Papa, gjatë udhëtimit apostolik në Irak Papa, gjatë udhëtimit apostolik në Irak

Irak, më 27 qershor, meshë për paqen në Lindjen e Mesme

Patriarkati kaldeas cakton një meshë të veçantë për paqen në Lindjen e Mesme. Do të kremtohet në çdo dioqezë

R.SH. - Vatikan

Më 27 qershor, çdo ipeshkëv i Patriarkatit Kaldeas do të kremtojë, në dioqezën e tij, një meshë të veçantë për paqen në Lindjen e Mesme, duke iu përgjigjur thirrjes së dalë nga takimi mujor i episkopatit irakian, që u mbajt më 10 qershor në Erbil.

Gjatë kremtimit, krerët e krishterë do t’ia besojnë rajonin Familjes Shenjte të Nazaretit, lexohet në notën e Patriarkatit Kaldeas. Në mbledhjen e ipeshkvijve - një nga takimet e para, mbajtur jo përmes internetit – morën pjesë imzot Basilio Yaldo dhe imzot Shlemon Warduni, ndihmës-ipeshkvinj të Bagdadit; kryeipeshkvi i Erbilit, imzot Bashar Varda, si edhe kryeipeshkvi i Mosulit, imzot Najeeb Mikhael.

Asambleja reflektoi edhe mbi frytet e udhëtimit të fundit të Papës, pas të cilit 200 të rinj morën Kungimin e parë në Bagdad. Kardinali Raffael Sako, patriarku i Babilonisë së Kaldeasve, u kërkoi ipeshkvijve të kujdesen për meshtarët dhe rregulltarët, duke u theksuar të mos ndërhyjnë e të mos shprehin mbështetje publike për fraksione ose parti, që marrim pjesë në zgjedhjet e tetorit në Irak. Në kisha dhe në vende të ndryshme të kultit nuk duhet bërë propagandë zgjedhore. Sinodi i ardhshëm kaldeas do të mbahet në Bagdad, nga 9 deri më 14 gusht 2021, i paraprirë nga ushtrimet shpirtërore për prelatët dhe meshtarët në seminarin e Ankawa-s (Erbil), nga 19 deri më 23 korrik. Tema e Sinodit: “Përshpirtëria në kremtimin e liturgjisë së sakramenteve”. Së shpejti, do të organizohet edhe një takim i madh i Rinisë Kaldease, për të cilin është formuar një komitet i kryesuar nga imzot Basil Yaldo.

18 qershor 2021, 12:07