I Lumi dom Alfonso Tracki, misionar martir I Lumi dom Alfonso Tracki, misionar martir

“Takim me martirët”: i Lumi dom Alfons Tracki, misionar martir

I Lumi dom Alfons Tracki u pushkatua nga regjimi komunist te Zalli Kirit më 18 korrik 1946. Nё veprimtarinë e tij meshtarake punoi nё mënyrë tё veçantë për edukimin dhe organizimin katolik të rinisë, sidomos të varfërit, endacakët, fëmijët e braktisur, sidomos ata persona – siç thekson ai – në të cilët vesi zhvillohet më shpejt; dhe për ti formuar ata për jetën. Hapi dy shkolla në famullinë e Velipojës.

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, e sot nё pjesёn e 4-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, meshtar nga kryedioqeza Tiranё-Durrёs, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Alfons Tracki, meshtar me prejardhje gjermane, qё punoi nё kryedioqezёn e Shkodrёs, ku u konsolidua thirrja e misioni tij meshtarak. Mori nënshtetësinë shqiptare sepse siç thoshte, Shqipërinë “vullnetarisht e kam zgjedhun si atdheun tim të dytë”. Jeta e tij sillej rreth misterit pashkor të Jezus Krishtit.

Nё veprimtarinë e tij meshtarake dom Alfons Tracki punoi nё mënyrë tё veçantë për edukimin dhe organizimin katolik të rinisë, kёshtu themeloi shoqërinë edukative, kulturore e sportive ‘Viribus Unitis’, për ti mbajtur të bashkuar fëmijët e të rinjtë, sidomos të varfërit, endacakët, fëmijët e braktisur, sidomos ata persona – siç thekson ai – në të cilët vesi zhvillohet më shpejt;  dhe për ti formuar ata për jetën. Hapi dy shkolla në famullinë e Velipojës. I rreptë me vetveten, por i shoqërueshëm e i dashur me të rinjtë. Dom Alfons Tracki ishte njeri i drejtë, me fe të patundur, shumë i mëshirshëm.

Do të pësojë mjaft padrejtësi, në shkurt 1946 u arrestua nga forcat e sigurimit komunist ndërsa po kryente misionin meshtarak. U dënua pas një gjyqi me akuza të pabaza ndaj tij, vuajti edhe më shumë se të tjerët në burg. Gjykata ushtarake e Shkodrës e dënoi me vdekje më 17 korrik 1946,  u pushkatua njё ditё mё pas mё 18 korrik 1946,  kishte 50 vjeç dhe  21 vjet meshtari, po ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona...

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

Dom Gjovani Kemal Kokona: n. 4 I Lumi Dom Alfons Tracki

I Lumi Dom Alfons Tracki, që u pushkatua te Zalli Kirit më 18 korrik 1946, ishte gjerman nga Bleischwitz në Breslau (sot pjesë e Polonisë. Dom Alfonsi pra lindi atje në një familje e madhe në numër, më 2 dhjetor 1896. Në moshën 15 vjeç shkon në Vjenë në Kongregatën e Vëllezërve të Shkollave të Krishtera edhe të quajtur “lasalianë”.  Aty ditën e festës të Zojës së Ngjitur në Qiell në vitin 1912 mori veshjen e rregulltarit. Pas kushteve të para që i bëri në festën e Zojës së Papërlyer më 1914, u dërgua si mësues i gjermanishtes te shkolla pranë Kolegjit Saverian të jezuitëve në Shkodër. Dhe pikërisht në Shkodër konsolidohet thirrja e tij meshtarake e misionare (kongregata e vëllezërve lasalianë nuk ishte një kongregatë që kishte meshtarë), dhe këtë ja paraqet arqipeshkvit të Shkodrës Imzot Sereggi. Arqipeshkvi, që e pret me gëzim këtë kërkesë, shprehet: Isha në dijeni që më parë për thirrjen e tij dhe kisha konstatuar sjelljen e tij gjithmonë shumë të mirë. Ndërsa Delegati Apostolik Imzot Cozzi do të shkruaj: Tracki, së bashku me dy shokë të tjerë (Nikollë Prendushin dhe Pjetër Mëshkallën) japin shpresat më të bukura për të ardhmen … Tracki, subjekt për të cilin kemi shumë shpresa sidomos për edukimin dhe organizimin katolik të rinisë. Më në fund dëshira e tij realizohet dhe shugurohet meshtar më 14 qershor 1925 në Shkodër, duke pasur si një ‘nun’ të Lumin Dom Ndre Zadeja.

