XI Domenica del Tempo Ordinario 'B' - Vangelo della domenica XI Domenica del Tempo Ordinario 'B' - Vangelo della domenica

Fjala e Zotit e dielës së 11-të gjatë vitit ‘B’

Madhështia e dashurisë së Zotit, e cila e shndërron atë, që duket pa vlerë, ёshtё në qendër të Fjalës së Zotit tё kёsaj sё diele tё 11-tё gjatё vitit kishtar ‘B’. Mbretëria e Hyjit, ndonëse kërkon bashkëpunimin tonë, është, mbi të gjitha, dhuratë e Zotit. E kjo duket qartë nga kontrasti ndërmjet vogëlsisë së farës e madhësisë së asaj, që prodhon. Prej këndej, na drejtohet ftesa për ta provuar këtë mrekulli të Zotit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e dieles se 11-te gjate vitit kishtar 'B'

Madhështia e dashurisë së Zotit, e cila e shndërron atë, që duket pa vlerë, ёshtё në qendër të Fjalës së Zotit tё kёsaj sё diele tё 11-tё gjatё vitit kishtar ‘B’. Ligështia është forca e farës, nënvizon shëmbëlltyra e Jezusit, nё Ungjillin e Markut (Mk 4,26-34) kushtuar farëve të tokës. Fara, që rritet edhe pse fshatari fle dhe fara e senapit, më e vogla nga të gjitha, janë metaforë e Mbretërisë së Zotit. Realitet tepër i vogël, po ta shikojmë me sy njerëzor, i përbërë nga ata, që janë të varfër në zemër, ata, që nuk besojnë në forcat e veta, por në dashurinë e Zotit; ata, që nuk kanë pikë rëndësie para syve të botës, e megjithatë, pikërisht përmes tyre vërshon forca e Krishtit, për të shndërruar çka duket krejt pa vlerë.

Mbretëria e Hyjit, ndonëse kërkon bashkëpunimin tonë, është, mbi të gjitha, dhuratë e Zotit. E kjo duket qartë nga kontrasti ndërmjet vogëlsisë së farës e madhësisë së asaj, që prodhon. Prej këndej, na drejtohet ftesa për ta provuar këtë mrekulli të Zotit. Forca jonë e vogël, në dukje krejt e pafuqi përballë problemeve të jetёs dhe tё botës, po të depërtojë në atë të Zotit, nuk trembet nga pengesat, sepse e sigurt është fitorja e Zotit. Mrekullia e dashurisë së Zotit e bën të mbijë e të rritet çdo farë të së mirës, të hedhur në tokë.

Koha e sotme është kohë mbjelljesh, ndërsa rritjen e bimës e siguron vetë Zoti. Është ai Zotëria i Mbretërisë, njeriu është vetëm bashkëpunëtori i Tij i përvuajtur, që kundron veprimin hyjnor, gëzohet e pret me durim pjekjen e frytit. Korrja e fundit na bën të mendojmë për ndërhyrjen përfundimtare të Hyjit në mbarimin e kohëve, kur Ai do ta realizojë plotësisht Mbretërinë e Vet.

Fara e senapit, ndonëse tejet e vogël, është plot me jetë. Nga copëzimi i saj lind një bimë, që çan brazdën e del në dritën e diellit, rritet e bëhet më e madhe nga të gjitha bimët e kopshtit. Çdo i krishterë, atëhere, e di mirë se duhet të bëjë gjithçka mundet, por se rezultati përfundimtar varet nga vetë Zoti; kjo vetëdije e ndihmon në mundimin e përditshëm, posaçërisht në situata të vështira. Në situata të tilla, shkruan Shën Injaci i Lojolës, ‘Vepro sikur gjithçka të varej prej teje, duke e ditur se në fund të fundit gjithçka varet prej Zotit’.

