Gesù - il comandamento più importante è Amare - Vangelo della VI domenica di Pasqua 'B' Gesù - il comandamento più importante è Amare - Vangelo della VI domenica di Pasqua 'B'

Fjala e Zotit e dielës së 6-të të kohёs sё Pashkëve “B”

Fjala e Zotit e kësaj së diele na kujton se ta njohësh e pranosh Krishtin e Gjallë, do të thotë ta duash e ta pranosh Hyjin në vëllezër e motra, të cilët Ai na porosit t’i duam porsi vetveten. .Jezusi na tregon se dashuria e Hyjit vihet në jetë në dashurinë për të afërmin. Dy dashuri, së bashku.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 6-të të kohës kishtare të Pashkëve, ciklit tё dytё, sipas kalendarit liturgjik tё kishёs.

Ungjilli i kёsaj sё diele nga Gjoni na ofron kumtin qё na kujton se nuk ka gёzim mё tё madh se dashuria e Hyjit Atё që na dhurohet në Jezu Krishtin, Birin e Tij. Njё dashuri qё na ёshtё dhuruar pёr t’u dёshmuar ndaj tё gjithёve, pёr ta bindur botёn se me tё vёrtetё “Zoti ёshtё dashuri”.  Pra, leximet biblike të kësaj së diele na japin përgjigjen se “kush është Hyji?” dhe “si shfaqet dashuria e Hyjit ndaj nesh?”.                          

Urdhi i dashurisë, që hap dhe mbyll fragmentin e Ungjillit të kësaj të diele, gjen në Jezusin modelin, arsyen dhe masën: «Siç ju kam dashur unë ju». Është një dashuri e ndërsjelltë: "duani njëri-tjetrin". Dhe është një dashuri që del nga komuniteti i mbyllur dhe përhapet e zgjerohet në botë, bëhet e frytshme: shtyn drejt një nisjeje "që të shkojnë e të japin fryt".

Dashuria e Jezusit, model i dashurisë njerëzore, është një dashuri miqësie, prandaj një dialog e marrëdhënie besimi ndërmjet njerëzve. Krishti Gjallë shpall urdhërin e ri të dashurisë e na dhuron Shpirtin, për të na ndihuar të jemi e të bëhemi një zemër e një shpirt të vetëm me njëri-tjetrin.

Shën Nënë Tereza, Ganxhe Bojaxhiu, thoshte: “Duke jetuar e zbatuar Dashurinë, ndjehet Zoti: gati-gati preket me dorë”. Është e saktë, një e vërtetë e dëshmuar nga jeta e sa dhe e sa shenjtorëve, dëshmitarë të një pasurie të pakufishme, që na afron me Zotin dhe që u bën mirë të afërmva tanë.

                                                                      Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Vap 10, 25-27.34-35.44-48

Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur Pjetri arriti, Korneli i doli para e, duke rënë ndër këmbët e tija, e adhuroi. Pjetri e ngriti në këmbë dhe i tha: “Çohu në këmbë se edhe unë jam vetëm njeri!” E, duke biseduar me të, hyri brenda, ku gjeti të bashkuar shumë njerëz.  Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, shi përkundra – në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë.” Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë ata që po dëgjonin predkun. Besimtarët prej rrethprerjes që kishin ardhur me Pjetrin, u çuditën kur panë se edhe në paganë u ndikua dhurata, Shpirti Shenjt. Sepse i dëgjuan duke folur në gjuhë të ndryshme e duke madhëruar Hyjin. Atëherë Pjetri tha: “Vallë a mund ta ndalojë kush ujin të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?” Dhe urdhëroi të pagëzohen në emër të Jezu Krishtit. Atëherë iu lutën të qëndrojë me ta disa ditë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 98

Zoti ua dëftoi popujve drejtësinë e vet

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

 

Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet ndaj shtëpisë së Izraelit.

 

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

 

Leximi dytë 1 Gjn 4,7-10

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij. Dashuria përmbahet në këtë: jo se ne e kemi dashur Hyjin, por Ai na ka dashur ne, dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë.

 Aleluja. Aleluja.

 

Ungjilli   Gjn 15, 9-17

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time! Nëse i mbani urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse edhe unë që i mbaja urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në të. Ju thashë këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë. Ky është urdhri im: duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju! Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni çka ju urdhëroj unë. Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim. Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë; dhe që Ati t’ju japë çkado të kërkoni në Emër tim. Këtë gjë ju urdhëroj: duani njëri-tjetrin!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia e Dielës së VI të kohës liturgjike të Pashkës: SIKURSE ATI MË KA DASHUR MUA, ASHTU EDHE UNË JU KAM DASHUR JU.

Vap 10, 25-27. 34-35. 44-48; Ps 98 (97); 1 Gjn 4, 7-10; Gjn 15, 9-17

Nëse dëshirojmë të gjejmë një term të cilin ne njerëzit e përsërisim më së shumti, patjetër ai është termi «dashuri». Gjithashtu edhe nëse dëshirojmë të gjejmë një term që shpjegohet në mënyra nga më të ndryshmet, është përsëri termi «dashuri».

