Udha e Kryqit në DBR-në e Brazilit Udha e Kryqit në DBR-në e Brazilit

Zanafilla e tradita e Udhës së Kryqit, nga Toka Shenjte në Koloseum

Historia dhe rëndësia e ritit, që përkujton udhën e mundimshme të Krishtit, nga Mali i Ullinjve deri në Kalvar

R.SH. - Vatikan

Udha e Kryqit është pjesa e fundit e rrugëtimit të Jezu Krishtit gjatë jetës së tij tokësore, që e çoi deri në Golgotë. Rrënjët e saj, të lidhura pazgjidhshmërisht me qytetin e Jeruzalemit, janë të largëta e përshkojnë shekuj. Është udhë shprese, udha e Shpëtimit. Udha e Kryqit, në kuptimin aktual të fjalës, daton që nga Mesjeta e vonë. Në veçanti, për këtë rit e përgatitën terrenin Shën Bernardi i Kiaravales, Shën Françesku i Asizit dhe Shën Bonaventura nga Banjorexho. Në formën me të cilën e njohim sot, me katërmbëdhjetë ndalesat, gjithnjë në të njëjtin rend, Udha e Kryqit u kremtua në Spanjë, në gjysmën e parë të shekullit të 17-të, me nxitjen e françeskanëve. Ndërkaq, në Itali, Shën Leonardi nga Porto Maurizio (1676-1751) shkroi meditimet e para për secilën prej 14 ndalesave.

14 ndalesat

Udha e Kryqit, pra, përbëhet nga 14 ndalesa. Në ndalesën e parë, Ponci Pilat e dënon Jezusin me vdekje. Ndalesa e dytë na kujton Jezusin e ngarkuar me Kryq. Në të tretën, Krishti bie për herë të parë. E katërta përkujton momentin kur Jezusi takon Nënën e tij. Në të pestën, Cireneu e ndihmon Jezusin për të bartur kryqin. Ndalesa e gjashtë përkujton episodin e një gruaje, që i fshin fytyrën Krishtit. Në të shtatën, Jezusi bie për herë të dytë. Ndalesa e tetë na kujton çastin kur Jezusi takon gratë e Jeruzalemit. Në ndalesën e nëntë, Jezusi bie për herë të tretë. E dhjeta përkujton çastin kur Jezusi zhvishet e ushtarët ndajnë rrobat ndërmjet tyre. Në ndalesën e njëmbëdhjetë, Jezusi gozhdohet në kryq. Në të dymbëdhjetën, ai vdes në kryq. Ndalesa e trembëdhjetë na kujton çastin kur trupi i Jezusit zbritet nga kryqi. Në të katërmbëdhjetën, korpi i tij vendoset në varr.

Udha e Dhimbshme në Jeruzalem
Udha e Dhimbshme në Jeruzalem

Udha e Kryqit në tokën e Jezu Krishtit

 Në Jeruzalem, Udha e Kryqit ndjek shtegun e Udhës së Dhimbshme. Edhe ajo kalon nëpër 14 ndalesa, nga vendi ku, sipas traditës, Jezusi takoi Poncin Pilat në katër ndalesat e fundit, në kishën e Varrit të Shenjtë, vendi i vdekjes së Jezusit në Kryq. Në këtë kohë të veçantë, kur shtegtarët nuk mund të shkojnë në Tokën Shenjte, për shkak të pandemisë, Rojtaria e saj ka filluar projektin “Hic - Në udhën e kryqit”. Përmes kësaj nisme, besimtarët e gjithë botës udhëhiqen virtualisht përgjatë Udhës së Dhimbshme të Jeruzalemit, duke ndjekur hap pas hapi rrugën, që bëri Jezu Krishti dy mijë vjet më parë. Çdo ndalese i kushtohet një video e shkurtër, me pamje nga Jeruzalemi. Kjo Udhë Kryqi krejt e veçantë virtuale përfundoi të Martën e Madhe, për t’u lëshuar vendin kremtimeve të Treditëshit të Pashkëve.

Udha e Dhimbshme në Jeruzalem
Udha e Dhimbshme në Jeruzalem

Në përkujtim të Krishtit e të martirëve

 Udha e Kryqit lidhet thellësisht edhe me një vend larg Jeruzalemit, në zemër të Romës. Ky është Koloseumi, ku përjetuan martirizimin shumë të krishterë në kohën e Perandorisë Romake. Në Vitin Shenjt 1750, shpallur nga Papa Benedikti XIV, në këtë amfiteatër monumental, u vendosën 14 kamare dhe një kryq i madh. Papa deshi që më 19 shtator 1756, Koloseumi t’i kushtohej kujtesës së Mundimeve të Krishtit dhe të martirëve. 200 vjet më vonë, më 1959, Papa Gjoni XXIII e ripërtëriu ritin e Udhës së Kryqit në Koloseum, i cili më vonë u vijua edhe nga Papa Pali VI në vitin 1964. Udha e Kryqit e parë, e kryesuar nga Papa Gjon Pali II në këtë vend, më 1979, shoqërohet pikërisht nga meditimet e Papës Montini.

