La Madonna del Buon Consiglio La Madonna del Buon Consiglio

Kisha katolike në Shqipëri kremton natën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë

Sot bie nata e festёs sё Zojёs sё Kёshillit tё mirё, njё një nga të kremtet më të dashura për besimtarët katolikë shqiptarë. Figurja e Zojës u zbulua më 25 prill 1467, mbi njërin nga muret e Kishës, nën një shtresë të lehtë gëlqereje. Nisi të tërhiqte menjëherë devocionin popullor e për të u përhapën një mori gojëdhënash. Ndër to, gojëdhëna e ikjes nga Kisha rrëzë Rozafës, e shoqëruar nga dy fisnikë shkodranë, që e ndoqën duke ecur mbi valët e detit. Për ta shpëtuar nga duart e huaja turke, që linin pas vetëm dhunime, kufoma, rrënoja, varre.

R. SH. - Vatikan

Sot bie nata e festёs sё Zojёs sё Kёshillit tё mirё, njё një nga të kremtet më të dashura për besimtarët katolikë shqiptarë. Pra, Shqipëria kremton sot vigjiljen e festës së Pajtores së vet qiellore' Zojёs sё Kёshillit tё mirё' -  në një ditë, kur kishte më shumë se kurrë nevojë për një Këshill vërtet të mirë - para se të shkonte përsëri tek kutitë e votimit, që shpresohet se do të vendosin për një të ardhme me Zojën e me çka do Ajo, duke iu kundërvënë gjithçkaje që e shqetëson, siç e patën shqetësuar pushtuesit turq, kur iu turrën Rozafës aq mizorisht, sa ta bënin të shkapej nga muri e të niste një shegtim të gjatë në dhera të huaja, ku u quajt “Nëna e Këshillit të Mirë”. Sivjet u kremtua pikërisht ditën kur shqiptari votoi. Të jetë rastësi kjo?

Titulli “Zoja e Këshillit të Mirë”

Pyetja e parë që mund të lindë, kur e kremton Pajtoren e Kombit tënd, është të hysh në misteret e emrit. Pse u quajt “e Këshillit të Mirë”? Kush e pagëzoi me këtë emër Zojën tonë, që vigjilon mbi fatet e vendit - nga rrëza e Kështjellës, simbol qëndrese?  Sipas traditës, titullin “e Këshillit të Mirë” për Zojën e shqiptoi  së pari Papa Marku, kur po ungjillëzonte trojet e Gjenacanit. Ky titull i mbeti më pas edhe Kishës. Prej saj, edhe figures së Zojës, ikur nga Shkodra e pushtuar. Më pas fretërit agostinianë, posaçërisht duke nisur nga shekulli XVIII, e përhapën figuren dhe kultin  e Nënës së Këshillit të Mirë në mbarë botën. E pikërisht para një figureje të Nënës së Këshillit të Mirë, ruajtur në Kolegjin Perandorak  të Jezuitëve, në Madrid, më 15 gusht 1583, Luigj Gonazaga vendosi të hyjë në Shoqërinë e Jezusit.

Në rrjedhë shekujsh Papët e thelluan më tej devocionin ndaj Zojës së Këshillit të Mirë: Papa Klementi XII, me origjinë shqiptare, dha ndjesën e plotë  për të gjithë ata që do të vizitonin Shenjtëroren e Gjenacanit në Festën e Zojës, (25 prill, përvjetori i dukjes së figures mbi murin e Kishës së Gjenacanit)  ose në tetëditshin e  më pasëm. E kështu me radhë, shumë Papë lanë gjurmët e tyre të nderimit për figuren e Zojës sonë. I posaçëm, ndikimi i Nënës së Këshillit të Mirë mbi papninë e Leonit XIII (që kish lindur fare pranë Gjenacanit).  

 Ndërsa ndërtimi i Kishës së Gjenacanit, kushuar Zojës së ikur nga Shkodra e pushtuar, nisi me Papën Siksti III dhe lidhet me faktin se prej këtyre trojeve vinin ndihmat kryesore për ndërtimin e Bazilikës së Zojës së Madhe, në Romë. 

