Ndihmat e Karitasit në Ukrainë Ndihmat e Karitasit në Ukrainë

Thirrje e Karitasit të Evropës për Ukrainën

Urgjenca e garantimit të ndihmave humanitare dhe e respektimit të të drejtave të popullsisë civile në Ukrainën lindore, në thirrjen e Karitasit të Evropës, i cili kujton shkeljet e fundit të armëpushimit dhe vështirësitë serioze, për shkak të pandemisë

R.SH. - Vatikan

Imzot Michael Landau, kryetari i Karitasit të Evropës, i shoqëruar nga imzot Andrij Waskowycz, kryetar i Karitasit ukrainas, sapo bëri një vizitë triditore në Ukrainë. Në fund të saj, ai bëri thirrje të mos pengohen ndihmat humanitare për nevojtarët në Ukrainën lindore dhe të respektohen të drejtat e popullsisë civile. “Shkeljet e fundit të armëpushimit dhe përhapja e Covid-19 i kanë shtuar më tej vështirësitë për më të varfërit, duke vënë në rrezik jetën, shëndetin dhe mirëqenien e tyre”, pohon imzot Landau, i cili vizitoi qytetin e Kramatorsk-ut dhe zonat fqinje, ku Karitasi lokal ndihmon popullsinë dhe të shpërngulurit me ndihmë ushqimore, shërbime shëndetësore dhe programe mbështetëse psikologjike. Janë zona nën kontrollin e ushtrisë së Kievit, përgjatë vijës kufitare me territoret e indipendentistëve.

Shqetësimi për gjysmë milioni njerëz

Në deklaratën e organizatës, që bashkon 49 agjenci humanitare katolike evropiane, shihet qartë shqetësimi për shkallëzimin e ri të tensionit: ka “rrezik që konflikti, i cili përfshin mbi gjysmë milioni njerëz, banorë në afërsi të luftimeve, do të përhapet në një zonë shumë më të gjerë. Shumë prej këtyre njerëzve, të moshuar, ose që u përkasin grupeve të tjera të ligshta, pësojnë bombardime të rregullta dhe ndeshje me armë, si edhe u ekspozohen rrezikut të minave. Për shkak të luftës dhe të mungesës së punës, shumë të rinj janë larguar, duke lënë pas të moshuarit. Shkallëzimi i konfliktit ka rrezik të prekë pikërisht këta njerëz”. Karitasi i Evropës u bën thirrje palëve të lejojnë hyrjen e organizatave humanitare, në mënyrë që të ndihmojnë Karitasin lokal për të shpëtuar jetë.

Konflikti i ashpër në Donbas

Në Donbas të Ukrainës, konflikti shpërtheu në vitin 2014, njëkohësisht me gjendjen kritike në Krime, kur ajo iu aneksua Rusisë pas referendumit të 15 majit të atij viti. Në territoret e Donetskut dhe Luganskit, ku popullsia flet kryesisht rusisht, janë krijuar dy republika, që duan pavarësinë nga Ukraina. Ndeshjet me armë u shtuan gradualisht, duke shkaktuar mijëra viktima, shumica civilë, derisa u arrit Marrëveshja e Minskut, nënshkruar më 5 shtator 2014 nga përfaqësuesit e Ukrainës, të Rusisë, të Republikës Popullore Donetskut dhe të Republikës Popullore të Luganskit. Megjithatë, që nga ajo kohë, tensioni ka mbetur i lartë.

10 maj 2021, 13:21