Teologu zviceran Hans Küng Teologu zviceran Hans Küng

Ndërroi jetë teologu zviceran Hans Küng

Ishte 93 vjeç. Pati marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit. Kritikoi doktrinën mbi pagabueshmërinë papnore e më 1979, iu anulua autorizimi për të dhënë mësimin e teologjisë katolike. Në vitin 2005, takimi me Benediktin XVI në një atmosferë miqësore

R.SH. - Vatikan

Ndërroi jetë në moshën 93 vjeçare, në shtëpinë e tij në Tübingen të Gjermanisë, teologu zviceran Hans Küng. Lindur në Sursee, më 19 mars 1928, u shugurua meshtar në vitin 1954. Tre vite më vonë, në tezën e doktoraturës, mbështeti konvergjencën ndërmjet katolikëve dhe të reformuarve (protestantëve), përsa i përket doktrinës së justifikimit a të shfajësimit: në të vërtetë, theksoi ai, thuhet e njëjta gjë me mënyra të ndryshme. Në vitin 1960 filloi punë si pedagog në Fakultetin e Teologjisë Katolike në Universitetin e Tübingen e më pas, mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit si ekspert. Aty njohu Joseph Ratzinger, Papën e ardhshëm Benedikti XVI.

Përveçse iu përkushtua studimit të historisë së feve, në veçanti atyre abrahamike, Küng njihet për qëndrimin e tij të veçantë në fushën teologjike dhe morale, për kritikat e tij ndaj disa tematikave të doktrinës katolike. U shpreh kundër dogmës së pagabueshmërisë papnore, ashtu siç e përcaktoi Koncili I i Vatikanit. Në vitin 1979, Kongregata për Doktrinën e Fesë ia hoqi të drejtën për të dhënë mësim si teolog katolik, por ai vazhdoi të punojë si profesor nderi i teologjisë ekumenike në Universitetin e Tübingen-it.

Takimi ndërmjet Benediktit XVI dhe Hans Küng

Küng i kritikoi disa herë si Shën Gjon Palin II, ashtu edhe Papën Benedikti XVI. Në fillim të papnisë së Joseph Ratzinger, të dy u takuan në Castel Gandolfo më 24 shtator 2005. Duke dhënë njoftimin, Buletini i Zyrës së Shtypit të Vatikanit nënvizoi se takimi u zhvillua “në një atmosferë miqësore”. “Të dyja palët ishin dakord se nuk kishte kuptim të hynin, në kuadrin e takimit, në një debat mbi çështjet doktrinore ndërmjet Hans Küng dhe Magjisterit të Kishës Katolike”. Biseda u përqëndrua mbi dy tema, që ishin “me interes të veçantë për punën e Hans Küng: çështja e Weltethos (etika botërore) dhe dialogu i arsyes së shkencave natyrore me arsyen e besimit të krishterë”. Küng - vazhdonte njoftimi për shtyp – “nënvizoi se projekti i tij i Weltethos nuk ishte aspak superstrukturë abstrakte intelektuale; përkundrazi, ai vinte në dukje vlerat morale, rreth të cilave bashkohen fetë e mëdha të botës, pavarësisht nga ndryshimet, e që mund të perceptohen si kritere të vlefshme nga arsyeja laike”.

Nga ana e tij, Papa Benedikti XVI e pati vlerësuar “përpjekjen e profesorit Küng për të kontribuar në përtëritjen e njohjes së vlerave thelbësore morale të njerëzimit, përmes dialogut të feve dhe takimit me arsyen laike”, duke nënvizuar “se impenjimi për një vetëdije të re mbi vlerat, që mbështesin jetën njerëzore, ishte edhe një nga objektivat e rëndësishme të papnisë së tij”. Njëkohësisht, Papa ripohonte se ishte dakord me përpjekjen e Küng “për të ringjallur dialogun ndërmjet fesë dhe shkencave natyrore e për të theksuar, në kuadrin e mendimit shkencor, arsyen dhe domosdoshmërinë e Gottesfrage (çështjes së Zotit)”. Küng, përfundonte deklarata, shprehu “kënaqësinë e tij lidhur me përpjekjet e Papës në favor të dialogut ndërmjet feve, si edhe në favor të takimit me grupet e ndryshme shoqërore në botën moderne”.

 Pavarësisht nga ky takim, qëndrimet mbetën larg për shumë çështje, si celibati meshtarak, meshtaria e grave, kontracepsioni, eutanazia. Në kërkimet e tij, Küng analizoi edhe marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe shkencës, duke hedhur poshtë pretendimet e disa teorive shkencore për arritjen e sigurisë absolute. Vitet e fundit, ai nuk ishte më aq aktiv publikisht, derisa u tërhoq në jetën private, për arsye shëndetësore.

07 prill 2021, 14:11