Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës: festa e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit

Kisha Katolike kremton sot festën e “Korpit e të Gjakut të Krishtit”, apo të “Corpus Domini”. Në trevat shqiptare e në vende të tjera, kjo festë, pavarësisht se bie sot, kremtohet të dielën, për t’u dhënë mundësinë besimtarëve të marrin pjesë në meshë e në veprimtaritë e rastit. Në emisionin e sotëm do të ndalemi në kuptimin e kësaj feste.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i kësaj dite vë në dukje çastin sublim të kremtimit të Eukaristisë nga Jezu Krishti, çastin që e përjetojmë gjithnjë në meshë, sa herë lartohen drejt qiellit hostja e vera, të cilat shndërrohen në Korpin e në Gjakun e Krishtit. “Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha: ‘Merrni, ky është trupi im!’ Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj. U tha: ‘Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë’” (Mk 14,22-25).

Me mjeshtëri e përshkruan këtë çast, poeti i madh françeskan, atë Gjergj Fishta, në një përkthim të “Pange Lingua” të shën Tomës së Akuinit:

Fjala mish në mish të gjallë

Me fjalë t’vet bukën e shndrron

N’gjak t’vet venën shndrron për mallë,

E se shisja s’e kupton,

N’ zemër besën për m’ia njallë

T’mirit feja e bardhë mjafton.

Fjala e parë, që thotë Jezusi, është “merrni”. Është urdhër, por edhe deklaratë dashurie. Është sikur Jezusi të na thoshte: “unë dua të jem në duart, në gojën, në brendësinë tënde, ashtu si buka”. Nuk u kërkon dishepujve ta adhurojnë, ta kundrojnë, ose ta lusin atë Bukë, por u kërkon ta mbajnë në duar, ta shtrëngojnë fort, ta bëjnë një me trupin e tyre, ta kthejnë në një qelizë të trupit të tyre, që merr frymë, mendon e vepron së bashku me ta. Pa pengesa, pa frikë, pa ndonjë synim të mefshtë! “Zoti në ne”: zemra jonë e bën të vetin, Hyji e bën të vetën zemrën tonë e kështu, bëhemi një gjë e vetme. Shën Leoni i Madh e shpreh këtë me një frazë, që ka mbetur në histori: “Pjesëmarrja jonë në Korpin e në Gjakun e Krishtit nuk ka synim tjetër, përveç shndërrimit tonë në atë që po marrim”. Zoti erdhi në botë për të dhuruar vetveten.

Abati i lum, belgu Guerrico d’Igny, i cili ka jetuar ndërmjet shekujve XI dhe XII, në njërin nga predikimet e tij, nënvizon se si njeriu e takon Zotin me të gjitha shqisat, pra fizikisht, me trupin e vet, në Eukaristinë Shenjte: “Jo vetëm, Fjala e Zotit u bë për ne e dukshme dhe e prekshme – shkruan i Lumi – por edhe mund ta shijojmë e t’i marrim erë, sepse sigurisht që ka kërkuar për veten një rrugë drejt shpirtit, përmes të gjitha shqisave, në mënyrë që, ashtu siç pati hyrë vdekja në njeriun, përmes shqisave, ashtu edhe, po përmes tyre, të kthehej jeta. Kështu pra, Fjala u bë njeri për ne, që jemi të gjithë njerëz, korp, për të na dhënë mundësi neve, që më parë vetëm mund ta dëgjonim Fjalën e Zotit, ta shohim e ta shijojmë, tani që është bërë korp, të përfshijmë të gjitha shqisat, në mënyrë që ato, më një zë të vetëm të shpallin: ‘Siç kemi pasë dëgjuar, tani po shohim’ (Ps 48,9)”.

Pikërisht nga ajo bukë e verë, që shndërrohet në Korpin e në Gjakun e Krishtit, kremtuar sot, kuptojmë se Jezusi nuk erdhi mbi tokë vetëm për të shlyer mëkatet tona, por me një plan më të madh, më të fuqishëm: erdhi për të sjellë qiellin në tokë, Zotin në njeriun, jetën e amshuar në jetën tonë të kufizuar.

Në Korpin e Tij, Jezusi na jep krejt historinë e vet, sa na donte, si derdhte lot, si gëzohej, na jep gjithçka e lidhte me të tjerët: fjalë, vështrim, gjest, dëgjim, zemër. “Merrni, ky është korpi im”, do të thotë: bëjeni tuajën këtë mënyrën time për të jetuar në botë, duke kujtuar se Korpi e Gjaku i Krishtit janë në elterin e Eukaristisë, por edhe në elterin e të afërmit, të të varfërit, të të voglit, të të huajit, të të sëmurit, të plakut, të të vetmuarit. Vetëm kështu mund të bëhemi, çka marrim: Korp i Krishtit.

03 qershor 2021, 08:09