Udha e Kryqit në Koloseum
Udha e Kryqit në Koloseum

Udhë mundimesh, por edhe dashurie

 Në vitin 2005, Gjon Pali II, tashmë i sëmurë, nuk mundi të ishte i pranishëm në Udhën e Kryqit në Koloseum, të cilën e ndoqi nga Pallati Apostolik. Meditimet e atëhershme i pati bërë Papa i ardhshëm, Benendikti XVI, i cili një vit më vonë, do të denonconte: “Në Kryqin e Krishtit, sot, pamë vuajtjen e fëmijëve të braktisur, të abuzuar; kërcënimet kundër familjes; përçarjen e botës në mendjemadhësinë e të pasurve, që nuk e shohin Lazrin para portës, si edhe mjerimin e shumë njerëzve, që vuajnë nga uria e etja”. Më pas, erdhi Papa Françesku, që mban gjithnjë me vete një libret të vogël xhepi me Udhën e Kryqit, për t’u kujtuar se dashuria e Atit Qiellor për njerëzimin kalon pikërisht përmes kryqit.

Udha e Kryqit e vitit 2005. Papa Gjon Pali II e ndoqi nga Pallati Apostolik
Udha e Kryqit e vitit 2005. Papa Gjon Pali II e ndoqi nga Pallati Apostolik

Udhë e dhimbshme në kohë pandemie

Atij i takoi të bëjë një Udhë Kryqi vërtet të dhimbshme vjet, në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa e shoqëronin mjekët, infermierët e vullnetarët, të cilëve iu desh të vinin në rrezik jetën për të shpëtuar pacientë të sëmurë rëndë nga Covid-19. E, edhe këtë vit, Udha e Kryqit nuk mund të kremtohet në Koloseum. Masat kundër pandemisë së koronavirusit nuk e lejojnë këtë. Kësaj radhe, protagonistë të meditimeve, në Sheshin e Shën Pjetrit bashkë me Papën, do të jenë fëmijët dhe të rinjtë e grupit skaut Agesci “Foligno I” (Umbria) dhe të famullisë romake të Shenjtorëve Martirë të Ugandës. Vizatimet e libretit janë realizuar nga fëmijët e Shtëpive-Familje “Mater Divini Amoris” e “Tetto Casal Fattoria”, të dyja në Romë.

Udha e Kryqit e vitit 2020, në lockdown
Udha e Kryqit e vitit 2020, në lockdown

Ndërmjet traditës e kulturës

Udha e Kryqit është objekt i shumë veprave artistike përgjatë shekujve. E çdo herë interpretohet sërish me materiale e konceptime të reja, duke vënë në dukje se ajo është dhimbje e dashuri njëkohësisht. E ajo ka një traditë të sajën në çdo vend. Ndërsa në Jeruzalem përvijohet përgjatë Udhës së Dhimbshme, udha e vërtetë e Jezu Krishtit drejt vendit ku e kryqëzuan, në Qytetin e Meksikos, për shembull, është e lidhur me vitin 1833, kur populli i kërkoi ndihmë Zotit - Senor de la Cuevita për t’i dhënë fund një epidemie të gjatë kolere. Në këtë qytet, Udha e Kryqit është një nga kremtimet më madhështore të krejt Amerikës Latine.

Po kështu, edhe në Sivilje të Spanjës, ku ritet e Javës së Madhe përfshijnë mijëra vetë e janë të njohura në gjithë botën. Në qytet zhvillohen shumë procesione, për të cilat kujdesen bashkëvëllazëritë me origjinë mesjetare, që u përkasin kishave të ndryshme. Secila prej tyre ka për detyrë të mbajë në procesion dy skulptura të mëdha të gdhendura në dru, që pasqyrojnë një nga çastet e Mundimeve të Krishtit dhe Zojën e Dhimbshme. E nuk mund të mos kujtojmë këtu, edhe traditën shkodrane të kremtimit të Udhës së Kryqit në malin Tarabosh, që vitet e fundit u është kushtuar martirëve shqiptarë të diktaturës komuniste.

02 prill 2021, 12:07