Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit

Më 24 qershor, kalendari kishtar kremton Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit

Historinë e lindjes së Gjon Pagëzuesit e dëshmon Ungjilli. Elizabeta, tashmë në moshë, mendohej se ishte shterpë. Por një ditë, kryeengjëlli Gabriel i njoftoi lindjen e një djali, burrit të saj Zakarisë e i tha edhe ta quajë pikërisht Gjon, duke e paralajmëruar se ai do të ishte i madh në sytë e Zotit

R.SH. - Vatikan

Menjëherë pas prindërve – Shën Zakaria dhe Shën Elizabeta – kalendari kishtar përkujton, më 24 qershor, Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit. Thirrja profetike e tij karakterizohet nga ngjarje të jashtëzakonshme, që kur ishte në barkun e nënës. Ungjilli sipas Lukës (1,39-45) tregon se nëna e tij Elizabeta, ndërsa ishte shtatzënë, vizitohet nga Maria, që priste të lindte Jezusin e, Gjoni, sapo ia dëgjoi zërin, hovi në bark, si për të përshëndetur Birin e Zotit. Historinë e lindjes së Gjon Pagëzuesit e dëshmon Ungjilli. Elizabeta, tashmë në moshë, mendohej se ishte shterpë. Por një ditë, kryeengjëlli Gabriel i njoftoi lindjen e një djali, burrit të saj Zakarisë e i tha edhe ta quajë pikërisht Gjon, duke e paralajmëruar se ai do të ishte i madh në sytë e Zotit. E vërtet, ai pagëzonte me ujë, duke i hapur udhën Jezu Krishtit, që sipas fjalëve të Gjonit, do të pagëzonte me Shpirtin Shenjt. Vetë Mesia i kërkoi ta pagëzonte, megjithëse shën Gjon Pagëzuesi e konsideronte veten të padenjë edhe për t’ia zgjidhur sandalet.

         Shenjti e donte fort të vërtetën, e cila do ta çonte drejt vdekjes. Në fakt, iu pre koka në burg, për shkak të Herodiadës, së cilës i kujtoi se nuk mund të shkonte në shtrat me Herodin mbret, ndërsa ishte e martuar me të vëllanë e tij. Ngjarjet, që pasuan, janë tashmë histori e paraqitur shpesh në artet e çdo lloji. Vajza e Herodiades, Salomeja, kërceu si lozonjare para mbretit dhe i kërkoi si shpërblim kokën e shën Gjon Pagëzuesit. Shenjti, që thoshte se pushteti i Jezu Krishtit duhej të rritej, ndërsa i veti të pakësohej, kreu kështu misionin e vet mbi tokë.

24 qershor 2021, 08:56