Radio Vatikani dhe martirët e lum të Shqipërisë

Nunci apostolik në Shqipëri, imzot Luigi Bonazzi, hap ciklin e ri të programit shqip të Radio Vatikanit - Vatican News për të përkujtuar sërish martirët shqiptarë të Kishës Katolike. “Janë gjallë”, nënvizon ai, duke përmendur 38 të lumët e parë të persekutuar gjatë komunizmit, e “vazhdojnë ta shoqërojnë, ta ndihmojnë e ta mbështesin, edhe sot, udhën e Kishës e të të gjithë shqiptarëve”.

R.SH. - Vatikan

“Takim me martirët”: kështu quhet cikli i ri i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News, që fillon sot e do të transmetohet çdo të diel, me synimin që 38 të Lumët e parë, të lartuar në nderimet e altarit pas martirizimit të tyre gjatë komunizmit në Shqipëri, jo vetëm të kujtohen sërish, por të shërbejnë si shembull për jetën e çdo besimtari, i cili mund e madje duhet t’u lutet për çdo nevojë.

Vërtet, janë ndërmjetësuesit tanë pranë Zotit e kush më mirë se ata i kupton hallet e dertet e shqiptarëve! Ka kaluar mjaft kohë që nga ai 5 nëntor i vitit 2016, kur kardinali Angelo Amato (atëherë, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve) kremtoi në Shkodër meshën e lumnimit të 38 martirëve të parë, që u njohën si të tillë nga Kisha Katolike.

Ne, si redaksi e gjuhës shqipe në Radio Vatikan - Vatican News, e kemi ndjekur vazhdimisht jo vetëm procesin e lumnimit të tyre, filluar në vitin 2002, por edhe historitë e secilit prej këtyre të paharruarve të kombit. I kemi kushtuar cikle të veçanta jetës dhe persekutimit të tyre gjatë komunizmit, duke u bazuar edhe në një vëllim të dokumentuar hagjiografik, përpiluar nën kujdesin e Kishës Katolike.

Me rastin e vizitës së tij apostolike në Shqipëri, më 25 prill 1993 Papa Shën Gjon Pali II i përmendi veçanërisht martirët e u takua me të mbijetuarit nga komunizmi, edhe ata të persekutuar për fenë. Më vonë, në vitin 2014, Papa Françesku pati mundësinë t’i shohë e t’i nderojë këta martirë, kujtuar përmes portreteve, që u vendosën mbi bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Fraza, që i shoqëronte fotografitë ishte marrë pikërisht nga 38 emisionet tona kushtuar atyre po atë vit, gjatë Kreshmëve. E martirët vijojmë t’i kujtojmë çdo të kremte të tyre liturgjike, pasi jeta e vepra e të lumëve duhen pasur gjithnjë parasysh, për të mos lejuar që kohët e persekutimit të kthehen sërish.

Kësaj radhe, do t’ju propozojmë një cikël të ri, për të cilin do të na ndihmojë don Gjovani Kemal Kokona. Meshtari shqiptar e ka ndjekur personalisht procesin e mbledhjes së dëshmive e atë të lumnimit te martirëve, si Gjykatës i Deleguar i kryeipeshkvit të Shkodrës për të drejtuar procesin dioqezan. Në fillim të këtij cikli radiofonik, don Gjovani Kemal Kokona ia lë vendin nuncit apostolik në Shqipëri, imzot Luigi Bonazzi, i cili përshëndet nismën dhe u bën thirrje të gjithë besimtarëve të zgjedhin ndërmjet të lumëve martirë, mbrojtësin e tyre qiellor. Ja mesazhi i plotë i përfaqësuesit të Selisë së Shenjtë:

Gjatë vizitës historike të Shën Gjon Palit II në Shqipëri, në vitin 1993, duke folur në katedralen e Shkodrës, Papa tha: “Historia e Shqipërisë shndrit edhe përmes emrave të martirëve, që morën pjesë në një mënyrë të veçantë në kryqëzimin dhe në ringjalljen e Krishtit”.

