Rrënoja pas bombardimeve në Gazë Rrënoja pas bombardimeve në Gazë

Famullitari i Gazës: nga Patriarku, afërsi pas traumave të luftës

Atë Gabriel Romanelli rrëfen takimin e bashkësisë së vogël të krishterë me Fortlumturinë e Tij Pierbattista Pizzaballa. Besimtarët kërkuan të mos konsiderohen numra, por njerëz. Toka Shenjte pa të krishterë do të ishte plagë për Kishën

R.SH. - Vatikan

Më se një muaj pas përfundimit të luftimeve ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, që shkaktuan 255 viktima në Rripin e Gazës dhe 13 në Izrael, bashkësia e vogël e qytetit të Gazës, mbledhur në kishën e Familjes Shenjte, priti Patriarkun e Jeruzalemit të Latinëve Pierbattista Pizzaballa. Në mikrofonin tonë, famullitari, atë Gabriel Romanelli, tregon si e pritën besimtarët këtë vizitë dhe si është gjendja aktuale në zonë.

         Vizita e Patriarkut Pierbattista Pizzaballa ishte vërtet e shkëlqyer. U zhvillua në katër ditë, nga 14 deri më 17 qershor. Erdhi për të vizituar famullinë e vogël të Kishës Katolike - ne jemi 134 anëtarë - si dhe disa qindra greko-ortodoksë. Vizitoi tri shkollat ​​katolike, qendrën e Karitasit dhe qendrën “Toma i Akuinit” për formimin e të rinjve. Pastaj, u takua me disa nga të sëmurët, veçanërisht me të moshuarit dhe me disa familje të prekura nga lufta, të krishtera e jo. Kremtoi një meshë solemne, me një pagëzim, 17 kungime të para dhe tre krezmime. Patriarku u prit edhe nga familjet ortodokse dhe nga të varfrit e bashkësisë. Pra, ishin jo vetëm katolikë, por edhe myslimanë, që janë pjesë e realitetit tonë, sepse ne jemi 134 katolikë ndër dy milion banorë myslimanë.

         Gaza përjeton një gjendje të vështirë. Para një muaji, sulmet ndërmjet Hamasit e Izraelit shkaktuan shumë viktima. Çfarë i thanë familjet Patriarkut për këtë?

         Gaza vuan prej kohësh nga kjo gjendje. Gjatë 10 viteve të fundit, kemi pasur katër luftra, përveç bombardimeve, që janë bërë të zakonshme. Njerëzit kujtuan se në këto luftra, nga të cilat janë lodhur tashmë, ata nuk janë numra, statistika e se traumat, që mbeten pas bombardimeve, janë të tmerrshme. Përballemi me dëshpërimin, prandaj, përveç veprimtarive shpirtërore, që nuk janë ndalur kurrë, organizojmë edhe veprimtari krijuese e argëtuese, të cilat ndihmojnë fëmijë e të rritur të shohin një të ardhme më të mirë. Të krishterët janë gjithsej 1077 vetë. Më se 50 shtëpi të krishterësh janë goditur nga predhat e bombardimeve e njëra prej tyre është shkatërruar krejtësisht. Fatmirësisht, pa viktima. Këtu jemi rreth 300 familje, por pyetja e vërtetë është: ç’duhet bërë me 4 milion e gjysmë palestinezë? Ne punojmë prej vitesh për të krijuar vende pune për të rinjtë, por shumë prej tyre, pas ndeshjeve me armë, duan të largohen nga vendi. Në të vërtetë, as që mund ta bëjnë këtë, për shkak të embargos, e cila, për Rripin e Gazës, është tejet e ashpër e vijon prej 12 vitesh. Në çdo luftë, në çdo sulm, hapen plagë që nuk shërohen, krijohen pasiguri për të ardhmen, dëshpërim e trauma, që përjetohen nga çdo qytetar palestinez, sidomos këtu, në Gazë.

Këto ditë, në Romë, mbahet asambleja e Roaco-s, organizmit vatikanas të ndihmës për Kishat Lindore. Natyrisht, në plan të parë është Toka Shenjte. Si mund t’ju ndihmojë Kisha universale në këtë çast?

Mendoj se kemi tri udhë për ndihmë e njerëzit këtu i janë shumë mirënjohës Kishës Katolike. Aspekti i parë është ai shpirtëror. Për këtë bashkësi kaq të vogël e, edhe për bashkësinë ortodokse, Kisha Katolike është me të vërtetë ndihma e Tënzot dhe bën mrekulli për ta mbajtur gjallë fenë, shpresën në Hyjin. I dyti është aspekti ekzistencial, po e quajmë kështu. Kjo do të thotë t’u rrimë pranë njerëzve që ata ta ndiejnë se dikush i do. Pikërisht, vizita e Patriarkut solli ngushëllim dhe njerëzit e panë se nuk lihen pas dore, nuk braktisen. Gjithashtu, ka rëndësi ta bëjmë të njohur këtë realitet. Shpesh, mjetet e komunikimit masiv heshtin për Gazën, sepse situata është e ndërlikuar, shumë e ndërlikuar. Por nëse ne katolikët nuk mund të hedhim dritë mbi këtë situatë, atëherë për çfarë jemi misionarë? E treta është ndihma materiale. Kisha po ndihmon në rindërtimin e disa shtëpive, si edhe në projektin e krijimit të vendeve të punës për të rinjtë, në mënyrë që ata të qëndrojnë në Gazë, sepse Kisha ka nevojë për të krishterë këtu, përndryshe Toka Shenjte do të kthehet në muze gurësh të mrekulleshëm, që kujtojnë praninë e birit të Zotit dhe të Zojës. Zbrazja e Lindjes së Mesme, sidomos e Tokës Shenjte nga të krishterët, vazhdon të jetë një e keqe, një plagë dhe do të ishte problem për gjithë Kishën.

23 qershor 2021, 11:34