Rrëshajët: Shpirti Shenjt zbret mbi Zojën dhe mbi apostujt Rrëshajët: Shpirti Shenjt zbret mbi Zojën dhe mbi apostujt

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Rrëshajëve

Kisha Katolike kremton sot natën e Rrëshajëve, vigjiljen e zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi Zojën dhe mbi apostujt. Ungjilli i së dielës, marrë nga kreu 15 e 16 sipas Gjonit (15, 26-27; 16, 12-15) na shpjegon se nga u vjen dishepujve dhe gjithë Kishës së mëvonshme pushteti për të kumtuar të vërtetën, që sjell në botë Lajmi i Mirë. Le ta ndjekim…

R.SH. - Vatikan

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit, Ai do të dëshmojë për mua. Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim. Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.”

Të lutemi së bashku:

Pa Shpirtin Shenjt, o Jezus,

asgjë s’mund të zhvillohet derisa të përmbushet.

Shkrimet mbeten

të mbyllura e të pashqyrtueshme,

historia duket pa kuptim

e pa drejtim,

Lajmi i Mirë ka rrezik të mbetet

fjalë pa fryt,

sprovat, pengesa

që s’mund të kapërcehen

e bota e re një kimerë,

një ëndërr, një iluzion

paketuar enkas për shpirtdobëtit e kësaj toke.

 

Vetëm Shpirti Shenjt, o Jezus,

mund t’i davaritë retë e udhës sonë,

të na përshkënditë në horizont

kuptimin më të thellë të ngjarjeve

 

Vetëm Shpirti Shenjt mund ta depërtojë

tymin e dendur, që na pengon

ta gjejmë horizontin e të ndiejmë sërish shpresën

se do t’i shohim ata qiej të rinj e atë tokë të re

për të cilët jemi destinuar nga mirësia e pamasë hyjnore.

 

Vetëm Shpirti Shenjt, o Jezus,

mund të na e shkulë nga zemra

hidhërimin, që na paralizon,

shkurajimin, që na bllokon

dhe të na dhurojë guximin e besimin

e nevojshëm për të arritur

në cakun e shtegtimit tonë,

në plotësinë e një jete pa fund.

22 maj 2021, 08:45