Nënë Tereza me Papën Gjon Pali II Nënë Tereza me Papën Gjon Pali II 

Një orë mësimi për dashurinë, nga Nënë Tereza

Ndërmjet një mori mësimesh, që vijon të na japë çdo ditë Nënë Tereza, zgjodhën një, që përkon përsosurisht me faqen e sotme ungjillore, komentuar nga Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Na kujton se buzëqeshja lind buzëqeshjen; dashuria, dashurinë; jeta, jetën…

R. SH. - Vatikan

“Një herë shkova për vizitë në një strehë për pleqtë, një nga më të mirat në Angli, ku punonin edhe motrat tona.

Në këtë shtëpi jetonte një numër i kufizuar të moshuarish.

Nuk kam parë kurrë në jetën time sende aq të bukura, sa pashë në atë vend. Aroma, vepra arti, lule, libra… atyre njerëzve dukej se nuk u  mungonte asgjë.. Dukej…

Ishin rrethuar nga të mirat. Megjithatë, mua m’u duk se diçka mungonte… Diçka tepër e rëndësishme, stolia më e çmuar në jetën e njeriut. Në fytyrat e njerëzve, të cilët i kalonin ditët e fundit të jetës në atë seli luksoze, nuk pashë as hijen e buzëqeshjes.

Rrinin të gjithë pa lëvizur, me sytë e ngulur tek porta.

E pyeta motrën, që drejtonte punën në këtë banesë:

“Motër, pse janë kaq të trishtuar këta njerëz, të cilëve nuk u mungon asgjë? Pse nuk shikoj asnjë duke vënë sadopak buzën në gaz?

(Ju kujtoj se unë jam mësuar të shikoj rreth vetes fytyra të qeshura: e kjo, sepse besoj, e madje jam e bindur se buzëqeshja lind buzëqeshjen, ashtu si dashuria, dashurinë).

Motra më dha këtë përgjigje:

‘Kështu ndodh ditë për ditë. Presin gjithnjë, me shpresë që ndokush të kujtohet se nuk kanë vdekur akoma e të vijë t’i takojë. Vetmia ua bren e ua grin shpirtin. E vijojnë t’i mbajnë sytë të mbërthyer tek porta, duke harruar gjithçka i rrethon’.

Ç’varfëri e tmerrshme është mungesa e dashurisë. Ç’mjerim, kur e ndjen se nuk të do askush, se askush nuk kujtohet për ty, nuk e di ku je e nuk vjen kurrë të të thotë një fjalë të mirë!

Para ca kohe, një grup i madh profesorësh nga SHBA-së, erdhi për të vizituar shtëpinë tonë në Kalkutë.

Para se të shkonin, më thanë:

 “Na jep një këshillë, që të na ndihmojë për t’u bërë më të mirë!”.

U thashë:

“Buzëqeshini njëri-tjetrit” (kam përshtypjen se sot njerëzve nuk u mbetet kohë as për një buzëqeshje).

Njëri prej tyre vërejti:

“Nënë Terezë, shihet qartë se ju nuk jeni e martuar”.

Iu përgjigja:

“Përkundrazi, jam, e ju siguroj se nganjëherë e kam të vështirë t’i buzëqesh Jezusit, sepse kërkon shumë nga unë”.

27 qershor 2021, 13:37