Në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, Kisha lutet për shenjtërimin e klerit

Në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet edhe Dita për shenjtërimin e klerit, themeluar nga Gjon Pali II në vitin 1995. Kjo ditë ka për qëllim që të lutemi për shenjtërimin e klerit dhe që i gjithë populli i Zotit, natyrisht edhe meshtarët, të fitojnë vetëdijen se meshtaria është e pazëvendësueshme. Shëlbimi kalon nëpër meshtarinë, për të arritur tek të gjithë.

R.SH. - Vatikan

Sot më 11 qershor, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet edhe Dita për shenjtërimin e klerit, themeluar nga Gjon Pali II në vitin 1995, kur duke pranuar propozimin e Kongregatës së Vatikanit për Klerin, caktoi datën vjetore të Ditës së Shenjtërimit për Klerin. Që atëherë kjo Ditë kremtohet në solemnitetin e Zemrës së Krishtit ose në ndonjë datë tjetër të rëndësishme, sipas mundësive ose traditave vendase.

Pra, Dita kur kremtohet  festa e Zemrёs sё Krishtit, përkon me Ditën e Shenjtërimit Meshtarak, është një rast për t’u lutur e për t’u bashkuar si meshtarë e, akoma më shumë, për të rizbuluar e për të rigjallëruar dhuratën e meshtarisë. Për këtë flet shumë shpesh Papa, i cili dëshiron barinj shpirtëror me zemrën e Krishtit në kraharor, në shërbim të popullit të Zotit. Kjo ditë ka për qëllim që t'i lutemi Zotit për shenjtërimin e klerit dhe që i gjithë populli i Hyjit, natyrisht edhe meshtarët, të fitojnë vetëdijen se meshtaria është e pazëvendësueshme. Shëlbimi kalon nëpër meshtarinë, për të arritur tek të gjithë.

Domethënia e kësaj dite
Kjo ditë ka për qëllim që të lutemi për shenjtërimin e klerit dhe që i gjithë populli i Zotit, natyrisht edhe klerikët, të fitojnë vetëdijen se meshtaria është e pazëvendësueshme. Shëlbimi kalon nëpër meshtarinë, për të arritur tek të gjitha breznitë e të gjitha kohërave. Domethënia e parë, pra, është të kuptohet se meshtaria nuk është mbistrukturë e Kishës, por strukturë, mbi të cilën ngrihet vetë Kisha, sepse rrezaton dëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit. Qëllimi, pra, është të lutemi për klerin, sepse meshtari, që është një Krisht tjetër në gjirin e shoqërisë, do të duhej të kishte tiparet e Krishtit, e prej këndej, shenjtëria bëhet kërkesë jetike, pa të cilën meshtari nuk mund të kuptohet.

Zemra e Krishtit simboli i dashurisë
Zemra, e dimë të gjithë, është simbol i ndjenjave. Sapo shikojmë zemrën në një pikturë, mendojmë menjëherë për dashurinë, për ndjenjat që e bëjnë të rrahë atë zemër. Zemra e Krishtit është simboli i dashurisë baritore për shpirtrat. Kur e shikojmë Zemrën e Krishtit, na vijnë menjëherë në mendje fjalët: “Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. Atëherë meshtari e ndjen se duhet, se pritet si mik: “Nuk do t’ju quaj më shërbëtorë, por miq” u thotë Jezu Krishti meshtarëve të tij e apostujve të tij; e atëherë meshtari ndjen se e kuptojnë edhe kur është krejt i vetëm, ose kur jeton dramën e moskuptimit, në sa përpiqet të komunikojë vlerat në një shoqëri të shekullarizuar,ku zëri i tij shpesh humbet mes zhurmave. E kjo për meshtarin është shkollë, ku nxë mësimin e dashurisë baritore, për t’u bërë ai vetë strehë e shpirtrave. Edhe vetë pamja e meshtarit, veshja dhe mënyra si mbahet, duhet të jetë një shenjë që i flet besimtarit për qëndrimin e tij atëror, për mikpritjen, mirëkuptimin, për sigurinë se meshtari është strehë për të gjithë e në çdo rrethanë. Sigurisht që shkollë e veçantë është edhe ajo që si meshtar të jesh rrëfyes i mirë, për të mbarështuar mëshirën e pakufishme të Zotit.

Figura e meshtarit që pret sot bashkësia e krishterë
Meshtari që pret bashkësia është, mbi të gjitha, njeri i Zotit. Bashkësia e besimtarëve pret të shikojë në meshtarin figurën e Famullitarit të shenjt të Arsit Gjonit Vianej, apo të Shën Gjon Boskut. Natyrisht secili ka karakterin e vet, por kjo nuk e përjashton, përkundrazi e thellon, kërkesën për të parë në meshtarin vetë Zotin. Kur e pyesnin ndokënd, që kthehej nga takimi me Shën Gjon Vianejn, famullitarin e Arsit: “Ke shkove të shikosh?”, përgjigjej: “Shkova të shikoj Zotin në një njeri”. Pra edhe laikët, kur flitet për meshtarin apo kur duan t’ia hapin zemrën dikujt, kërkojnë pikërisht njeriun e Zotit.

Sfidat kryesore për meshtarët e sotëm
Sigurisht sfidat për të cilat flet shpesh edhe Papa janë të shumta, si sfida e shekullarizimit, e relativizmit, e mendimit të ligsht, e egoizmit që janë shumë të përhapura në shoqërinë bashkëkohore, e pastaj indiferentizmi, mungesa e aftësisë për ta parë realitetin me sy kritik, duke dalluar në të të mirën nga e keqja. Në këto rrethana, meshtari nuk duhet të ecë pas botës, por pas Zotit, duhet të dijë t’i përballojë e t’i shikojë sfidat me syrin e Zotit e të Ungjillit, të dashurisë së tij e me pasion për misionin.

Meshtari shenjt edukon besimtarë të shenjtë
Sa më i shenjt të jetë meshtari, aq më të shenjtë bëhen ata, për të cilët kujdeset shpirtërisht. Kjo flet për shkëmbimin e shenjtërisë. Është një lloj si burimi i ngrohtësisë: në se në një dhomë është i ndezur kaloriferi, ndjehet menjëherë ngrohtësia. Prandaj në këtë Ditë, besimtarët duhet t'i luten Zotit që meshtarët e tyre t’i përngjasin sa më shumë Jezu Krishtit dhe Zemrës së Tij Përdëllyese.

11 qershor 2021, 08:59