Kisha katolike nё Shqipëri e Pakti Edukativ Global

Edukimi si një nga mënyrat më efektive për ta bërë historinë dhe botën tonë më njerëzore. Edukimi është mbi të gjitha çështje dashurie dhe përgjegjësie që kalon nga një brez tek tjetri. Pёr kёtё punon edhe Komisioni Kombëtar i Konferencёs Episkopale tё Shqipёrisё për Edukimin Katolik në bashkёpunim me Paktin Edukativ Global, pёr çka u fol edhe nё Ditёn kushtuar edukimit katolik, tё hёnёn e kaluar, nё Tiranё.

R.SH. - Vatikan

Kujdesi i Kishёs katolike pёr edukimin e tё rinjve nё Shqipёri vazhdon me punё e dashuri. E dёshmon kёtё edhe Dita kushtuar edukimit katolik - Pakti Edukativ Globaj qё u mbajt tё hёnёn e kaluar mё 24 maj, nё oborrin e kryedioqezёs Tiranё-Durrёs, nё Tiranё. Një shenjë vullneti e vëmendjeje e qartë, tanimë globale e Kishës katolike, për rëndësinë dhe kujdesin që duhet të kemi, përherë, si shoqëri për çështjet e edukimit të të rinjve.

Dita kushtuar edukimit katolik, nё kuadrin e Paktit Edukativ Global, u organizua nga  Komisioni Kombëtar pranё Konferencës Ipeshkёvnore Katolike tё Shqipërisë për Edukimin Katolik, nёn drejtimin e koordinatores kombëtare, Motër Teuta Buka, fma, saleziane e Drejtoreshë e Qendrës   "Maria Mazzarello" nё Tiranë.

Në Shqipëri, kujtojmё, shkollat e rrjetit të edukimit katolik kanë rreth 8000 nxënës nga veriu në jug, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Nё Ditёn kushtuar edukimit katolik morёn pjesё edhe Nunci apostolik nё Shqipёri, Imzot Lugi Bonazzi, kryetari i Konferencёs Ipeshkёvnore katolike tё Shqipёrisё e kryeipeshkvi i Shkodёr-Pultit, imzot Imzot Massafra, ipeshkvi ndihmës i Arqidioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj, Drejtori i Caritasit Kombëtar tё Shqipёrisё, Atë Antonio Leuci, Drejtues të institucioneve arsimore, miq të edukimit katolik, përfaqësues nga Universiteti Katolik, mësues dhe  trajnerët e mësuesve tanë, e mbi të gjitha edhe disa nxënës të shkollës Vinçenc Prendushi dhe Don Bosko, që paraqitën iniciativat që kanë realizuar për Paktin Edukativ Global. Po mё hollёsisht nga Tirana tё ndjekim njoftimin e Motёr Teuta Buka, koordinatores kombëtare e KKEKSH:

Tё ndjekim njoftimin e Motёr Teuta Buka

Angazhimi i Komisionit Kombëtar për Edukimin Katolik në Paktin Edukativ Global

“Ne e konsiderojmë edukimin si një nga mënyrat më efektive për ta bërë historinë dhe botën tonë më njerëzore. Edukimi është mbi të gjitha një çështje dashurie dhe përgjegjësie që kalon nga një brez tek tjetri.”

Papa Françesku, 15 tetor 2020

Që në vitin 2019 Papa Françesku ka bërë ftesën planetare për një Pakt Edukativ Global dhe në tetorin 2020 në eventin e kremtimit zyrtar ai përvijon sërish shtatë pikat në të cilat mund të punojmë për të ndërtuar Fshatin Edukativ, një shprehje kjo që vë në fokus bashkësinë, morinë e njerëzve që kontribuojnë në edukim të cilët jo domosdoshmërisht janë mësues të certifikuar, por janë kontribues në edukimin e brezave, madje me shumë influencë.

KKEKSH (Komisioni Kombëtar për Edukimin Katolik) është anëtar i rrjetit Evropian të edukimit katolik CEEC dhe atij Botëror OIEC. Pjesë pra  e një popullate shkollore prej 68.2 milion nxënësish në rang botëror. Sipas të dhënave të bankës botërore, pesë shtetet e para në listë për kah numri i nxënësve në sistemin parashkollor, fillor dhe të mesëm të ulët të shkollave katolike, janë vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare të ulëta. Kongo, Kenia, Malaëi, India, Uganda [i][ii].

