Mianmar: ushtarakët sulmojnë kishën e Zojës së Paqes

Dje, në Mianmar, ushtarakët sulmuan kishën e Zojës së Paqes, në famullinë e Dongankha (Loikaw). Është hera e gjashtë, që ata vënë në shënjestër një vend kulti katolik, pasi morën pushtetin me puç në shkurt të këtij viti

R.SH. - Vatikan

Një vend kulti katolik u godit sërish në Mianmar. Dje, kisha e Zojës së Paqes në famullinë Dongankha të dioqezës Loikaw në shtetin Kayah, u sulmua qëllimisht nga junta ushtarake birmane dhe u dëmtua rëndë. Megjithëse nuk pati të plagosur, ose viktima, disa shtëpi aty afër u dëmtuan e u dogjën, nga dhjetëra bombardime artilerie pa kriter, që filluan herët në mëngjes.

Burime lokale nga dioqeza e Loikaw njoftuan për këtë agjencinë katolike të lajmeve SIR. Pranë kishës, ka një shtëpi pensioni për murgeshat e moshuara, bashkë me të cilat janë strehuar rreth 150 vetë të tjerë nga fshati Dongankha. Aty jeton edhe famullitari. “Vetëm ato kanë mbetur në territorin e famullisë”, shkruan meshtari. “Nuk ka më njeri. Të gjithë janë larguar. Çdo ditë, njerëzit ikin në vende më të sigurta, duke lënë pas gjithçka, edhe shtëpitë e tyre, megjithëse asnjë vend nuk është më i sigurt, që nga çasti kur shteti Kayah u kthye në zonë lufte”. Si pasojë, 7 famulli të dioqezës së Loikaw (Deemoso, Dongankha, Tananukwe, Donganrao, Domyalay, Kayantharya dhe Loilemlay) janë krejtësisht të braktisura.

6 sulme në dy javë

Famullia Dongankha është e madhe në numër. Në të bëjnë pjesë rreth 812 familje katolike, që arrijnë deri në 4.640 vetë, të shërbyer nga 3 meshtarë, 2 rregulltarë, 4 murgesha, 1 katekist dhe 15 Kyaungdaka (ndihmës të përhershëm). Në një hark kohor prej dy javësh, ushtarakët i kanë vënë 6 herë në shënjestër kishat katolike të Mianmarit. Janë sulmuar kisha e Zemrës së Krishtit në fshatin South Kayanthayar, bombarduar me artileri, që shkatërroi krahun e saj të majtë, duke shkaktuar 4 viktima dhe shumë të plagosur; katedralja e Zemrës së Krishtit në dioqezën e Phekhon; kisha katolike e Shën Jozefit në famullinë e Deemoso; kisha e Zojës së Lurdës në famullinë e Domyalay; një kishë e re, e cila ende nuk është bekuar; dhe së fundi, është bastisur seminari i madh i ndërmjetëm (ku gjenden 1.300 vetë), në të cilin u vra një vullnetar.

Thirrje ushtarakëve të mos i sulmojnë kishat

“U kemi bërë thirrje ushtarakëve të mos i sulmojnë kishat, sepse aty strehohen shumë njerëz, sidomos më të pambrojturit”, pohon atë Francis. “Por më kot. Një nga arsyet, për të cilat ata po sulmojnë Kishën Katolike është se, duke bashkëpunuar me shumë donatorë, Kisha Katolike po ndihmon më se një të tretën e krejt popullsisë së shtetit Kayah prej 300.000 banorësh, të cilët janë detyruar të shpërngulen me forcë, për shkak të sulmeve të regjimit ushtarak. Një arsye tjetër është se ushtarakët nuk kanë më zemër njerëzore”.

07 qershor 2021, 11:10