Nisma e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit për të paraqitur çdo javë të Lumët Vinçenc Prennushi dhe 37 martirët e tjerë shqiptarë synon të ndihmojë për të mbajtur gjallë dritën e “kryqit dhe të Ringjalljes së Krishtit”, që martirët e lum bënë të shkëlqejë në historinë e Shqipërisë. Në fakt, martirët nuk janë kujtim i së kaluarës, një faqe e mbyllur e historisë. Ata janë njerëz të gjallë, që vazhdojnë të shoqërojnë, të ndihmojnë dhe ta mbështesin edhe sot udhën e kësaj Kishe dhe të të gjithë shqiptarëve.

Për këtë, më pëlqen të kujtoj një mendim të filozofit Jacques Maritain, i cili shkruan: “Meqenëse Kisha triumfuese është një gjë e vetme me Kishën militante e, meqë shenjtorët vazhdojnë të merren me gjërat tokësore e të interesohen për to, atëherë, me siguri, ata kanë edhe idetë e synimet e tyre për këto gjëra, për jetën dhe sjelljen e secilit prej nesh, për ngjarjet e botës dhe për përparimin e përhapjen e Mbretërisë së Zotit. Secili prej tyre ka edhe idetë e veta për misionin e veçantë që kishte këtu në tokë…”. Po, martirët e lum shqiptarë vazhdojnë të kujdesen për Shqipërinë dhe - duke qenë në Zotin - e bëjnë këtë me aftësinë për ta parë dhe për ta kuptuar me të vërtetë se çfarë na nevojitet.

Në grupin e madh të martirëve shqiptarë ka njerëz që, praktikisht, u përkasin të gjitha moshave dhe thirrjeve. Për këtë, secili mund të zgjedhë dhe t’ia besojë lutjen e tij martirit, që i përgjigjet më së miri. Për mua, për shembull, është e natyrshme t’i besohem ipeshkvit të lum martir Frano Gjinit, i cili, në kohën e tij, ishte regjent i Delegacionit Apostolik, pra, një nga paraardhësit e mi në atë, që tani është Nunciatura Apostolike në Shqipëri. Me mirënjohje ia besoj ipeshkvit të lum martir Frano Gjinit misionin tim si nunc apostolik në Shqipëri: e di se ai mendon dhe ndërmjetëson për mua.

Siç e dimë, ndërmjet të lumëve martirë ka ipeshkvij, meshtarë dioqezanë e rregulltarë; është seminaristi Mark Çuni; janë kryefamiljarë si Fran Mirakaj dhe Qerim Sadiku; është e reja Marie Tuci dhe i riu Gjelosh Lulashi. Secili mund të zgjedhë ndërmjet tyre mbrojtësin e vet, të cilit do t’i japë dorën, për të ecur kështu, i sigurt në udhën e fesë e të misionit, për të cilin e ka thirrur Zoti.

Të dashur vëllezër dhe motra, nuk jemi vetëm përballë sfidave të së tashmes. E jona nuk është një e tashme boshe, pa bazë e pa rrënjë. Ne mbështetemi mbi fenë e Kishës dhe mbi atë të vërtetë-realitet, që e quajmë “bashkim shenjtorësh”. Mbështetemi mbi shenjtërinë e martirëve tanë të lum shqiptarë, mbi fenë e etërve dhe të nënave tona, të meshtarëve e të murgeshave, që na edukuan. Të gjithë ata janë me ne, interesohen për ne dhe na shoqërojnë.

Po, është bukur, është e nevojshme, t’i kujtojmë “rrënjët e gjalla”, që na e ushqejnë dhe na e mbështesin fenë, ta kujtojmë bashkësinë e miqve – martirët tanë të lum shqiptarë - të cilët nga Qielli, në Zotin, ndërmjetësojnë për ne dhe, të kujtojmë edhe ndihmën reciproke, që mund të japim në transmetimin e asaj trashëgimie të çmuar, që është feja.

25 prill 2021, 08:15