                                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Ez 17, 22-24

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti Hyj: “Edhe unë do ta marr prej majës së cedrit të madh prej majës së gemave të tij do ta këpus një gemëz e do ta mbjell mbi një mal të lartë e të madhërish+-+ëm. Do ta mbjell në mal të lartë të Izraelit: do të shpërthejë në pinjollë e do të bëjë fruta: cedër do të jetë i madhërueshëm. Nën të do të banojnë të gjithë shpendët, çdo shpend nën hijen e gemave të tij çerdhën do ta bëjë. Të gjitha lëndët e fushës do ta dinë se unë jam Zoti që e zvogëlon lëndën e madhe dhe e lartëson të voglën, e thaj lëndën e njomë dhe e bëj të bulëzojë të thatën. Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Psalmi 91,2-3;13-14;15-16
Bëj të rritet në ne, o Zot, fara e fjalës sate

Është punë e mirë të shpallim dashurinë
në mëngjes e gjatë natës besnikërinë tënde,
se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,
kënaqem për veprat e duarve të tua.

I drejti lulëzon si palma,
rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në shtëpinë e Jakobit
lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

Japin fruta edhe në pleqëri,
janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë:
Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta

Leximi i dytë 2 Kor 5,6-10

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri sa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti. Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tone, qoftë edhe duke e lëshuar atë, sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija.
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja, Aleluja
Hape, o Zot, zemrën tone, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.
Aleluja

Ungjilli Mk 4, 26-34

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. Si të flejë si të rrijë zgjuar, natë e ditë, fara mbin, rritet, pa ditur ai sesi. Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcellin, pastaj kallirin, e në fund kallirin plot kokrra. E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.” Dhe thoshte: “Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit?Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet: lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.” Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Lutu me Ungjillin
O Zot Jezus, akoma sot ti je Mbjellësi i mirë që hedh farën e Fjalës në zemrat tona. Toka jonë kërkon farën tënde për të prodhuar jetë e për të sjellë fryte. Hape zemrën tonë për të pranuar Mbretërinë tënde, që ke mbjellë falas e rritet në mënyrë të mistershme, përtej forcave dhe meritave tona. “Ardhtë Mbretëria jote, o Zot”, në mes të zhgënjimeve dhe humbjeve tona, që të rritet në ne shpresa që e gjitha është vepër e hirit tënd. Mbretëria jote nuk varet nga fuqia e pasuria e njeriut, por vetëm nga Ti, që je Hyji. Na jep durimin të mos pretendojmë për të marrë menjëherë frytet, e përvujtërinë për të bërë me bujari punën tonë pa marrë meritat e asgjëje.

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XI GJATË VITIT 'B': MBRETËRIA E HYJIT ËSHTË PORSI KUR NJERIU QET FARËN NË DHE.

(Ez 17, 22-24; Ps 92 (91); 2 Kor 5, 6-10; Mk 4, 26-34)

Në biografinë e Shën Injacit të Lojolës, Shenjtit që në shekullin XVI themeloi në Spanjë «Shoqërinë e Jezusit» (Jezuitët), kur ai ende kishte vetëm dhjetë sivëllezër rreth vetes, thuhet se Mbreti i Portugalisë i kërkoi katër prej tyre që të niseshin për të ungjillizuar Indinë e largët. Shën Injaci, që e pranoi kërkesën, i ishte përgjigjur mbretit me këto fjalë: «Nëse ju po më kërkoni katër prej tyre, mua atëherë do të më mbeten vetëm gjashtë për pjesën tjetër të botës.» Rrethanat do të silleshin në atë mënyrë, saqë do të ishte vetëm një prej tyre ai që do të nisej për Indi, Shën Françesk Saveri, por kjo përgjigje e Shën Injacit na bën të kuptojmë bindjen e tij se «Shoqëria» të cilën ai e kishte themeluar, do të ishte e aftë të ungjillizonte mbarë botën.

E në fakt, kishin kaluar vetëm 16 vjet nga kjo ndodhí dhe, pak para se Shën Injaci të vdiste, «Shoqëria e Jezusit» do të numëronte 11 provinca e rreth 60 kolegje në pothuajse të gjitha kontinentet e botës. Sot janë shumë më shumë e janë në të gjitha kontinentet.

Shenjtërit, që i janë hapur thirrjes së Zotit, ishin të bindur për forcën e madhe e të pandalshme që ka Fjala Hyjnore kur mirëpritet me fe.