Duke lexuar dekretin “Ex Beata Maria” të 22 prillit 1903, nënshkruar nga kardinali Serafino Cretoni, Prefekt i Kongregatës së Riteve, mësojmë se Papa Leoni XIII shtoi, në litanitë e Zojës, edhe thirrjen: “Nëna e Këshillit të Mirë, lutu për ne!”.

“Që nga çasti kur Virgjëra Mari e pranoi planin e amshuar të Zotit dhe misterin e Fjalës së Mishëruar, e meritoi të thirrej Nëna e Këshillit të Mirë. Dhe e meritoi edhe më thellësisht, duke nisur nga Dasma Kanës, kur shqiptoi fjalët e fundit, që i atribuohen nga Ungjijtë: “Bëni si t’ju thotë Krishti!”. Në çdo çast të jetës, jo vetëm kur s’ka më verë - a kur ndokush përpiqet ta shndërrojë në ujë verën tuaj - për ta pirë vetë verën e mirë!

Zoja në Gjenacan

Figurja e Zojës u zbulua më 25 prill 1467, mbi njërin nga muret e Kishës, nën një shtresë të lehtë suvaje. Ishte një zbulim i mrekullueshëm: nisi të tërhiqte menjëherë devocionin popullor e për të u përhapën një mori gojëdhënash. Ndër to, kryesorja, gojëdhëna e ikjes nga Kisha rrëzë Rozafës, e shoqëruar nga dy fisnikë shkodranë, që e ndoqën duke ecur mbi valët e detit. Për ta shpëtuar nga duart e huaja, që linin pas vetëm dhunime, kufoma, rrënoja, varre. Po, ç’e lidhi pikërisht Shkodrën me Gjenacanin? Cila është e vërteta historike e kësaj figureje të mrekullueshme, drejt së cilës rrajnë shtegtarë nga të katër anët e botës…

Nëna e Këshillit të Mirë nëpër botë

.. sepse Nëna  e Këshillit të Mirë nuk është e pranishme vetëm  në Shkodër - e në Gjenacan. Tashmë ajo vijon shtegtimin mbi dete e mbi male, në mbarë botën. Figurja e saj u përhap nga Agostinianët e u mbart në të gjithë rruzullin tokësor nga mijëra shtegtarë, që shkojnë të gjunjëzohen para  atij afresku të mrekullueshëm, që u shkap në kohë të vështira nga muri i Kishës së vogël rrëzë Rozafës e u nis nëpër botën pa fund, për t’i kujtuar njerëzimit se Maria është Këshilltarja e madhe e një kombi të vogël, që mbrojti me gjoks Evropën e krishterë nga hordhitë turke - por që u trajtua mizorisht nga të huajtë e nga të vetët - të cilët ia rrënuan Kishën prej guri e iu desh ta ruante Figurën e Nënës së Këshillit të mirë në kishën e shpirtit.

 E tani Zoja jonë vijon shtegtimin nëpër botë: nga vendet evropiane, në Afrikë; nga Amerika, në Lindjen e largët: gjindet kudo, për t’u dhënë një këshill të mirë popujve edhe këto ditë, kur kanë aq shumë nevojë, ndaj mblidhen rreth saj për t’i kërkuar këshilla për shëndetin e botës së sëmurë rëndë në Kisha, kapela, bashkësi lutjesh, qendra përshpirtërie, kushtuar Nënës që i jep gjithë botës këshillat e mira, për ardhmërinë e saj të shëndetshme!

Ikonografia e Zojës së Këshillit të Mirë

Në artin e krishterë një nga temat ikonografike më të pasura e më komplekse është pikërisht ajo e Marisë. Gjatë shekujsh u realizuan një numër i pafund figuresh mariane, që pasqyrojnë në mënyra nga më të ndryshmet privilegjet dhe aspektet të tjera  të rolit, që luan Virgjëra Mari  në historinë e shëlbimit e në jetën e besimtarëve. Titulli “Nënë e Zotit” përfaqëson temën më të fuqishme të teologjisë e të ikonografisë mariane. Maria, mbi të gjitha, është Theotòkos. Ajo, që lind Zotin, Nëna e Zotit, siç u nderua fillimisht nga të krishterët e parë, e siç u quajt, më pas, nga Koncili i Efezit i vitit 431. Në hullinë e titullit fillestar marian, në rrjedhë shekujsh u zhvilluan edhe shumë aspekte e tema të tjera.

