Murgesha në veprim Murgesha në veprim

“Advocacy: të lidhet lokalja me globalen”: uebinari i organizuar nga UISG

Mbahet sot, nga ora 14 deri në orën 16, përmes platformave Zoom (http://bit.ly/3epaQNT) e Youtube, uebinari i organizuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme (UISG), me temë “Advocacy: të lidhet lokalja me globalen”.

R.SH. - Vatikan

Në internet, takohen murgesha, që impenjohen në betejën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, koordinuar përmes rrjetit “Talitha Kum”, një aleancë globale, ku bëjnë pjesë 55 rrjete lokale dhe rajonale, me mbi 3.000 rregulltare dhe bashkëpunëtorë në 90 vende të globit.

Të amplifikohet zëri i murgeshave

“Në të gjithë botën, mbi gjysmë milioni murgesha u përgjigjen nevojave të njerëzve të mënjanuar e të braktisur. Pavarësisht nga përvoja dhe kompetenca, zëri e tyre, shpesh, nuk dëgjohet. Projekti Sisters Advocating Globally (Motrat që këshillojnë globalisht) synon ta amplifikojë zërin e murgeshave në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, duke krijuar një rrjet të fuqishëm aleatësh dhe partnerësh. Udhët e reja mund të gjenden vetëm së bashku, si vëllezër e motra, pa barriera”, komenton motër Patricia Murray, sekretare ekzekutive e UISG.

Relatoret

Në takim flasin: motër Sheila Kinsey, françeskane, bashkë-sekretare ekzekutive e Komisionit të Drejtësisë, Paqes dhe Integritetit të Krijimit (JPIC) të Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme; motër Eilís Coe, nga Motrat australiane të bamirësisë, mësuese e angazhuar në avokim; motër Norma Pimentel, xhuzepine, drejtoreshë ekzekutive e Catholic Charities në Luginën e Rio Grande; motër Angela Reed, nga Murgeshat e Mëshirës, drejtoreshë e Mercy Global Action; motër Donatus Lili, nga Bijat e Zojës së Bamirësisë së Bariut të Mirë, zv.koordinatore e Rregulltareve kundër Trafikimit të qenieve njerëzore. Ka edhe një debat ndërmjet pjesëmarrëseve e, më pas, dëshmia e motër Judith Padasas, karmelitane e Bamirësisë së Vedrunës, anëtare e ekipit koordinues të rrjetit Talitha Kum për Filipinet.

15 korrik 2021, 12:20