Por kjo bindje e tyre e ka themelin e në vetë bindjen e Jezusit: «Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. Si të flejë, si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet – pa e ditur ai se si... E, posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.»

Termi «Mbretëri e Hyjit» nënkupton pikësëpari vetë Jezusin, por edhe Kishën, Trupin e Tij mistik. Prandaj Jezusi flet për diçka që është gjithnjë në rritje drejt një pjekurie të plotë. Nuk është fjala as për lumturinë e Parrizit, sepse atje do të jetë koha e pjekjes së frytit e jo koha e rritjes. Është fjala për bashkësinë e krishterë që e fillon qysh në këtë jetë bashkimin me Zotin.

Këto të Jezusit janë fjalë plot shpresë, sepse duan të na ndihmojnë të kuptojmë se sa forcë të madhe ka Hiri Hyjnor kur hyn në jetën e dikujt. Është një forcë më vete. Nuk varet nga përpjekjet tona gjithçka, por shumë më shumë varet nga puna që ky Hir Hyjnor bën në ne: «U mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo vetëm unë, por edhe Hiri i Hyjit në mua», u shkruante Shën Pali Korintianëve. Pra është edhe Hiri i Hyjit që «mundohet» e «heq keq» brenda nesh për të arritur pjekurinë tonë të plotë në fe.

Kjo është edhe arsyeja përse fëmijët duhet të pagëzohen qysh të vegjël: në rritjen e tyre, është e nevojshme që të jenë «të pajisur» me forcën e brendshme që ka Hiri i pagëzimit.

Në librin e tij të famshëm «Rrëfimet», Shën Augustini e qorton ëmblësisht nënën e tij, Shenjten Monikë, se nuk e kishte pagëzuar qysh të vogël. Shenjti  i madh e kishte kuptuar se, i ndihmuar nga Hiri i pagëzimit, afrimi i tij me Zoti do të kishte ndodhur me herët e më lehtë.

Jezusi, për të na ndihmuar ta kuptojmë këtë, merr një shembull nga jeta e fshatrave, duke na bërë të shohim edhe se jemi të rrethuar me aq shumë raste “mrekullish” përreth nesh sa nuk e kemi idenë: si të flejmë si të rrijmë zgjuar, jeta vlon përreth nesh.

Mbase sot me veprimtarinë tonë të papërgjegjshme po rrezikojmë vetëm ta ndalojmë jetën në format e saj të mrekullueshme. Por, nëse ne nuk “kalisim” brenda nesh një respekt e mahnitje për jetën e natyrës që vlon përreth nesh e që e shohim me sytë e ballit, si do të mund të arrijmë të kapim me sytë e fesë forcën e Hirit të mbinatyrshëm që edhe ai vlon përreth nesh?

Pastaj Jezusi bën një shembull tjetër: «Mbretëria e Hyjit i përngjet kokrrës së sinapit që është me e vogla ndër të gjitha farërat kur qitet në dhe; por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet: lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.»

Jezusi e krahason Kishën e Tij me një kokërr sinapi fare të vogël, që pastaj vjen e rritet «aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj». Jezusi bën një krahasim të ngjashëm me atë që bënte dikur Zoti me popullin e Izraelit sikurse e dëgjuam në leximin e parë: «Unë do ta marr prej majës së cedrit të madh, prej majës së gemave të tij do ta këpus një gemëz e do ta mbëltoj mbi një mal të lartë e të madhërishëm... Çdo shpend nën hijen e gemave të tij, çerdhen do ta bëjë.»

Edhe psalmi e vazhdon këtë bindje se, ku është Hiri i Zotit, njeriu e bashkësia rriten gjithnjë e më tepër në hire e pjekuri: «I drejti lulëzon si palma, / rritet si cedri i Libanit. (Besimtarët) japin fruta edhe në pleqëri, janë të kërthndeztë e plot shëndet.»

Jezusi, pra, i merr këto krahasime të bukura të Besëlidhjes së Vjetër dhe mëson se ata do të vërtetohen të gjitha në mënyrë të plotë në Kishën e Tij.

