Genazzano - la Madonna del Buon Consiglio Genazzano - la Madonna del Buon Consiglio

Maji i Zojës: Lutje Zojës së Këshillit të Mirë, për shpëtimin nga pandemia

O Zoja e Këshillit të Mirë: ndihmoje popullin tënd, në viset arbërore e kudo nëpër botë. Atë popull, që nuk të harroi kurrë, në ditë të bardha e të zeza, në gëzim e në vaj. Çliroje nga ankthi i sëmundjes, që po e kërcënon njëlloj si pushtuesi i huaj, kur Ti u shkëpute nga muret e Shenjtërores sate e more rrugën e largët, duke u bërë Zojë mërgimtare.

R.SH. - Vatikan

Virgjër Shenjte, Nëna e Këshillit të Mirë, sa na prek në shpirt historia e ikjes së figurës sate kur Kisha jote rrëzë Kështjellës rrethohej nga hordhitë turke - e mbrojtësit e Rozafës binin nën breshërinë e shigjetave anadollake. Ashtu si binin, më vonë, muret e Shenjtërores nën kazmën komuniste.

Ti u largove nga ne, po devocioni ynë për Ty, o Nёnё e Kishёllit Mirё nuk u zbeh. Ndonëse u bëmë të padenjë për mbrojtjen tënde, për Këshillën tënde të mirë, pikërisht kur rrebeshe të reja dyndeshin mbi ne e mbi Kishën rrëzë Rozafës.

Po sot, o Zojë, një armik i ri po e sulmon Arbёrinё, që të zgjodhi si Pajtore qielore: nuk ka shpatë, as kazëm, po mbjell njëlloj vdekje e shkatërrim – ёshtё pandemia covid.

Të padenjë për mbrojtjen tënde, të lutemi, mos harro se jemi bijtë e tu dhe na e nxirr nga Zotit hirin e shëndetit e tё shёlbimit.

Na zgjidh, edhe ne, si pate zgjedhur dy shtegtarët, që të shoqëruan duke ecur përmbi det - si na tregon gojëdhëna - të cilën e ruajtëm me përkushtim në shekuj.

Na mëso të ecim edhe ne pas teje, në çdo rrethanë, si bijtë e tu, e atëherë do ta mundim sëmundjen dhe jeta rreth Shenjtërores sate shekullore - e jeta e çdo shqiptari e çdo njeriu - do të lulëzojë përsëri, nën Mbrojtjen tënde amnore!

O Zoja e Këshillit të Mirë: ndihmoje popullin tënd, në viset arbërore e kudo nëpër botë.

Atë popull, që nuk të harroi kurrë, në ditë të bardha e të zeza, në gëzim e në vaj.

Çliroje nga ankthi i sëmundjes sё Covid-19, që po e kërcënon trupin dhe shpirtin, 

kush i sjell sytë nga Ti, o Nënë gjithëshenjte, nuk e humbet kurrë shpresën, sado të vështira të jenë provat e jetës. 

Virgjër “hirplote”, tregohu o Nënë e ëmbël dhe e kujdesshme për njerëzimin mbarё, qё po vuan nga pandemia koronavirus, që është i yti;

tregohu rojtare vigjilente për Arbёrinё dhe botёn mbarё, e lirona nga pandemia e sotme;

Tregohu Nënë e mëshirshme për mbarë botën që, duke respektuar dinjitetin njerëzor e duke kundërshtuar çdo formë të dhunës e të shfrytëzimit, të hidhen themelet e patundura të qytetërimit të dashurisë.

Tregohu Nënë posaçërisht për ata që kanë më tepër nevojë: për të sëmurit nga covid, pёr tё pambrojturit, për të braktisurit, për të pastrehët, për viktimat e një shoqërie që tepër shpesh e flijon njeriun për qëllime e interesa të tjera.

Tregohu Nënë e të gjithëve, o Mari, e dhurona Krishtin, shpresën dhe dritёn e botës! “Monstra Te esse Matrem”, o Zoja e Kёshillit Mirё, hirplote! Amen!

04 maj 2021, 11:14