XIII Domenica del Tempo Ordinario 'B' - Vangelo XIII Domenica del Tempo Ordinario 'B' - Vangelo

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës: Talitha Kum

Shtëpia e Jairit, që përshkruhet në Ungjillin e së dielës së 13-të të vitit kishtar, është si një anije e tronditur nga stuhia: vajza e tij, fëmija i vetëm, 12 vjeç, s’është më. Njerëzit vajtojnë me ngashërim. Përballë vdekjes, siç tregon shën Marku ungjilltar në kreun 5 (21-43), Jezu Krishti preket e i thotë Jairit të ketë besim në Zotin, ndërsa njerëzve: fëmija nuk ka vdekur, po fle. Vdekja shihet qartë, por dëshmia e vdekjes është iluzion, sepse Zoti i përmbyt rrugët e vdekjes me lumin e tij

R.SH. - Vatikan

Të ndjekim pjesën ungjillore…

Në atë kohë, kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair; e, kur e pa, ra në gjunjë para tij dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” Jezusi shkoi me të. Një grua ishte e sëmurë dymbëdhjetë vjet nga derdhja e gjakut. Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie, ishte edhe më keq. Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.” Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja. Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në midis të turmës e tha: “Kush m’i preku petkat?” Nxënësit e tij i përgjigjën: “Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’!” Ai i rrethoi me sy për të parë atë që e kishte prekur. Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ngjau, u afrua, ra para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!” Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej të shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Vetëm ti beso!” Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Arritën të shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të madh. Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.
Jezusi atëherë i qiti përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. Jezusi u urdhëroi rreptësishtë të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.

Të lutemi së bashku

Çka e mund vdekjen, o Zot

nuk është jeta,

është dashuria.

Ti merr për dore

babain e nënën e vajzës

ata, që e duan më shumë,

duke i lënë jashtë të tjerët

e duke krijuar kështu

një rreth dashurie,

që e mbështjell vogëlushen.

 

Talitha kum! Vajzë, çohu!

Ti, o Zot, hyn brenda vdekjes,

e mposht me praninë tënde

e ne na thua: ja ku jam!

 

Talitha kum! E do të na ngresh të gjithëve

duke na marrë për dore,

duke na tërhequr lart,

duke na nxitur të ecim,

të zgjuar nga gjumi i vdekjes.

 

Mbi çdo krijesë,

mbi çdo lule,

mbi çdo fëmijë,

pas çdo rënieje,

dikohet akoma bekimi

i atyre fjalëve të lashta:

Talitha kum!

Jetë e re, çohu,

gjallo sërish,

rifillo udhën,

vijo të japësh e të marrësh dashuri.

26 qershor 2021, 08:19