Santissima Trinità, Chiesa degli Angeli custodi, Budapest, 2016 Santissima Trinità, Chiesa degli Angeli custodi, Budapest, 2016

Shenjtorёt e javёs 30 maj-6 qershor

E diel më 30 maj, Kisha katolike romake kremton solemnitetin e Trinisë Shenjte. Me festën e Rrëshajëve, qё kremtuam të dielën e kaluar, u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, me këtë të diele, Kisha e fillon ciklin tjetër kohor liturgjik të quajtur “Gjatë Vitit” dhe me njëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore.

R.SH. - Vatikan

E diel më 30 maj, Kisha katolike romake kremton solemnitetin e Trinisë Shenjte. Me festën e Rrëshajëve, qё kremtuam të dielën e kaluar, u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, me këtë të diele, Kisha e fillon ciklin tjetër kohor liturgjik të quajtur “Gjatë Vitit” dhe me njëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore.

Me festën e Trinisë Shenjte Kisha na propozon të vërtetën e fesë: Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezusin, dhe Shpirtin Shenjtë shenjtërues për të na bërë pjesëmarrës të jetës së Tij Hyjnore. Hyji Atë bashkë me të Birin e Tij Jezus Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjt, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Ai na ka zbuluar këtë mister përmes Jezus Krishtit. Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike dhe ne besojmë dhe e dëshmojmë fenë tonë në Hyjin e vërtetë dhe të përjetshëm, rrëfejmë Njëninë e Natyrës dhe Barazinë e madhërisë së Trinisë Hyjnore.

Gjithnjё mё 30 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Zhanën d’Ark, virgjër e Shën Ferdinandin, mbret i Kastiljes. 

Tё hёnёn më 31 maj, bie festa e vizitës që e Lumja Mari Virgjër i bëri kushërirës së vet Elizabetës, kjo festë njihet me emrin Pasia e Virgjërës Mari e na kujton vizitën e së Lumes Mari Virgjër te Shën Elizabeta, nga e cila lind ‘Madhërimi’( ‘Magnificat’), kënga e cila madhëron të Gjithëpushtetshmin Zot për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet.

Tё martёn mё 1 qershor, kalendari kishtar pёrkujton shën Justinin, filozof e martir. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet.

E mërkurën më 2 qershor, kalendari përkujton shën Marçelinin, meshtar; shën Pjetrin ekzorcist e shën Eugjenin I, papë. Liturgjia e ditës  pohon se në se duam t’i tregojmë botës se i përkasim Krishtit, duhet ta dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe ta zbatojmë në jetën tonë. Vetëm kështu njerëzit mund të binden se jemi të krishterë jo me fjalë boshe, me predikime të zbrazëta, nga të cilat bota është e velur, por me vepra.

Të enjten më 3 qershor, Kisha katolike kremton festёn e Korpit e të Gjakut të Krishtit. Festa kremtohet nё Vatikan, ndёrsa pёr t’u mundёsuar besimtarëve pjesëmarrjen nё kёtё solemnitet, Kishat e shumё vende, ndёr to edhe ato tё trevave shqiptare, do ta kremtojnë tё dielën e ardhshme mё 6 qershor.

Gjithnjё mё 3 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Karl Lvanga-n me shokë, martirë të Ugandës e shën Klotildën, mbretëreshë të frakëve. Liturgjia e ditёs na kujtojnë se njeriu i drejtë i jep lumni Hyjit me bindjen se feja nuk është prona jonë. Na u dorëzua që të kujdesemi për të, ashtu si vreshti vreshtarëve. Kemi përgjegjësi për lulëzimin e vreshtit, por nuk jemi i zoti.

Të premten më 4 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Françeskun Karaçiolo, meshtar, themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë dhe shën Kuirinin, martir. Liturgjia e ditёs na kujton se Zoti na i dhuron të mirat e çmueshme që i ka premtuar, në mënyrë që të marrim pjesë në natyrën e tij hyjnore, pohon leximi biblik i liturgjisë së ditës. ( 1Pt 1,1-7). Jezusi prej nesh kërkon të zgjohemi e të punojmë seriozisht për ndërtimin e Mbretërisë së Zotit në jetën e përditishme përmes veprave të mira, të drejta e plotë dashuri ndaj çdo njeriu që takojmë në jetë.

Të  shtunën më 5 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne është i thirrur të japë kontributin e tij për ndërtimin e një realiteti më të mirë, duke i ndihmuar për këtë edhe autoritetet civile.

Të dielën e ardhshme më 6 qershor, Kisha katolike do të kremtojë festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit. Solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit na nxit të reflektojmë se dashuria për Zotin nuk mund të ndahet nga dashuria për të afërmin: janë dy faqe të së njëjtës medalje e stil i një jete, që e ka themelin e vet tek Krishti i vdekur e i Ngjallur, që na la si trashëgim dashurie, Korpin e Gjakun e vet.

30 maj 2021, 09:25