Kërko

Vatican News

Ndikimi i enciklikës “Laudato Si’” mbi politikat evropiane

Planifikimi afatgjatë: kjo është sfida e vërtetë në përballimin e çështjeve mjedisore. Kjo temë doli qartë në pah në uebinarin e organizuar nga Comece me ekspertët e BE-së, në përvjetorin e “Laudato Si’”. Enciklika e Papës Françesku ndikon fuqimisht në reflektimin e institucioneve evropiane mbi ekologjinë, thekson Angelo Salzi i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Klimën dhe Ambientin

R.SH. - Vatikan

Ndër nismat e planifikuara për përvjetorin e gjashtë të enciklikës papnore “Laudato Si’”, ishte edhe Dita Evropiane e Reflektimit, promovuar nga Komisioni i Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë (Comece), dje, më 27 maj. Kësaj radhe, debati u zhvillua në një uebinar, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e Agjencisë së Komisionit Evropian për Klimën dhe Ambientin (Cinea). Punimet u hapën nga kryetari i Comece-së, kardinali Jean Claude Hollerich. Takimi u organizua nga Aleanca Evropiane “Laudato Si’” (ELSi'A), ku bëjnë pjesë institucione dhe organizata të ndryshme të Kishës Katolike, të cilat kanë bashkuar forcat në Evropë për përballimin e temave klimatike e të drejtësisë shoqërore. Comece është anëtar themelues i ELSi'A.

“Ëndrra, projekti, rruga”

Në një intervistë për Vatican News, kreu i departamentit të programit “Jeta” në Cinea, Angelo Salzi, nënvizon impenjimin konkret dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Kishave. Salzi shpjegon se titulli i zgjedhur për uebinarin, “Ëndrra, projekti, rruga”, është i dobishëm për të kuptuar se, në kuadrin aktual, nevojiten aftësi për ta kapërcyer logjikën e strategjive afatshkurtra politike e, madje, duhet zgjeruar këndvështrimi edhe përtej harkut kohor të një jete njerëzore. Nevojitet një botëkuptim afatgjatë, për të cilin kontributi i Kishave dhe mësimet e enciklikës “Laudato Si’” të Papës Françesku, kushtuar ekologjisë së gjithanshme, janë themelore.

Ndikimi i Laudato Si’ në institucionet evropiane

E Salzi dëshmon personalisht se institucionet e Bashkimit Evropian kanë reaguar si kurrë ndonjëherë ndaj enciklikës. Kur ajo u botua, gjashtë vjet më parë, “për javë të tëra nuk u fol për gjë tjetër në takimet dhe në korridoret e institucioneve evropiane, veçanërisht në Komision”. Këshillat e përfshira në të ashtuquajturin “Green Deal” apo plani i Marrëveshjes së Gjelbër, nisur nga Komisioni Evropian, janë kushtëzuar fuqimisht nga idetë e Papës në Laudato Si’.

Kontributi i Kishave

Më tej në intervistë, Salzi nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me Comece-në, që ndjek me vëmendje proceset politike në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet ligjore në të gjitha fushat me interes për Kishën. Ai kujton kontaktet e rregullta ndërmjet ipeshkvijve të Comece-së dhe politikanëve të BE-së, anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe zyrtarëve të lartë të BE-së. E gjithë kjo, thekson ai, na jep një krahasim interesant me idetë e Doktrinës Shoqërore të Kishës dhe mundësi për bashkëpunim. Dialogu mbahet përmes kontakteve zyrtare dhe joformale, përfshirë takimet vjetore të liderëve fetarë, seminaret e dialogut, konferencat dhe pjesëmarrjen në konsultimet e kërkuara nga Komisioni Evropian.

28 maj 2021, 11:46