Shën Rita nga Cascia Shën Rita nga Cascia

Cascia u jep çmim tri grave, që kanë imituar virtytet e Shën Ritës

U mbajt në Cascia, edicioni i 33-të i Çmimit Ndërkombëtar të Shën Ritës, që shpërblen gratë me të njëjtat vlera të murgeshës augustiniane. Qëllimi është të dëshmohet se sot mund të falësh, të duash dhe të impenjohesh për mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave njerëzore, siç bëri Shën Rita

R.SH. - Vatikan

Që nga viti 1988, në Cascia të Italisë, tregohen histori faljeje e dashurie, histori grash të dalluara në imitimin e virtyteve të Shën Ritës, gra, që e kanë konsideruar mision jetësor impenjimin në mbrojtje të dinjitetit, të të drejtave dhe të detyrave të njeriut. Në prag të kujtimit liturgjik të shenjtes së rasteve të pamundura, Kuvendi i murgeshave augustiniane dhe bashkia e qytetit të Umbrias u japin atyre Çmimin Ndërkombëtar të Shën Ritës, që synon përhapjen e mesazhit të paqes, drejtësisë e solidaritetit në botë.

Deri më sot, të ashtuquajturat “gratë e Ritës” janë 119. Ashtu si shën Rita, ato kanë ditur të falin, të vuajnë e të duan me gjithë shpirt, ua kanë hapur zemrën të tjerëve, me gjeste konkrete solidariteti dhe bamirësie; gra të të gjitha moshave, kushteve, kombeve, feve, vlerat e të cilave janë të njëjta me ato të jetës së Shën Ritës. Këtë vit, Çmimi u jepet Gina Garrisi-t, Annalori Gorla-s dhe Monika Kornecka-s, të cilat do të lënë në Cascia një trëndafil të mbjellë në kopshtin e trëndafilave të qytetit, si simbol i aromës së virtyteve të tyre. Çmimi u jepet pasdite, në fund të meshës së kremtuar në Bazilikën e Shën Ritës, nga Eprori i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, atë Alejandro Moral Antón.

Gratë e Ritës

Geltrude Garrisi – që zakonisht e quajnë Xhina - është nga Caltabellotta, në Sicili. Ajo e pranoi me dashuri sëmundjen e vajzës së saj të madhe, duke u kujdesur për të me përkushtim dhe fe. Njëkohësisht, u shërbeu edhe të sëmurëve e të vuajturve të tjerë, duke kultivuar devocionin e saj për Shën Ritën e duke promovuar, së bashku me gra të tjera, Bashkimin Primar të përshpirtshëm të Shën Ritës në Caltabellotta. Anna Lorenza Gorla, nga Milano, - për të gjithë Annalori - është e veja e Giorgio Ambrosoli-t, i cili, pasi u emërua komisar likuidues i Bankës Private Italiane, u vra më 11 korrik 1979, pa iu nënshtruar kërcënimeve dhe presioneve për të fshehur parregullsitë dhe komplotet e paligjshme. Në motivacionin e çmimit, lexohet se “ajo e ktheu përvojën e saj të dhimbshme personale dhe familjare në impenjimin aktiv për të mirën e përbashkët”. Që prej vitesh, Annalori Gorla promovon vlerat e drejtësisë dhe të barazisë shoqërore, duke ua transmetuar trashëgiminë morale të të shoqit, fëmijëve të saj dhe të rinjve, që takon në veprimtarinë e palodhur shoqërore.

Së fundi, Monika Kornecka, polake nga Krakovi, vlerësohet me Çmimin Ndërkombëtar të Shën Ritës, sepse e fali vrasësin e të birit, duke e ndalur klimën e urrejtjes dhe hakmarrjes, krijuar rreth familjes së vet. Davidi, 23 vjeçar, u vra nga një i dehur, në përpjekjen për të mbrojtur të fejuarën dhe një shoqen e saj nga ngacmimet e burrit. Me forcën e fesë, Monika arriti të falë atë, që e la pa të birin dhe të fillojë një jetë të re, duke ia kushtuar atë të tjerëve; e la punën si llogaritare dhe vendosi ta kalojë jetën e saj me fëmijët e sëmurë dhe të vuajtur. Sot, u kushtohet edhe të sëmurëve me Covid-19, vazhdon të lutet për vrasësin e djalit, të cilit i ka shkruar në burg, duke i siguruar faljen e saj.

Çmim, që i bën të dukshme dëshmitë e dashurisë

Çmimi Ndërkombëtar i Shën Ritës nxjerr në dritë histori të përditshme, dëshmi të dashurisë, vuajtjes dhe dhimbjes, që kujtojnë episodet e jetës së Rita Lotti-t, asaj gruaje të përvujtë, që jetoi ndërmjet shekujve XIV dhe XV, sot, shenjtja e rasteve më të vështira, për të cilat i kërkojnë ndërmjetësim mijëra besimtarë.

22 maj 2021, 10:44