Flasim shumë shpesh për dashurinë dhe, sa herë që flasim, priremi të gjejmë edhe përkufizimin e duhur për të. Nuk janë të paktë ata që bëjnë gjoja sikur e kanë gjetur këtë përkufizim.

Në epoka të ndryshme, mund ta vërejmë lehtë se sa fort njerëzit janë dhënë për arritjen e diçkaje që ishin të bindur se ia vlente të ishte e dashur mbi gjithçka. E pikërisht “dashuria ndaj njerëzimit” ka qenë shpesh edhe karemi nëpërmjet të cilit sundimtarët e ndryshëm i kanë joshur e mashtruar turmat.

Kur nazizmi i udhëhequr nga Hilteri po bënte shfarosjet masive të hebrenjve, nuk thoshte se po çonte në vend antisemitizmin e tij të tërbuar, por fliste për një shërbim të mirë që po i bënte njerëzimit duke e pastruar atë nga një racë jo e pastër. Nga ana e tij, edhe komunizmi në Shqipëri mësonte që të duhej “nëna parti”, sepse ajo po e nxirrte vendin nga errësira e shumë ideve prapanike. Edhe kapitalizmi i sotëm bën çmosin që t’ua mbushë mendjen njerëzve se konsumizmi është burimi i lumturisë. Por pas kësaj “dashurie për njerëzimin” fshihen interesa shumë të mëdha ekonomike.

Për të mos folur pastaj për “profesionistët” e dashurisë që, fëlligështinë që kanë në shpirt, duan ta bëjnë të duket si dashuri. Gjithkush, pra, që flet për dashurinë, ka njëkohësisht edhe pretekstin që të japë çelësin e duhur të interpretimit të saj: të na tregojnë se kush është burimi i dashurisë, se kë dhe si duhet të duam. Por, meqë paskemi kaq shumë mënyra për ta interpretuar termin “dashuri” dhe, meqë me kalimin e kohës zbulohet se sa të rreme ishin interpretimet e disave, a nuk qenka e mundur të gjendet çelësi i duhur i këtij interpretimi?

Duke lexuar Ungjillin e sotëm, duket sikur qenka e mundur. Thotë Jezusi: «Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju.» Jezusi na thotë se Burimi absolut i dashurisë është Ati i Tij e kjo dashuri kalon nëpër Jezusin – nëpër Zemrën e Tij – dhe vjen tek ne. Ja, ky është burimi i dashurisë së vërtetë.

Nuk jemi ne, pra, burimi i dashurisë e as ideologjitë e ndryshme që ne njerëzit mund të krijojmë: Burimi është Ati që ia dhuron dashurinë e vet Birit në Shpirtin Shenjt (prej të cilëve gjithashtu merr dashuri) e kjo dashuri arrin tek ne vetëm nëpërmjet Zemrës së Jezusit.

Ja pra, pika e pagabueshme e nisjes nga ku njeriu mund të kuptojë si duhet se çfarë është dashuria: Zemra e Jezu Krishtit. Prej saj mësojmë të zhytemi edhe ne në përqafimin e mrekullueshëm të dashurisë trinitare.

Jezusi vazhdon: «Duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju!» Po atë dashuri që Ati ia ka dhuruar Birit e që Biri ia dhuron apostujve të vet, tani Jezusi u kërkon apostujve që t’ia dhurojnë edhe njëri-tjetrit. Dhe thotë, duke i dhënë botës edhe përkufizimin më të lartë të dashurisë së pastër: «Dashuria më e madhe që dikush mund të tregojë, është që të japë jetën e vet për miqtë e vet.» Njëkohësisht, Jezusi paralajmëron kështu edhe dhurimin e vetvetes që do ta bënte një ditë më pas në kryq.

E vazhdon me fjalë vërtetë të ëmbla: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni çka ju urdhëroj unë.» Ne jemi miqtë e Tij kur i mbajmë urdhërimet e Tija, por kjo miqësi nuk ka filluar si nismë jona. Prandaj edhe Shën Gjoni na thotë në letrën e tij: «Jo se ne e kemi dashur Hyjin por Ai na dashur ne dhe e ka dhuruar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona.» Është kjo dashuri e Hyjit e treguar në Birin, pra, që është bërë modeli i dashurisë për ne.

Në leximin e parë, Shën Pjetri dhe disa të krishterë të tjerë hebrenj që ishin me të, bëhen dëshmitarë se dashuria e Hyjit është njëlloj për të gjithë njerëzit. Kur Shën Pjetri e kupton se Hyji, falë një vegimi, kishte dashur që Ungjilli t’i predikohej edhe një ushtaraku romak, menjëherë thotë: «Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah.» Pasi Pjetri i mbaron fjalët e veta, edhe mbi ata zbret dhurata e Shpirtit Shenjt, duke i vërtetuar kështu edhe më fort fjalët që Shën Pjetri sapo i kishte thënë.