Në Shqipëri shkollat e rrjetit të edukimit katolik kanë rreth 8000 nxënës nga veriu në jug, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Secila nga realitetet edukative të rrjetit KKEKSH, ka më shumë se një vit që ka  filluar  reflektimin për të gjetur rrugët konkrete që të përfshihemi në këtë lëvizje të madhe botërore që nuk mund të lërë indiferent askënd, aq më pak ne që edukimin e personit njerëzor e kemi përqafuar si mision. Në fakt nuk është fillimi i një ecje totalisht të re, përherë shkollat katolike janë angazhuar në përçimin e vlerave të dialogut, mikpritjes, përkudesjes për më nevojtarët. Risia qëndron tek vetëdija që së bashku me një kor të madh kontributesh,  bashkëpunimesh, veprimesh të vogla, por plot me vlera,  kemi mundësinë të ndikojmë botën.

Pjesëmarrja në rrjetin Botëror te Edukimit Katolik dhe firmosja e paktit edukativ Global nga ana jonë si KKEKSH përfshin katër angazhimet themelore që burojnë prej angazhimit të OIEC për të cilat do të përfshihemi të gjithë:

1. Ripërtëritja e Paktit Edukativ brenda shkollës ;

2. Bashkëpunimi dhe forcimi i rrjetit mes shkollave tona;

3. Përfshirja e komunitetit dhe institucioneve publike qendrore dhe lokale, duke ndarë me ta praktikat tona më të mira dhe duke frymëzuar modele të reja edukimi;

4. Përfshirja dhe këmbimi i përvojave me komunitetet e tjera fetare që të jemi një shenjë konkrete vëllazërie që kontribuon për në humanizimin e botës.

Në ditën e parë Kombëtare të Edukimit katolik që kremtuam me 24 maj, ditën që enti ynë është themeluar juridikisht, shkollat në praninë e komuniteteve edukative kanë firmosur këtë angazhim, madje në disa realitete, nuk e ka firmosur vetëm drejtuesi, por bashkë me të edhe nxënësit e mësuesit. Kështu hapet një rrugë e re të cilën do ta përshkojmë së bashku. Dëshiroj të sjell një fragment nga  fjala përshëndetëse e Imzot Massafrës në eventin përshëndetës së Ditës së parë kombëtare me 24 maj 2021:

“Jam plot me besim se do të bëhen përherë e më konkrete këto angazhime dhe se vitin e ardhshëm, kur të festojmë ditën botërore dhe ditën kombëtare të edukimit katolik, angazhimi jonë do të jetë më i dukshëm dhe më përfshirës. Ndër të tjera Ungjilli na fton të jemi drita e botës, ndaj kontributi ynë për të ndërtuar fshatin edukativ rreth fëmijëve tanë, janë mundësia për ta bërë aktuale këtë thirrje të Ungjillit. Ndaj ju nxis fort të krijoni rrjet mes jush, të bashkëpunoni me shkolla të tjera në këtë frymë, të përfshini në edukim çdo person vullnetmirë duke filluar së pari nga prindërit, duke qenë propozitivë me institucionet që e ardhmja të buzëqeshë për fëmijët tanë, dhe si thotë Papa Françesku që Bota të jetë më njerëzore”.

Në atë ditë ishte me ne edhe Nunci apostolik, Imzot Lugi Bonazzi, Ipeshkvi ndihmës i Arqidioqezës Tiranë-Durrës,  Imzot Arjan Dodaj, Drejtori i Caritasit Kombëtar, Atë Antonio Leuci, Drejtues të institucioneve arsimore, miq të edukimit katolik, përfaqësues nga Universiteti Katolik, mësues dhe  trajnerët e mësuesve tanë, por mbi të gjitha edhe disa nxënës të shkollës Vinçenc Prendushi dhe Don Bosko, që paraqitën iniciativat që kanë realizuar për Paktin Edukativ Global.

Le të përveshim pra së bashku mëngët për të qenë ndërtues të një qasje të re të edukimit me personin njerëzor në qendër që bota të jetë më vëllazërore.

Motër Teuta Buka

Koordinatore Kombëtare e Edukimit Katolik

26 maj 2021, 13:26