La Madonna del Buon Consiglio di Lin Delia La Madonna del Buon Consiglio di Lin Delia

Shenjtorët e javës 25 prill - 2 maj

Kisha katolike kremton të dielën e 4-të të Pashkëve e po sot më 25 prill, bie nata e festёs sё Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorës qiellore të shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës së Bekuar. Fugurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan afër Romës, pasqyron edhe një periudhё tё veçantё tё historisë sё katolicizmit në Shqipëri gjatё pushtimit otoman.

R.SH. - Vatikan

E diel 25 prill, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të të Pashkëve e po sot më 25 prill kalendari pёrkujton shёn Markun ungjilltar,  autorin e Ungjillit mё tё lashtё. Shën Marku ungjilltar me jetën dhe me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.

Të hënën 26 prill mё 26 prill, Kisha kremton festёn e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorës qiellore të shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës së Bekuar në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa të Shkodrës, rrënimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Fugurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan afër Romës, pasqyron edhe njё periudhё tё veçantё tё historinë e katolicizmit në Shqipëri tё kohёs sё pushtimit otoman.

Të martën  , më 27 prill, kalendari përkujton Shën Simeonin, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir. Liturgjia e ditës i nxit besimtarin t’i bëjë vetes një pyetje që përshkon shekujt: “Si është e mundur që Jezusi të na ftojë të hamë korpin e Tij?”- e njëkohësisht të marrë përgjigjen: “Buka e tij nuk është si ajo hëngrën etërit e vdiqën. Korpi e gjaku i Tij janë bukë e vërtetë dhe pije e vërtetë!

Të mërkurën më 28 prill, kalendari përkujton Shën Pjetrin Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe Shën Luigjin Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë. Liturgjia e ditës na kujton se, për fat të keq, shumë nga nxënësit, nuk i pranuan fjalët e Jezusit e u larguan nga Ai. Juda e tradhtoi. Ndërsa feja e Kishës u shpreh në besojmën e Pjetrit Apostull, që na kujton se e vetmja rrugë e drejtë është ajo që na çon te Krishti, sepse vetëm Ai i “ka fjalët e jetës së pasosur!”. 

Të enjten më 29 prill, kalendari përkujton Shën Katerinën e Sienës, virgjër, doktoreshë e Kishës, Pajtore qiellore e Italisë dhe bashkëpajtore e Evropës.Shën Katerina e Sienës, me jetën e saj tregoi se vetëm dashuria e pasionuar për Krishtin e Kryqëzuar i sjell dritën e Zotit të ngjallur Kishës e shoqërisë civile. Liturgjia e ditës na kujton se gjithë jeta e Krishtit dëshmon se në zemrën e Zotit ka gjithnjë vend për çdo njeri, këndej edhe për ne. Gjithçka bëri Jezusi, e sidomos vdekja e ngjallja e Tij, janë vepër e Atit. E edhe gjithçka na ndodh në jetë, në se besojmë në Krishtin, na çon te Ati, që është gati t’i shpëtojë gjithë njerëzit e mbarë popujt. 

Të premten më 30 prill, kalendari përkujton Shën Piun V papë e Shën Kuirinin, martir. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Liturgjia e të martës na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: “Bekoje, o Zot, veprën e duarve tua”. 

Të shtunën më 1 maji, bie festa e Shën Jozefit punëtor që, duke e mbajtur Familjen Shenjte me punën dhe mundin e duarve të veta, u bë shembull e pajtor i të gjithë punëtorëve e të gjithë njerëzve që plotësojnë nevojat e familjes së tyre e të mbarë familjes njerëzore me punën e përditshme të duarve të tyre. Po me 1 maj për Kishën katolike fillon edhe muaji i Zojës.

Të dielën e ardhshme më 2 maj, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 5-të Pashkëve e po më 2 maj kalendari  përkujton Shën Athanasin, ipeshkëv i Aleksandrisë dhe doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na thotë se Jezusi na dëftoi Fjalën e Zotit e fytyrën e Atit: të besosh në Të do të thotë ta shpëtosh jetën tënde të përkohshme, të ecësh në dritë e të gjesh jetën e pasosur me Hyjin Atë. 

 

25 prill 2021, 10:44