Lutja e motër Luçisë Zojës së Fatimës

Lutja e motër Luçisë: O Virgjër Nënë e Zotit e Nëna ime, i kushtohem krejtësisht Zemrës tënde të Papërlyer, me gjithçka jam e me gjithçka kam. Më merr nën mbrojtjen tënde amnore, më mbro nga rreziqet, më ndihmo të fitoj mbi tundimet, që më nxisin drejt së keqes, e më ndihmo ta ruaj pastërtinë e trupit dhe të shpirtit tim.

R.SH. - Vatikan

Në ditën e kremtimit të dukjeve të fundit të Zojës së Bekuar tё Fatimës, ju propozojmë lutjen e motër Luçisë, vajzës, që jetoi gjatë e që bënte pjesë në treshen e barinjve të vegjël, të cilëve iu duk Zoja. Murgeshë, mbajti gjithnjë të fshehur Sekretet e Fatimës, derisa shën Gjon Pali II, papë, vendosi t’ia zbulojë botës. Ja lutja:

O Virgjër Nënë e Zotit e Nëna ime, i kushtohem krejtësisht Zemrës tënde të Papërlyer, me gjithçka jam e me gjithçka kam. Më merr nën mbrojtjen tënde amnore, më mbro nga rreziqet, më ndihmo të fitoj mbi tundimet, që më nxisin drejt së keqes, e më ndihmo ta ruaj pastërtinë e trupit dhe të shpirtit tim.

Zemra jote e Papërlyer qoftë streha ime dhe udha që më çon te Zoti. Më jep hirin për t’u lutur e për t’u flijuar për dashurinë e Jezusit, për kthimin e mëkatarëve e për shpërblimin e mëkateve kundër Zemrës tënde të Papërlyer. Përmes Teje, në bashkim me Zemrën e Birit tënd Hyjnor, dua të jetoj për lavdinë e së Shenjtueshmes Trini, në të cilën besoj e shpresoj, të cilën e adhuroj dhe e dua. Amen.

13 maj 2021, 19:05