“Takim me martirët”: i Lumi dom Dedё Maçaj

Dita e ekzekutimi të dom Dedё Maçaj, 28 marsi 1947, ishte dita e premte para të dielës së Larit që quhej edhe “e premtja e mundimeve”. Kjo nuk është thjesht një koinçidencë, por është një lidhje me “vuajtjen” e nxënësit të ri të Krishtit. Krishtin kishte ndjekur, Krishtit ia kishte falur jetën e vet, si Krishti kishte vuajtur, i gjakosur si Krishti kishte vdekur. Si martir i fesë, ka marrë pjesë në Ngjalljen e Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, e sot nё pjesën e 7-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom dom Dedё Maçaj, meshtar martir. Ishte një meshtar i zgjuar, i vendosur dhe i patundur, me shikim të qetë dhe tërheqës, i kujdesshëm në dëgjim, bujarë nga zemra dhe nga sjellja, i frytshëm në mësim e dёshmi. Dita e ekzekutimi, 28 marsi 1947, ishte dita e premte para të dielës së Larit që quhej edhe “e premtja e mundimeve”. Kjo nuk është thjesht një koinçidencë, por është një lidhje me “vuajtjen” e nxënësit të ri të Krishtit. Krishtin kishte ndjekur, Krishtit ia kishte falur jetën e vet, si Krishti kishte vuajtur, i gjakosur si Krishti kishte vdekur. Si martir i fesë, ka marrë pjesë në Ngjalljen e Krishtit. Po ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona... 

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

I Lumi dom Dedё Maçaj

Don Dedë Maçaj lind në Mal i Jushit më 5 shkurt 1920 dhe një ditë më vonë, me 6 shkurt pagëzohet. Që i vogël dha shenja të forta zgjuarsie dhe famullitari i vendit u kujdes për formimin e tij shkollor. Pasi mbaroi gjimnazin pranë Seminarit Papnor në Shkodër, arqipeshkvi Thaçi e dërgoi në Kolegjin Urbanian në Romë. Në vitin 1939 me rastin e festës së Zojës së Papërlyer bëri premtimin e besnikërisë si seminarist. Nga dëshmitë e kolegjit na paraqitet një djalosh i gjatë dhe i hollë, me shikim të qetë dhe tërheqës, i kujdesshëm në dëgjim, bujarë nga zemra dhe nga sjellja, i frytshëm në mësim. Shugurohet meshtar ditën e shën Jozefit pra me 19 mars 1944 në kolegjin Urban në Romë.

Kthehet në Shqipëri më 1945 që përkon edhe me vitin e parë të rregjimit komunist bolshevik, i cili qysh në ditët e para sulmoi ashpër të gjithë intelektualët, pronarët, Kishën dhe veçanërisht klerin e çdo rendi e grade. Në majin e 1945 emërohet zëvendës famullitar i katedrales së Shkodrës, ku ishte famullitar Dom Mikel Koliqi. Në fund të janarit 1946 emërohet administrator i famullisë së Sheldisë, duke zëvendësuar të Lumin Dom Ndre Zadeja që ishte pushkatuar nga rregjimi në mars 1945. Nga dëshmitë del në pah se ishte një meshtar i zgjuar, i vendosur dhe i patundur. Kusha Cini që e ka njohur personalisht dëshmon: një shenjt në tokë. Kishte një devocion të veçantë për Zojën. Dëshmitari Vasë Toma kujton këtë lutje që ua kishte mësuar dom Deda: O Zojë, ki mëshirë. Lutu për mua në fill të vdekjes dhe ruaje trupin e shpirtin tim përgjithmonë e jetës. Por ndërsa zelli i tij i kënaqte besimtarët, rregjimi e shihte si një rrezik sepse përhapte vlerat e fesë, prandaj duhej hequr qafe.

