2020.05.29 Pentecoste - Maria con gli apostoli - Vangelo della domenica 2020.05.29 Pentecoste - Maria con gli apostoli - Vangelo della domenica

Kisha përgatitet për Rrëshajë

Solemniteti i Rrëshajëve nuk është thjeshtë kremtim apo kujtim. Është realitet, përvojë, që e jetojmë çdo vit. Shën Agostini i dallonte festat e krishtera që përkujtojnë përvjetorë, nga ato që kremtojnë një mister. Ata që përkujtojnë përvjetorë, kremtojnë rikthimin në kujtesë të ditës kur ka ndodhur një ngjarje. Ndërsa festat që kremtojnë ‘misterin’, jo vetëm që e kujtojnë ngjarjen, por sidomos, e rijetojnë atë. Prandaj gjëja më e rëndësishme në solemnitetin e Rrëshajëve duhet të jetë që secili prej nesh të hyjë brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë përsëri

R.SH. - Vatikan

Pas festës të të Shëlbuemit, Kisha pret solemnitetin e Rrëshajëve, që do të kremtohet të dielën e ardhshme, më 23 maj. Kështu, Kisha katolike universale përgatitet, për të dielën e ardhshme, për kremtimin e solemnitetit të Rrëshajëve, në kujtim të dikimit të Shpirtit Shenjt Hyj mbi Apostujt, mbledhur së bashku me Marinë në Çenakull, me të cilin përfundon Koha e Pashkëve. Në solemnitetin e Rrëshajëve plotësohet misteri i Pashkëve të Zotit tonë Jezu Krisht. Kështu Shpirti Shenjt Zot është prani e Krishtit ndër zemra. 

Solemniteti i Rrëshajëve nuk është thjeshtë kremtim apo kujtim. Është realitet, përvojë, që e jetojmë çdo vit. Shën Agostini i dallonte festat e krishtera që përkujtojnë përvjetorë, nga ato që kremtojnë një mister. Ata që përkujtojnë përvjetorë, kremtojnë rikthimin në kujtesë të ditës kur ka ndodhur një ngjarje. Ndërsa festat që kremtojnë ‘misterin’, ndërmjet të cilave Shenjti numëronte në radhë të parë Pashkët, jo vetëm që e kujtojnë ngjarjen, por sidomos, e rijetojnë atë. Kështu, gjëja më e rëndësishme në festën e Rrëshajëve duhet të jetë që secili prej nesh të hyjë brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë përsëri.

Përgatitja për festën e Rrëshajëve

Si duhet të përgatitemi për Rrëshajët? Çka mund të presim, sot, si dishepuj të Krishtit, nga zbritja e Shpirtit Shenjt ndërmjet nesh? Për t’u përgatitur për këtë festë të madhe e teje të rëndësishme për ne të krishterët, kemi një mjet të përbashkët, që është liturgjia hyjnore, me leximet biblike e me ritet e saj, të cilat arrijnë kulmin në Lutjet mbrëmësore të Rrëshajëve e në festën e së dielës. Krahas përgatitjes si bashkësi besimtarësh, pastaj është edhe përgatitje individuale, përgatitja personale që ka të bëjë me dëshirën për zbritjen e Shpirtit Shenjt në zemrën e secilit. Kushti kryesor, që ka vënë Jezusi për ta pasur Shpirtin Shenjt, nuk ka të bëjë me pagesa, sepse Shpirti i Zotit nuk mund të blihet, Shpirti i Zotit nuk meritohet po pranohet. Ka të bëjë me etjen e njeriut për ta pasur e pranuar këtë dhuratë tejet të çmueshme shpirtërore: “Kush ka etje, të vijë tek unë e të pijë” – thotë Jezusi në Ungjill të Gjonit. Ungjilltari i komenton këto fjalë, duke shtuar: “Ai fliste për Shpirtin Shenjt”.

Rrëshajët në ditët tona

Atë çka presim, në ditët tona, nga festa e Rrëshajëve, është diçka shumë e thjeshtë: që të vijnë për ne Rrëshajët e reja, do të thotë që Rrëshajët të mos jenë thjeshtë kremtim i një feste, por përvojë i pranisë së Shpirtit Shenjt Zot. E ne kemi nevojë të madhe, të thellë për Shpirtin Shenjt. Në shekullin e kaluar, filozofi Haideger thoshte: “Vetëm një Zot mund të na shpëtojë!”. E ne do të thoshim se ky Zot mund të na shpëtojë, mund ta shpëtojë shoqërinë tonë të teknologjizuar, me zemër të akullt.

Takimi madh me Shpirtin e Zotit

Po nuk mund të mos mendojmë se ekziston edhe rrezik që edhe ne, të krishterët, të mungojmë në këtë takim të madh me Shpirtin e Zotit! E vërtetë, ky rrezik ekziston, edhe për shkak të një keqkuptimi. Sepse ndoshta jemi mësuar, posaçërisht në teologjinë para Koncilit të II të Vatikanit, ta konsiderojmë Shpirtin Shenjt si një lloj shtese, si një ‘optional’ që i shtohet organizmit të krishterë, mjeteve të hirit, por me një qëllim të dorës së dytë, që t’i japë Kishës forcë për ta çuar Lajmin e Mirë të Ungjillit deri në skajet më të largëta të tokës. Ky është vizion i kufizuar e i paplotë.

Shpirti Shenjt e bën këtë shëblimin eKrishtit

Shpirti Shenjt është shëlbimi, është zanafilla e Besëlidhjes së Re. Sigurisht që Jezusi, mbi Kryq, me vdekjen e me ngjalljen e tij, përmbushi gjithçka, realizoi Besëlidhjen e Re e të amshuar. Por është Shpirti Shenjt ai, që e bën këtë shpërblim të Krishtit aktual, të disponueshëm për çdo njeri e në çdo çast të historisë. Prandaj, për ta shmangur këtë rrezik, them se barinjtë, teologët, prijësit shpirtëror të bashkësisë, duhet të paraqesin figurën e vërtetë të Shpirtit Shenjt, që nuk është abstraktim, nuk është ide, por është prani, është prania e Krishtit të ngjallur në zemrën e të krishterëve.

Dihet se Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e të Shenjtnueshmes Trini Hyjnore, prandaj, duhet ta kemi gjithnjë pranë në jetën tonë të përditshme. Madje Shpirti Shenjt Zot, sipas Shkrimeve, është Ai që e bën Trininë Hyjnore të pranishme në zemër të besimtarit, është Ai që, duke banuar ndër ne, na bën tempullin e vet, tempullin e Zotit. Kjo duhet të ndodhë përherë e festa e Rrëshajëve duhet të shërbejë si një lloj nxitjeje: e tërë jeta e Kishës, liturgjia e saj, ka për qëllim të na çojë ditë për ditë tek ky burim shpirtëror feje, që është Shpirti Shenjt.

21 maj 2021, 09:43