Kardinali Raniero Cantalamessa Kardinali Raniero Cantalamessa 

Cantalamessa, mjekëve të ardhshëm: “Teknika nuk duhet ta zëvendësojë kontaktin njerëzor”

Predikatari i Shtëpisë Papnore kthehet si kardinal në Universitetin, ku qe student e mësues, për të kremtuar njëqindvjetorin e themelimit. Mesazhi, studentëve dhe pedagogëve: “Mos u shqetësoni për të thelluar dijet, por aftësinë për të dashur. Përkëdheljet e buzëqeshjet nganjëherë bëjnë shumë më mirë sesa ilaçet”.

R. SH. - Vatikan

Rikthehet kardinal, atë Raniero Cantalamessa, në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit të Romës ku, në vitet ’60-’70 ishte një herë student, e më pas mësues në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë,  e në drejtorinë e Departamentit të Shkencave Fetare. Predikatari i Shtëpisë Papnore – i krijuar kardinal nga Papa Françesku në Koncistorin e nëntorit 2020 – kremtoi dje një Meshë për njëqindvjetorin e Universitetit, në Poliklinikën Gemelli. E u drejtoi fjalë inkurajuese studentëve, mjekë të së ardhshmes,  të cilët i këshilloi "të mos kultivojnë vetëm mendjen, por edhe, e kryesisht, zemrën”, në mënyrë që t’i vënë idetë e shkencës në shërbim të njerëzve, pa u shkuar as nëpër mend që, në emër të shkencës, të bëjnë të kundërtën.

Mjekëve: mos harroni se pas kartelave klinike, janë njerëzit

Mos harroni kurrë se pas kartelës klinike dhe rezultateve të analizave, është njeriu. Njeriu, që pret dridhshëm përgjigjen për jetën e tij. Njeriu, të cilit një buzëqeshje a një ledhatim, mund t’i bëjnë shumë më mirë se ilaçi juaj. Mos lejoni që teknika e mjetet e saj, t’i zënë vendin lidhjes me njeriun - tha kardinali gjatë Meshës, bashkëkremtuar me imzot Klaudio Giuliodorin,  ndihmës kishtar i Universitetit Katolik.

Nga katedra, në predikatore

E përsa i përket thirrjes, duke vijuar homelinë, kapuçini kardinal kujtoi se Zoti e thirri për të predikuar, thirrje që i lulëzoi pikërisht në sallat e Universitetit romak. “Më 1976 ndjeva thirrjen që ta lija katedrën - për predikatoren, domethënë, t’i kushtohesha tërësisht kumtimit të Mbretërisë së Zotit”. Në fillim nuk dija nga t’ia nisja e nga t’ia bitisja. Por më pas  arriti ftesa e Gjon Palit II, që më ëmëroi predikatar të Shtëpisë Papnore: “Kështu, do ta filloja në Vatikan predikimin e Mbretërisë së Hyjit!” - kujtoi atë Cantalamessa, që në vijim i ftoi të rinjtë dhe seminaristët të ndjekin shembullin e tij: “Mos i lini studimet, nëse nuk jeni të sigurt se keni marrë një thirrje tjetër. Përdoreni sa më mirë që të mundeni diturinë e marrë në universitet. Është privilegj! Për përdorimin e saj do të pëgjigjeni para vetes e para shoqërisë”

Përvujtëria e tre Papëve

Për 41 vjet me radhë, kapuçini ishte - siç dihet - dëshmitar i përvujtërisë së pabesueshme të tre Papëve të fundit, të cilët çdo të premte, në Kohën e Ardhjes e atë të Kreshmëve, linin gjithçka mënjanë “e shkonin të dëgjonin predikimin e thjeshtë të një meshtari të Kishës katolike”. Së paku, deri  vitin e kaluar, kur Papa Françesku e deshi ndërmjet anëtarëve mbi 80-vjeçarë  të Kolegjit Kardinalor.

Dituria nuk të bën të lum

Gjatë reflektimit të tij, Cantalamessa u ndalua posaçërisht tek kuptimi që ka emri i Universitetit. Quhet “i Zemrës së Krishtit” - kujtoi, e aso kohe u zgjodh “për rolin e kultit të Zemrës së Krishtit në çastin e themelimit të tij. Kult që nuk i përket së kaluarës, por mbetet aktual përgjithëjetë, sepse në të rreh gjithnjë Zemra e të Ngjallurit. E pikërisht për këtë Zemër ka nevojë “qytetërimi ynë, i sunduar nga teknika, nëse duam të shmangim rrezikun që planeti të rikthehet shpirtërisht në epokën  e akullnajave” – kujtoi kardinali. Po punohet prej kohe për një kompjuter që mendon, por askush deri më sot nuk e ka marrë guximin të punojë për një kompjuter që “dashuron”, që “preket” që e përqafon me dashuri njeriun, duke i krijuar mundësinë të dojë, ashtu si kur llogarit distancat ndërmjet yjeve, lëvizjen e atomeve, memorizimin e të dhënave të ndryshme. Për fat të keq, fuqizimi i aftësisë për të dashur nuk ecën me të njëjtin hap me fuqizimin e inteligjencës - vërejti Cantalamessa. Madje, me sa duket, kjo e fundit nuk llogaritet fare, “ndërsa e dimë se lumturia dhe mjerimi nuk varen as nga sa di, as nga sa nuk di, por sa do a sa nuk do, nga dashuria që ke për të tjerët e që kanë të tjerët për ty”.

Plot ankth, për një thërimëz dashuri

Kardinali u la pas studentëve një porosi me vlerë të madhe jetike: shumë më tepër se për thellimin e dijeve, duhet të interesohen për thellimin  e aftësisë për  të dashur, sepse “dija shndërrohet shumë shpejt në dëshirë për sundim, kurse dashuria, në dëshirë për shërbim. “E vetëm dashuria  shëlbon e shpëton, ndërsa shkenca dhe etja për dije, mund ta çojnë njeriun në dënim”, kujtoi kardinali,  duke sjellë si shembull, skenën e njohur nga filmi i Ermanno Olmit “Njëqind gozhda”, në të cilin protagonisti i mbërthen me gozhda mbi dysheme vëllimet e çmuara të një biblioteke, duke ulërirë: “Të gjithë librat e botës nuk vlejnë sa një përkëdhelje!”.

Në përfundim të kremtimit, rektori Franco Anelli, në emër të bashkësisë universitare, i dorëzoi disa dhurata kardinalit si dhe drejtoreshës së Muzeve  të Vatikanit, Barbara Jatta.

18 qershor 2021, 14:31