E dijmë se Kisha, deri me shpalljen e ediktit të Milanit në vitin 313, ka qenë me ligj e përndjekur nga perandoria e Romës. Vetëm në atë vit e më pas Kisha pati mundësinë që ta shpallte e ta jetonte lirisht besimin e saj. Ata tre shekuj, pra, nuk ia dolën që ta zhduknin bashkësinë e krishterë që ishte tejet e vogël. «I duan të gjithë e nga të gjithë janë të përndjekur», shkruante në shekullin e dytë autori i panjohur i letrës së drejtuar Dionjetos.

E më poshtë kjo letër bën edhe një krahasim: «Shpirti, duke u keqtrajtuar në ushqime dhe në pije, bëhet më i mirë, kështu edhe të krishterët, duke u keqtrajtuar, shtohen çdo ditë.» Nxjerr në pah të vërtetën se, gjithsesi, të krishterët po shtoheshin «çdo ditë». Në po atë shekull edhe Tertuliani do të shkruante: «Fara e martirëve është fara për të krishterë të rinj.» Për tre shekuj me radhë është vërtetuar, pra, ky mister: rritjen e bashkësisë së vogël të krishterë asgjë nuk mund ta ndalte.

Edhe në shekujt më pas ka pasur përndjekje shumë të mëdha në vende të ndryshme të botës, por bashkësia e krishterë ka ekzisutar e është ripërtërirë gjithnjë.

Pastaj, brenda kësaj Kishe, e kanë gjetur vetveten edhe mëkatarët që, me kthimet e tyre në fe, kanë bërë bujë të madhe, duke u vërtetuar kështu ajo që thotë Jezusi se, në Kishë, «edhe zogjtë e malit do të banojnë nën hijen e saj». Të mendojmë për kthimin e Shën Palit Shën Augustinit, Shën Françeskut e shumë e shumë të tjerë, të cilët pastaj, me çerdhet e përshpirtërisë së tyre, i dhuruan Kishës shenjtër e martirë pa fund.

Por nuk duhet të mendojmë se, duke vënë në pah forcën e madhe që ka Hiri Hyjnor, Jezusi e përjashtoka rëndësinë e bashkëpunimit të njeriut. Nuk e përjashton, sepse jemi të krijuar të lirë. Duhet medoemos pak «dhé», që fara të mund ta fillojë procesin e saj. Por, nëse ne të bëhemi «dhe» e Hyjit, procesi i mrekullueshëm i Hirit Hyjnor do të fillojë në ne.

Megjithatë e dijmë se ky proces i shenjtë do ta ketë plotësinë e tij vetëm në Parajsë, në bashkimin e plotë me Hyjin, siç e thotë edhe Shën Pali sot në leximin e dytë: «Vëllezër, jemi gjithmonë plot shpresë, edhe pse e dime se derisa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit... Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti.» Atje, «mundi» i Hirit Hyjnor brenda nesh, do të arrijë kohën e korrjes, kohën e pjekurisë së plotë. E, deri atëherë, «jemi gjithmonë plot shpresë» sepse e dijmë se, po e lejuam sadopak të punojë në ne, Hiri i Hyjit kurrë nuk do të na braktisë kurrë.

Një herë dikush e pyeti Nënë Terezën se si do t’ia bënte Kongregata e themeluar prej saj pasi ajo të vdiste. E Nëna iu përgjigj: «Nëse Kongregata ime nuk është e dëshiruar nga Jezusi, uroj që qysh tani të mbyllet. Por, nëse Ai e ka dashur, Ai vetë do të mendojë gjithnjë për të.»

Në fillim përmendëm Shën Injacin, i cili kishte një bindje të ngjashme me Nënë Terezën: të dy besonin ngultas te forca e pandalshme e Hirit Hyjnor. Duket sikur këta njerëz, të cilët morën në këtë jetë karizmën e themelimit të kongregatave, e kishin kuptuar më së  miri bindjen e Atij që është Themeluesi i krejt Kishës.

Dom Dritan Ndoci

12 qershor 2021, 08:29