2020.06.10 - Corpus Domini - Eucaristia 2020.06.10 - Corpus Domini - Eucaristia

Shenjtorët e javës 6 - 13 qershor

E diel 6 qershor, Kisha katolike kremton të dielën e X gjatë vitit kishtar e po sot në shumë vende të botës kremtohet solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit. Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore që nuk ndirçohet nga feja, që nuk frymëzohet e gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër sakramente.

R.SH. - Vatikan

E diel 6 qershorKisha katolike kremton të dielën e X gjatë vitit kishtar e po sot në shumë vende të botës kremtohet solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit. Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore që nuk ndirçohet nga feja, që nuk frymëzohet e gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër sakramente.

Gjithnjë më 6 qershor, kalendari Kishtar përkujton edhe festën e Shën Norbertit, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i Kanonikëve Rregulltarë Premostratens; e Shenjtërve Artemi e Paolina, martirë dhe Shën Klaudio, abat e ipeshkëv,

Të hënën më 7 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Antonin Maria Gjanelli, ipeshkëv e themelues i Bijave të Marisë. Liturgjia e ditës na kujton se njeriu nuk mund të shikojë në errësirë, se kërkon dritë e, prej këndej, se i krishteri, me shembullin e jetës së tij, është i thirrur të jetë dritë në errësirën e botës, që të gjithë të mund ta shikojnë Jezu Krishtin.

Të martën më 8 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Medardin, ipeshkëv i Nojonit. Liturgjia ditës na kujton se feja dhe tradita janë dy çelësat, pa të cilët nuk mund ta hapim e ta lexojmë mesazhin ungjillor. Jezusi është njeri i ri, por që ecën në gjurmët e traditës së hebrenjve, bijve të besëlidhjes së parë.

Të mërkurën më 9 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Efremin, diakon e doktor i Kishës, e Shën Primon (Prelën) dhe e Shën Feliçianin.  Liturgjia ditës na kujton se nuk është rëndësishme sasia e dhuratave, por cilësia e tyre: në se japim atë që nuk na duhet, ç’shpërblim meritojmë? Por në se dhurojmë me gjithë zemër atë që i duhet tjetrit, atëherë jeta jonë fiton vërtetë kuptim të ri. 

Të enjten më 10 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Landerikun, ipeshkëv i Parisit. Litugjia e ditës na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh e shpërblen gjithçka.
 
Të premten më 11 qershor, Kisha katolike kremton festën e Zemrës së Krishtit. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari e se atij që ecën pas Krishtit, nuk i mungon asgjë. Po më 11 qershor kalendari kishtar përkujton edhe Shën Barnabën, Apostull. 
 
Të shtunë më 11 qershor, Kisha katolike kremton Zemrën e Papërlyer e Zojës së Bekuar. Virgjëra Mari është gruaja që e mëson çdo të krishterë ta ndjekë në heshtje Zotin e ta ruajë në zemër të vet gjithçka Jezusi bën ditë për ditë për të e për të gjithë njerëzit. Po më 11 qershor, kalendari përkujton edhe Shën Leonin III papë dhe Shën Onufrin, vetmitar.

Të dielën e ardhshme më 13 qershor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 11-të gjatë vitit kishtar e gjithnjë më 13 qershor bie festa e Shëna Ndout të Padovës. Kështu, më 13 qershor, në të gjitha vendet antoniane: nga Portugalia, në Padovë, e në trevat shqiptare: në Laç të Sebastes, në Gjakovë, Tuz, Gusi, Binçë, Gllogjan dhe Braticë, do të nderohet Shëna Ndou i Padovës, françeskan e doktor i Kishës. Jeta e tij na kujton se për të qenë i krishterë i vërtetë, nuk mjafton t’i pranosh urdhërimet e Tënzot; duhet t’i jetosh ditë për ditë, i frymëzuar nga Shpirti i jetës.

06 qershor 2021, 09:50