Kështu i përgatitën një kurth. Edhe pse i kishte mbushur 27 vjeç dhe megjithëse i brishtë nga shëndeti, në javën e parë të janarit 1947 u thirr për shërbimin ushtarak dhe u caktua në rregjimentin 719 në Përmet, nën komandën e nënkolonelit Hito Çako. Atyre që e pyesnin se pse ishte kthyer nga Italia u përgjigje: Gjithçka që bëj, e bëj për vendin tim, për Shqipërinë! Aty në rregjiment e arrestuan në fillim të marsit 1947. U akuzua se kishte folur kundër rregjimit gjatë udhëtimit me anije kur kthehej nga Bari në Shqipëri, në vitn 1945. Vëllait të tij Rrokut, që e kishte këshilluar të bënte gjoja se mohonte fenë për të shpëtuar, i ka thënë se sa të ishte gjallë në këtë tokë nuk do ta mohonte fenë.

Nga infermieria e mbyllën në bodrum, ku kishte qymyr, për 4 ditë, deri një ditë para se ta pushkatonin. Siç kanë dëshmuar disa prej atyre që ishin të pranishëm në gjyqin që iu bë, kjo skenë ngjante me të premten e madhe në Jerusalem. Pa një gjyq të mirëfilltë Dom Deda u dënua me pushkatim nga britmat e disa oficerëve të Partisë që bërtitnin: Plumbin ballit. Këtë “vendim” Dom Deda e priti me shumë qetësi, në heshtje dhe i qetë para gjykatës ushtarake. Toga prej gjashtë ushtarësh, një oficeri me origjinë serbe, dhe një nën-oficeri, zbatoi vendimin në brigjet e lumit Vjosa. Në fillim ra në gjunjë e u lut pastaj papritmas iu drejtua togës duke thënë: Para Zotit, në praninë e të cilit jam duke dalë, para jush, të dashur ushtarë, unë deklaroj se më vrisni pa asnjë arsye, por vetëm për urrejtje ndaj Kishës Katolike. E them këtë, pa urrejtje kundër atyre që do të më pushkatojnë. Rroftë Krishti Mbret. Rroftë Papa. Rroftë Shqipëria!

Ushtarët e togës u prekën nga fjalët e tij, aq sa as një plumb i breshërisë së parë nuk e goditi. Dikush nga rregjimenti klithi: është i pafajshëm, faljani jetën. Por ushtarët komunistë bërtitën: plumbin ballit. Por prapë breshëritë nuk e kapën, vetëm herën e katër e goditën në krah, e ndërsa po binte tha: O Zojë, në duar e tua …! Njëri nga komandantët, që ishte afër, i dha një të shtyrë dhe e rrëzoi përdhe me fytyrë përtokë, pastaj me pistoletë e qëlloi katër herë në kokë. Gac Jaku që ishte i pranishëm, dëshmon: Vdiq i larë në gjak si Krishti dhe nuk e mohoi fenë e vet.

Dita e ekzekutimi, 28 marsi 1947, ishte dita e premte para të dielës së Larit që quhej edhe “e premtja e mundimeve”. Kjo nuk është thjesht një koinçidencë, por është një lidhje me “vuajtjen” e nxënësit të ri të Krishtit. Krishtin kishte ndjekur, Krishtit ia kishte falur jetën e vet, si Krishti kishte vuajtur, i gjakosur si Krishti kishte vdekur. Si martir i fesë, ka marrë pjesë në Ngjalljen e Krishtit. Sheldia krenohet sot me këtë ish famullitar të saj që ishte plot passion për Hyjin dhe për të mirën e popullit të tij. Por me të krenohet e gjithë arkidioqeza e Shkodrës dhe populli besimtar i saj që diti të nxjerrë nga gjiri i vet të rinj si Dom Dedë Maçaj që nuk hezituan të japin jetën për fe e atme të bindur se ku është Mësuesi i tyre aty do të jenë edhe ata.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Dedë Maçaj, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

13 qershor 2021, 09:33