi, mendim që të vjen menjëherë, sidomos pas përvojës së hidhur të pandemisë. Vjen e të  nxit të shkosh larg,  për të dalë nga  kjo krizë globale me shumë përmasa.

Shtegtimi fillon që në orën 5.30 nga Kisha Shën Marisë mbi Minerva, e përfundon në orën 7.00 me Meshën, kryesuar nga vetë imzot Sorrentino, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve.

“Rregulla” e Shën Françeskut  

Letra, që prelati ua drejton besimtarëve është ftesë për të reflektuar mbi  atë, që njihet me emrin “Regola non bollata” - “Rregulla e pavulosur” e Françeskut, tekst i propozuar nga i Vobegti i Asizit, në kapitullin e vitit 1221 e edhe mbi 800-vjetorin e vdekjes së tij, që bie më 2026, vit të cilin dioqeza e pret, në bashkëpunim me dioqezat e tjera e me vëllazëritë e ndryshme françeskane”. “Kush e lexon këtë tekst, mbetet i habitur nga fakti se, pjesa kryesore e tij thuret me fragmente ungjillore - shpjegon imzot Sorrentino. “Fjala e Jezusit për Françekun ishte vetë jeta. Ai do Ungjillin. E kjo i mjafton!

Gjithçka është vetëm çka mendon Jezusi, çka ndjen, çka propozon. Kjo, norma e jetës, misioni i tij. Për të Kisha rilind, kur zhytet në Ungjill - e jep shpirt, kur largohet. Nëse duam ta përgatisim si duhet 800-vjetorin e vdekjes së Françeskut - vijon ipeshkvi i Asizi-Nocera Umbra-Guardo Tadino - duhet të nisemi edhe ne nga caku, prej nga u nis Françesku.

Ungjilli, rregull jete!

Shenjti na e dorëzon Krishtin e Ungjillin e tij  si rregull jete: e kjo nuk ka të bëjë vetëm me françeskanët. Ka të bëjë me gjithë Kishën. E, doemos, me secilin prej nesh, që e quajmë veten ndjekës të Zotit. Për prelatin, “kujtimi i Kapitullit të 1221-shit, është ftesë për një përvojë të Kishës,  e cila na duhet më shumë se kurrë. Imzot Sorrentino shton  se “jeta vëllazërore e fretërve duhet të jetë, edhe për popullin asizian, nxitje për ta njohur nga afër e për ta ndjekur shembullin e bashkësisë së parë të krishterë, në të cilën dishepujt e Jezusit ishin “një zemër e vetme e një shpirt i vetëm”.

Ndaj e nxit  Kishën e Asizit për një hov të ri misionar, për ta çuar Krishtin shtëpi në shtëpi, mjedis në mjedis, kudo lind a perëndon jeta. E për t’u dorëzuar të gjithëve, nën  dritën e pashuar të Ungjillit, jo vetëm rizbulimin e martesës e të familjes së themeluar mbi Të, por edhe përvojën e familjeve shpirtërore, ku sivëllezërit e ndihmojnë njëri-tjetrin në rrugën e bashkimit të plotë me Krishtin. Prej këndej, ftesa drejtuar asizianëve për t’u mbledhur në Porciunkola më 1 gusht e për të nisur që aty, atë hov misionar, që e ndjeu  dhe e vuri në jetë Françesku.  E edhe për t’u përgatitur për tetëqind vjetorin e vdekjes së Pajtorit të Italisë, duke menduar nisma të reja përkujtimore e kremtore.

Triditshe, në përgatitje të Ndjesës së mëkateve   

Në përgatitje të Ndjesës së Asizit, nesër, në orën 21.15, nis triditshi me meditimet e imzot Giuseppe Baturit, kryeipeshkëv i Cagliarit dhe zëvendës-kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Më 1 gusht, në orën 11.00, kremtimin eukaristik, që i paraprin hapjes së dy ditëve, do ta kryesojë eprori i sapozgjedhur i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, atë Massimo Fusarelli. Ky kremtim do t’i paraprijë hapjes, në mesditë, të dy ditëve, që do t’u krijojnë besimtarëve, të cilët do të shkojnë në Porciunkola e në të gjitha kishat famullitare françeskane të mbarë botës, mundësinë të fitojnë ndjesën e plotë.

Asizi në festë: me të, të gjitha kishat françeskane

Në orën 19.00 imzot Sorrentino do të kremtojë mbrëmësoret e para,  pas të cilave kyebashkiaku i Asizit do të ofrojë kemin e, në orën 21-30, do të nisë Mbrëmësorja tradicionale e lutjes, e kryesuar sivjet nga atë Filip Betzu, epror  provincial i Fretëve të Vegjël Kapuçinë të Sardenjës.

Më 2 gusht – meshë pas meshe…

Më 2 gusht do të mund të ndiqen meshët njëra pas tjetrës. Në orën 11.30 kardinali Mario Piacenza, kryependestar pranë Gjykatës së Pendestarisë Apostolike, do të kremtojë Meshën solemne: në orën 14.30 do të nisë hyrja në Porciunkola e të rinjve “Rahamim”, “Nën shenjën e mëshirës”. Në orën 19.00, mbrëmësoret e dyta të solemnitetit të Ndjesës, kryesuar nga provinciali i Fretërve të Vegjël të Umbries e Sardenjës, atë Francesco Piloni. Në orën 20, mbrëmësorja e të rinjve.

Ngjarjet kryesore të kësaj feste të madhe e të jashtëzakonshme mund të ndiqen drejtpërdrejtë në WebTV-në e Porciunkolës, përmes App “Frati Assisi” si dhe në kanalet social “Frati Assisi”, Facebook e Youtube.

29 korrik 2021, 17:49