Menjëherë mori nënshtetësinë shqiptare sepse siç thoshte, Shqipërinë “vullnetarisht e kam zgjedhur si atdheun tim të dytë”. Jeta e tij sillej rreth misterit pashkor të Krishtit. Krahas kësaj ushqente devocionin ndaj Marisë. U bë pjesë që i ri në Shkodër, i Kongregatës Mariane të Shenjtes Rruzare që drejtohej nga i Lumi Vinçenc Prennushi. Karakteristikat e tij ishin: meshtar i guximshëm, i vendosur, i sigurt nga karakteri, i përkorë. I rreptë me vetveten por i shoqërueshëm e i dashur me të rinjtë. Njeri i drejtë, e mbante fjalën dhe me fe të patundur, shumë i mëshirshëm. Pak më shumë se një vit mbas shugurimit meshtarak themelon shoqërinë edukative, kulturore e sportive ‘Viribus Unitis’, për ti mbajtur të bashkuar fëmijët e të rinjtë, sidomos të varfërit, endacakët, fëmijët e braktisur, sidomos ata persona – siç thekson ai – në të cilët vesi zhvillohet më shpejt;  dhe për ti formuar ata për jetën.

Do të pësojë mjaft padrejtësi, por nuk u tërhoq, misteri i pashkëve i Krishtit e shoqëronte në çdo hap. Hapi dy shkolla në famullinë e Velipojës: një në Pulaj e një në Reç, e nga ai grup të rinjsh dolën 14 meshtarë: 12 dioqezanë e 2 françeskanë; si edhe Kryetari i ardhshëm i Parlamentit shqiptar Z. Pjetër Arbnori.

Në dhjetor 1943 trasferohet në katedrale në Shkodër. Ndërkohë te ai nuk ishte shuar dëshira e kushtimit si rregulltar, prandaj arqipeshkvit të Shkodrës i kërkon lejen për të hyrë në urdhrin e fretërve minorë. Arqipeshkvi e pranon kërkesën “vetëm për të mos dalë kundër thirrjes hyjnore”, sepse si thotë vetë arqipeshkvi për shërbimin e tij meshtarak të bërë gjithmonë me shumë përkushtim “nuk mund të kemi përveçse fjalë lavdërimi e falenderimi”.

Por ai do të mbetej një frat minor ‘me dëshirë’ sepse në shkurt 1946 arrestohet nga forcat e sigurimit të drejtuara nga Pjetër Bullatović, në momentin kur po i jepte sakramentet e fundit djaloshit të ri antikomunist 26 vjeçar i plagosur për vdekje Ndoc Jakova. Pra arrestohet ndërsa po kryen detyrën meshtarake. Patër Konrad Gjolaj thotë për Trackin: Ky ka qenë ai shqiptar që na mësoi ne shqiptarëve të tjerë se si vdes një meshtar. Do të burgoset në Shkodër, ku në atë kohë ishin rreth 13 burgje të improvizuara.

Në gjyq akuzat fallso ndaj tij aq ishin të pabaza saqë Prokurori Aranit Çela i kërcënon disa nga “dëshmitarët” që kishte thirrur, se në vend që të akuzonin Trackin po e mbronin, pasi po tregonin të vërtetë që kur këta antifashistë ndodheshin në burgun e Prishtinës, Tracki kishte ndërhyrë në komandën gjermane për ti liruar. Tracki vuajti edhe më shumë se të tjerët në burg sepse siç dëshmon Delegati Apostolik Imzot Nigris, Tracki nuk kishte të afërt që ta ndihmojnë sepse është gjerman, e të tjerët janë të pushtuar nga frika, e kushdo që ti afrohej do të konsiderohej simpatizant i gjermanëve e si pasojë i nazizmit. Gjykata ushtarake e Shkodrës e dënon me vdekje më 17 korrik 1946.

Siç e parashikonte ligji, Dom Tracki i bën apel Gjykatës së Lartë të Tiranës. Por ligji komunist ishte vetëm një letër e pavlerë. E në fakt që të nesërmen përgjegjësi i Sigurimit Zoi Themeli jep komunikim e pushkatimit të Alfons Trackit dhe vetë Zoi Themeli, pa e ditur, na jep në komunikatën e tij sesi opinioni publik i konsideronte këto arrestime, kur shkruan në relacion këto fjalë: bëhen arrestime pa arsye. Shkoi në vend në mënyrë misterioze dëshira  që kohë përpara Tracki kishte shprehur: Unë dua të vdes këtu [në Shqipëri]. Ishte 50 vjeç dhe pas 21 vitesh meshtari.

Ai që te Pashkët shihte gjithmonë “ngadhënjimin e Krishti, i cili e ka mposht vdekjen” nuk hezitoi ta dhuronte jetën i bindur në fjalët e Krishtit: aty ku jam unë, do të jeni edhe ju (shih Gjn 14, 3). Besimtarët e famullisë së Velipojës, të Pentarit, por edhe të gjithë besimtarët, të mos ngurrojnë ti luten vazhdimisht ndërmjetësisë të të Lumit Alfons Tracki, që duke u shëruar, falë ndërmjetësisë së tij, në shpirt e në trup, të meritojnë një ditë të jenë aty ku Dom Tracki ndodhet, pranë Krishtit të Ngjallur ngadhënjyes mbi vdekjen.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Alfons Tracki, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

23 maj 2021, 08:40