Muzeu i Shëna Ndout në Padovë Muzeu i Shëna Ndout në Padovë 

Shëna Ndou, prej njëqind vjetësh, Pajtor i Rojtarisë së Tokës Shenjte

Ndërsa afrohet festa e Shëna Ndout, kujtojmë se Shenjti i Mrekullive prej njëqind vjetësh nderohet si Pajtor i Rojtarisë së Tokës Shenjte. E ky nderim ka një histori më vete!

R. SH. - Vatikan

Nëse dëshiron ta njohësh hollë Shenjtin e Mrekullive, duhet të shfletosh qindra faqe me ngjarje historike, rrëfime mrekullish, anekdota, lutje…. Një pus me dije, kushtuar Kishës e françeskanëve, posaçërisht Rojtarëve të Jeruzalemit, që kur Shën Françesku pati shkelur në këto Toka të Shenjtëruara nga gjaku i Krishtit, për të lënë pas, Roje, sivëllezërit. E pikërisht këta e zgjodhën Pajtor Shën Andoun, festën e të cilit e kremtojnë me një triditshe: cikël ritesh e lutjesh, për të kërkuar hire të veçanta. Ia besojnë kërkesat e tyre këtij frati françeskan me origjinë portugeze, vdekur në Padovë në vitin 1231. Sepse shumë i nderuar nga besimtarët si mrekullibërës.  Në shekuj…

Toka Shenjte në luftë me të pushtetshmit 

Jemi në vitet ’20 të shekullit XX. Bota  sapo ka dalë nga Lufta I Botërore, që nuk i kurseu as fretërit e Jeruzalemit. Rojtarisë së Tokës Shenjte iu desh t’i bëjë hesapet me politikën dhe me vendimet e njerëzve të pushtetshëm, që luajnë gjithnjë me fatet e njerëzve të thjeshtë.

Kur pati nisur Lufta I Botërore ndërmjet Gjermanisë, aleate me Turqinë kundër Francës, Anglisë, Rusisë e Polonisë, Rojtaria e Tokës Shenjte kishte në gjirin e vet fretër të të gjitha këtyre kombësive. Në vitin 1914, gjëja e parë që bënë gjermanët dhe aleatët e tyre, turqit, ishte dëbimi i fretërve me kombësi armike. Të parët që u nisën, qenë francezët. Menjëherë pas tyre, edhe anglezët e polakët. Kuvendet nisën të boshatisen. Kur u erdhi ora për t’u nisur edhe italianëve, ata iu lutën Provanisë Hyjnore të mos lejonte të mbylleshin kuvendet e të dëboheshin rojtarët e kësaj toke. Kremtuan një triditshe lutjesh, po nuk dinin cilit shenjt t’i kërkonin ndihmë…

Beteja me karkalecat…

Më 1915 një ngjarje tjetër e keqësoi më tej situatën, që edhe kështu ishte e padurueshme. Luftës, mjerimit, dëbimeve, iu shtua edhe një sulm i paparë  karkalecash, që u dukën në të gjithë Lindjen e Mesme. Qeveria i detyroi të gjithë qytetarët të zinin ditë për ditë një sasi të caktuar karkalecash. Në rast të kundërt, do të gjobiteshin rëndë. Iu desh edhe fretërve të vraponin pas karkalecave, derisa nisën t’i ndihmojnë besimtarët, duke u dhuruar një pjesë të karkalecave të mbledhur, për t’ua dorëzuar  zyrtarëve turq. Përndryshe i priste dëbimi i menjëhershëm.

Në vend të karkalecave, erdhën pastaj anglezët, që i hodhën zjarrit benzinë me deklaratën Balfour të 1917-të: deklarata e famshme fliste për krijimin në Tokën Shenjte të një vatre kombëtare për hebrenjtë. Situata ishte tejet e nderë që me arritjen e migrantëve hebrenj në fund të shekullit XIX. Dokumenti zyrtar e keqësoi më tej. Me arritjen e gjeneralit Allenby dhe nisjen e mandatit britanik, tensionet ndërmjet arabëve dhe hebrenjve u bënë të padurueshme.

Në kërkim të prijësit, për ta përballuar situatën  

Kur i duhej ta kapërcente këtë situatë të ndërlikuar, Rojtaria ishte pa krye, sepse Rojtari, Atë Serafino Cimino, qe zgjedhur Gjeneral i Urdhërit. Sipas rregullave, këtë vend e zuri atë Eutimio Castellano, zëvendësi i tij. Ishte ai që shpalli triditshin për nder të Shëna Ndout, në pranverë e në tetor të vitit 1917, kur nisi përsëri kërcënimi për dëbimin e fretërve italianë e ata ishin gati për t’u nisur, me valixhe e çanta në dorë e me lot në sy. Kur, papritmas, ia behu guvernatori turk me rojet e veta e me lajmin e gëzuar: fretërit mund të rrinin! Shëna Ndou e kishte dëgjuar përsëri lutjen e tyre, e asnjë frat nuk u largua nga Toka Shenjte. Gjë që nuk ndodhi për bashkësitë e tjera të krishtera, që i humbën përfaqësuesit; patriarkët latinë, ortodoks e armen u dëbuan. Ndërkaq guvernatori turk, si të donte të tallej me fretërit, kërkoi një copë zhguni, bëri me të një petk të ngjashëm me atë të fretërve e nisi të sillej i veshur me të nëpër Jeruzalem.

Kur mori fund lufta, në Kuvendin e Shën Shëlbuesit, përballë shtatores së Shëna Ndout, më 13 qershor 1920, u shqiptuan me emocion të thellë  fjalët e falënderimit gjatë një kremtimi solemn e Shenjti i Mrekullive u zgjodh zyrtarisht Pajtor. Që aso kohe në të gjitha Kishat e Tokës Shenjte kremtohet një triditësh, kushtuar Pajtorit mrekullibërës. Aq më tepër këto ditë, kur Toka Shenjte ka aq shumë nevojë për mrekulli!

07 qershor 2021, 14:05