Krerët e Kishave të Jeruzalemit Krerët e Kishave të Jeruzalemit 

Tension në Jeruzalem: të ndërhyjë bashkësia ndërkombëtare

Probleme në Jeruzalem: Krerët e Kishave “tension i nxitur nga grupet radikale të së djathtës”. Thirrje për ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare

R. SH. - Vatikan

“Të çkurajuar e të shqetësuar nga ngjarjet e dhunshme në Jeruzalemin lindor, Patriarkët dhe Krerët e Kishave të Jeruzalemit, në një komunikatë  të përhapur pak më parë, i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe të   njerëzve vullnetmirë, të ndërhyjnë ‘për t’u dhënë fund veprimeve  provokuese’ dhe i nxisin të gjithë ‘ta vijojnë lutjen për paqen në Jeruzalem’”. Ndeshjet e manifestuesve palestinezë me policinë - me pasojë qindra të plagosur e të arrestuar - që nuk pushojnë prej ditësh në Jeruzalemin lindo, vijuan edhe mbrëmë në Sheshin e xhamive, pranë Portës së Damaskut dhe në lagjen Sheh Jarrah.

Palestinezët protestojnë kundër dëbimit të dhjetra familjeve palestineze, nga shtëpitë, për t’ua liruar kolonëve hebrenj, që Gjykata izraelite duhet t’i autorizojë pas pak për këtë zhvendosje. “Çka po ndodh në Xhaminë e Al Aqsa e në Sheh Jarrah - shkruajnë krerët e Kishave të Qytetit Shenjt -dhunon shenjtërinë e popullit të Jeruzalemit e edhe të vetë Jeruzalemit, si qytet i paqes.

Veprimet, që minojnë sigurinë e besimtarëve dhe dinjitetin e palestinezëve, të cilët po dëbohen nga shtëpitë, janë të papranueshme”. “Natyra, krejt e veçantë e Jeruzalemit, Qytet Shenjt, me Status Quo-në aktuale - pohojnë liderët fetarë-  i detyron të gjitha palët ta ruajnë situatën, edhe kështu delikate, të Qytetit Shenjt të Jeruzalemit. Tensioni në rritje, i ushqyer fillimisht nga grupe radikale të së djathtës, vë në rrezik realitetin e brishtë të Jeruzalemit e të rrethinave të tij”.

Prej këndej, thirrja drejtuar “Bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë që të ndërhyjnë për t’i dhënë fund  këtyre veprimeve provokuese e për të vijuar të luten për Jeruzalemin”.

Edhe Papa Françesku, në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, pohoi se “ndjek me shqetësim të veçantë ngjarjet, që po ndodhin në Jeruzalem”. Me këto fjalë, shprehu shqetësimin e thellë për shkallëzimin e tensionit në Qytetin Shenjt, duke rikujtuar edhe një herë identitetin e tij shumëfetar e shumëkulturor. Siguroi edhe se lutet që Jeruzalemi të jetë “vend takimi, jo ndeshjesh”, duke kërkuar edhe “rrugëzgjidhje me pëlqimin e përbashkët”, që në Qytetin Shenjt të mund të fitojë fryma e vëllazërimit, duke pohuar se “dhuna lind dhunë” e duke u drejtuar palëve në konflikt thirrjen: “Mjaft më me ndeshje!” .

10 maj 2021, 15:10