Figurja shenjte e Nënës së Këshillit të Mirë u pikturua sipas modelit të njërës nga ikonat më të nderuara bizantine të Nënës së Zotit, ikonës së Eleousa o Glykophilousa, domethënë Nënës së butësisë. Kjo figure u krijua ndërmjet shekujve VII e XI, por u përhap në mënyrë të veçantë  duke nisur nga shekulli XII, si në Lindje, ashtu edhe në perëndim. Një nga ikonat më të nderuara të këtij tipi, është Nëna e Zotit  e Vladimirit, Pajtore e Rusisë e, doemos, Nëna jonë e Këshillit të Mirë, pajtore Shqipërisë dhe e shqiptarëve, kudo që janë. Ndoshta prandaj gjenacanasit iu luten të mos merrte kurrë rrugën e kthimit. Po si mund t’i braktiste bijtë, që e ëndërronin kthimin e saj prej shekujsh? Jetimë, në pritje…Ndaj u kthye, e shoqëruar nga Gjon Pali II! E mrekullueshme, ikja mbi valët e detit, e ndjekur nga pushtuesit, por më i mrekullueshëm kthimi, në shoqërinë e Papës së parë  që shkeli për vizitë apostolike trojet shqiptare!

Figurja e Zojës është e pikturuar me teknikën e afreskut

Figurja e Zojës është e gjatë 45 centimetra dhe e gjerë 40 centimetra. Duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar krejt pa flokë. Dikush ka thënë se është pikturuar kështu sepse në Shqipëri aso kohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin krejtësisht flokët. Koha kur u krijua kjo vepër arti dhe autori i saj nuk dihen me siguri. Në se nisemi nga stili i punimit, do të përcaktonim shekullin XIV si periudhë kur u krijua vepra. Sipas mendimeve, e më shumë dëshirave të shprehura deri më sot nga studiuesit shqiptarë, piktura mund të jetë vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e shquar vendas, që përmenden në veprën e Gelçiçit.

Lutje, Zojës së Këshillit të Mirë, ditën e festës së Saj 2021

 O Zoja e Këshillit të Mirë, që popullin shqiptar e ke në zemër e, duke jetuar me të, ia njeh gëzime e vuajtje. Në vigjilje të festës sate, e pasi u kremtua vota parlamentare për të ardhmen e tij, ndihmoje të flasë një gjuhë të përbashkët e të ketë një program shoqëror dhe ekonomik, që t’ia hapë rrugën për përmirësimin e jetesës, t’ia shërojë plagët që e mundojnë prej një gjysëm shekulli e të ecë në udhën e krijimit të një shteti ligjor, modern, përparimtar.

Shpëtoje, o Zoja e Këshillit të Mirë, Shqipërinë tënde nga kriza morale,  e ndihmoje ta analizojë ndershmërisht të kaluarën, për ta kapërcyer, kështu, demoralizimin me përmasa historike në trojet e përbashkta të të gjithë shqiptarëve, që t’u kushtuan.

Ndihmoje shqiptarin të dalë nga një botë, ku sundojnë i forti e mashtrimi, ku politikani i dështuar nuk pranon të japë dorëheqjen, ku besimi në votën e lirë dhe në shtetin e së drejtës, tingëllojnë si përrallë!

Ndaloje, po të lutemi, hemorragjinë, që po e lë shqiptarin pa dasma e pa djepa!

Premto, o Këshilltare e Mirë, që zgjedhjet parlamentare, të cilat u bënë   në ditën e festës sate, të shënojnë fillimin e një epoke të re që, larg  aventurave politike, respekton dinjitetin e çdo qytetari e merr guximin t’i tregojë publikisht mëkatet e veta shekullore, duke falur e duke u pajtuar njëri me tjetrin, në atmosferën e krijuar nga mësimet e Birit tënd Hyjnor, i cili në ditën e festës sate, i kërkon çdo shqiptari një dhuratë të vetme për Nënën:

“Duaje tjetrin - edhe armikun - në se e ke - ashtu si do vetveten!” Amen.

25 prill 2021, 14:56