Turneu i Volejbollit për vajza në Pukë - dioqeza e Sapës Turneu i Volejbollit për vajza në Pukë - dioqeza e Sapës

Dioqeza e Sapës: edukimi dhe argëtimi i rinjve pёrmes sportit

Rifillon jeta dhe veprimtaritë kishtare në çastin kur shqiptarët dalin disi nga dara e Covid-19, si për shkak të verës, ashtu edhe për shkak të imunizimit të një pjese të madhe të popullsisë. Edhe dioqeza e Sapës fillon me një veprimtari sportive për njerëzit, që kanë nevojë të shihen e të qëndrojnë sërish së bashku. Të shtunën, në famullinë e Zojës së Papërlyer në Pukë, u organizua Turneu i Volejbollit për Vajzat, në praninë e ipeshkvit, imzot Simon Kulli

R.SH. - Vatikan

Si për të gjithë, edhe për dioqezën e Sapës, jeta gjatë pandemisë së koronavirusit pësoi ndryshime rrënjësore, me njerëzit të detyruar të mbyllen nëpër shtëpi e me kremtimet në internet. Tani që dara e Covid-19 duket sikur është liruar disi, veprimtaritë kanë filluar sërish. Kështu, Karitasi i Sapës organizoi të shtunën, që sapo kaloi, Turneun e Volejbollit për Vajzat, në famullinë “Zoja e Papërlyer” – Pukë. Morën pjesë 8 skuadra të famullive të dioqezës, në praninë e ipeshkvit të Sapës, imzot Simon Kullit, që i përshëndeti përzemërsisht, si edhe të meshtarëve e të murgeshave. Më hollësisht na njofton bashkëpunëtorja jonë, Violeta Marashi…

Dëgjo Violeta Marashin...

TURNEU I VOLEJBOLLIT PËR VAJZA

Pas më shumë se një vit ndërprerje për shkak të pandemisë Botërore të Covid 19, Caritas Dioqezan Sapa rimerr aktivitetet social-kulturore sipas projekteve të planifikuara nga ky institucion.

Aktiviteti i radhës ishte organizimi i Turneut të Volejbollit për Vajzat, zhvilluar këtë të shtunë në famullinë “Zoja e Papërlyer” – Pukë. Me pjesëmarrjen e 8 skuadrave të famullive të Dioqezës së Sapës, të shoqëruar nga meshtarët dhe motrat, u ndeshën me njëra-tjetrën, duke organizuar setet e lojës sipas shortit të hedhur dhe nën monitorimin e albitrave profesionistë.

Në hapjen e kampionatit, ipeshkvi i Sapës Imzot Simon Kulli, ju uroj mirëseardhjen të gjithëve, falenderoj Zotin në radhë të parë që pas gjithë muajve të vështirë të pandemisë, më në fund jemi së bashku, e po së bashku të vazhdojmë edukimin dhe argëtimin nëpërmjet sportit dhe kulturës. Janë këto aktiviteti tha ai, që na bëjnë të gëzojmë me njëri-tjetrin, të dimë ti duam dhe ti promovojmë vlerat e jetës kudo që të jemi, në familje dhe në shoqëri.

Së bashku me trajnerët e tyre, skuadrat pjesëmarrëse gjatë zhvillimit të lojës, luajtën me mjaft profesionalizëm duke shpalosur talentin dhe pasionin për këtë sport mjaft të dashur për të gjithë.

Me mbikqyrjen dhe kujdesin e grupit të vullnetarëve të Caritasit, i gjithë aktiviteti kishte larmishmëri, jo vetëm për nga ana e lojës, por edhe të rekreacionit, të argëtimit dhe të ofrimit të drekës nga ana e Caritas Sapa.

E kështu pasi skuadrat u ndeshën duke skualifikuar njëra-tjetrën, erdhi edhe momenti i  finales, ku u përballen skuadra e famullisë Pukë me skuadrën e famullisë Shelqet. Pas lojës së organizuar në tre sete, u shpall dhe skuadra fituese e cila ishte famullia Pukë.

Të shoqëruar nga entuziazmi dhe gëzimi i fitores, vajzat fituese patën kënaqësinë ta marrin kupën nga Imzot Simoni, i cili i  përgëzoi këto fituese dhe i inkurajoi edhe skuadrat e tjera që të jenë shembull dhe dëshmi e shumë të rinjëve e të rejave, duke ndjekur rrugën e të mirës dhe të  pozitivitetit që të ofrojnë aktivitete të tilla.

 

Violeta Marashi

21 qershor 2021, 15:13