Kështu apostujt do ta kuptojnë se mëshira e Hyjit e treguar në Jezu Krishtin, duhej t’i predikohej të gjithë popujve, sepse, në fakt, kjo mëshirë ishte e gatshme t’i pranonte të gjithë. Nga kjo ka lindur krishterimi. Nga kjo ka lindur Kisha e gjithmbarshme. Nuk ka një besim tjetër në botë që ta ketë në vetvete aftësinë për t’i përqafuar pa dallim të gjithë popujt. Kjo ngaqë asnjë besim tjetër nuk bazohet në Zemrën e Jezusit, nga e cila ne mund të mësojmë se çfarë është dashuria e vërtetë.

«Të dashur ­– thotë plot butësi Shën Gjoni – ta duam njëri tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh... Hyji është dashuri.» Edhe zemra e këtij apostulli të dashur është e brumosur me dashurinë që i ka dëshmuar Mësuesi i vet Hyjnor. Prandaj fton ëmbëlsisht që të krishterët të mos heqin dorë kurrë nga dashuria siç na e ka mësuar Hyji në Birin e vet.

Pa Zotin, pra, njeriu nuk arrin ta gjejë kurrë si duhet mënyrën e saktë për të dashur. Në shekullin XVIII, intelektuali i shquar i Francës, Volteri, shkruante: «Nëse Zoti nuk do të ekzistonte, do të na duhej ta shpiknim. Por e gjithë natyra na e thotë me të madhe se Ai ekziston.» Volteri, në fakt, ishte deist: besonte se ekzistonte një Zot, por nuk besonte se ky Zot mund të njihej nga njeriu. Nuk vonoi shumë e ky intelektual u shpreh shumë ashpër edhe kundër Kishës, e cila mësonte se Hyji na është zbuluar dhe se me Fjalën e Tij e shndrit mendjen e zemrën e njeriut.

Volteri e shumë intelektualë të shquar të asaj kohe (që kishin arritur të pranonin ekzistencën e pakundërshtueshme të Hyjit, por që, nga ana tjetër, i kundërviheshin Kishës), gabonin në faktin se, për të njohur Hyjin në vetvete, nuk niseshin nga Zemra e pastër e Jezusit, por ndaleshin tek shkandulli që mund t’u ketë shkaktuar zemra e disa të krishterëve.

Por vetëm në Jezusin mund ta gjejmë Mësuesin e duhur të dashurisë. Kështu, duke e perifrazuar atë shprehjen Volterit që sapo e cituam, do të mund të thoshim: «Nëse Jezusi nuk do të na e kishte mësuar se çfarë është dashuria, do të na duhej ta shpiknim vetë një dashuri si ajo që Jezusi predikoi e dëshmoi. Por historia e njerëzimit na e thotë me të madhe se kush ka ndjekur Jezusin, ka mësuar të dojë në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme.»

Thuhet një herë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, një komandant (nuk e di i cilit prej vendeve në konflikt) ra i plagosur në luftë. E shtruan në një spital ku shërbenin disa Motra. Atij nuk i interesonte besimi dhe, si pasojë, nuk e shihnin kurrë të lutej – as kur filloi të bënte më mirë – e as të lexonte Biblën që e kishte në dhomën e tij.

Por filloi të ndodhte një mrekulli: Motra infermiere hynte në dhomën e tij dhe, pa bërë asnjëherë bisedë me përmbajtje fetare, i linte një përshtypje të jashtëzakonshme për shkak të shërbimit plot delikatesë e dashuri që i bënte. Një ditë ajo hyri në dhomë dhe, çuditërisht, e pa tek po lexonte Biblën. E pyeti: «Kush ta mbushi mendjen që më në fund ta hapësh Biblën?» E ai iu përgjigj: «Ishit ju, motër, ishit ju.» Kishte filluar të mendonte për Burimin nga i cili kjo Motër e dashur e merrte dashurinë që çdo ditë tregonte ndaj tij.

«Ju nuk më zgjodhët mua  – thotë Jezusi – por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt e fryti juaj të qëndrojë.» Jezusi dëshiron që nxënësit e tij ta dëshmojnë në botë këtë dashuri që ai ua ka mësuar.

Është interesante të mendojmë se, kur Jezusi po i thoshte këto fjalë atë natë para se të arrestohej, përjashta e sundonte botën me dorë të hekurt perandoria romake, e cila pushtetin e vet e bazonte në luftëra e terror. Por Jezusi beson të forca e pamposhtur e dashurisë që Ai po i mësonte botës. Kjo ngaqë dashuria që Jezusi mëson ka vetinë që njeriut t’ia ngopë zemrën, sikurse ishte e ngopur me dashurinë e Atit të vet edhe Zemra Jezusit: «Jua thashë këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë.» Jezusi, i ngopur Ai vetë me dashurinë e Atit të vet, e mposhti botën, mëkatin, djallin dhe vdekjen. Edhe ne, nëse «qëndrojmë në dashurinë e Tij» do të ngallënjejmë si Ai.

«Unë jam e paaftë për virtyte; virtyti im është Jezusi» – thoshte Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë, e cila ishte bindur se vetëm Jezusi mund t’ia mësonte njeriut se çfarë është dashuria e virtytet e tjera.

08 maj 2021, 10:33