2021.02.23 Musei Sant'Antonio a Padova 2021.02.23 Musei Sant'Antonio a Padova 

Mrekullitë e Shëna Ndout: “Zemra e koprracit” dhe “Kthesa e Ezzelinos”.

Në prag të festës së Shëna Ndout, po kujtojmë tetë mrekullitë e Shenjtit Mrekullibërës, duke nisur nga mrekullia e mushkës – për të përfunduar tek mrekullia e kthimit të Shenjtit në Shenjtëroren e tij të Laçit. Sot “Zemra e koprracit” dhe “Kthesa e Ezzelinos”.

R. SH. - Vatikan

Zemra e koprracit

Në një lokalitet të Toskanës po kremtohej me solemnitet funerali i një burri shume të pasur. I pranishëm edhe Antoni që, i tronditur nga një frymëzim i beftë, nisi të bërtasë e të thotë se i vdekuri nuk duhej varrosur në vend të bekuar, sepse kufoma ishte pa zemër. Të pranishmit mbetën me gojë hapur e nisën një diskutim të zjarrtë, aq sa u kthye morti në mbledhje. Së fundi u thirrën edhe mjekët. Ata hapën kafazin e kraharorit të njeriut të vdekur e... panë se ishte pa zemër. Zemra, që mungonte në kraharor, u gjet në kasafortë, ku burri ruante paratë!

Kthesa e Ezzelinos

Sh’na Ndou njihet si mbrojtës i madh i të varfërve. Gjithnjë e kudo mori guximin t’i sfidojë ballë për ballë shtypësit. Mjafton të tregojmë takimin me famkeqin Ezzelino  da Romano. Kur mori vesh se tirani i Veronës kishte bërë një masakër të vërtetë, shkoi ta takonte e i drejtoi fjalë tejet të ashpra: “O armik i Zotit, tiran i pamëshirë, qen i tërbuar, e deri kur do të vazhdosh të derdhësh gjakun e pafajshëm të të krishterëve? Mos harro se të varet mbi krye dënimi i Zotit, tejet i tmerrshëm”.

Të pranishmit shtangën. Po reagimi i Ezzelinos qe krejt i papritur: në vend që ta zhdukte Fratin françeskan nga faqja e dheut, u dha urdhër rojeve ta largonin pa e çikur fare. E nësa Shenjti po largohej, shtoi: “Mos u çuditni, nëse po sillem kështu me të. E bëra këtë mbasi pashë një lloj vezullimi hyjnor që dilte nga sytë e tij e që më tmerroi aq,  sa m’u duk se pashë vetë ferrin, duke m’u hapur nën këmbë e edhe veten, duke u rrokullisur në gropën e zjarrtë”.

10 qershor 2021, 09:01