Protestat në Mianmar vijojnë Protestat në Mianmar vijojnë 

Mianmar: kard. Bo, “së pari Covidi, më pas grushti i shtetit. Miliona njerëz vdesin nga uria”

“Më parë Covidi e, menjëherë pas, grushti i Shtetit ushtarak. “Miliona njerëz në Mianmar po vdesin nga uria”. Kjo, britma e re e alarmit e kardinalit Charles Bo, kryeipeshkëv i Yangon e kryetar i Konferencës ipeshkvnore, në homelinë e mbajtur gjatë Meshës të së Dielës së Mëshirës Hyjnore.

R. SH. - Vatikan

Më parë Covidi e, menjëherë pas, grushti i Shtetit ushtarak. “Miliona njerëz në Mianmar po vdesin nga uria”. Kjo, britma e re e alarmit  e kardinalit Charles Bo, kryeipeshkëv i Yangon e kryetar i Konferencës ipeshkvnore, në homelinë e mbajtur gjatë meshës të së Dielës së Mëshirës Hyjnore. “Para Covidit, 17% e njerëzve tanë nuk kishte ushqim të mjaftueshëm. Banka botërore pohon se pas një vit Covidi, kjo përqindje  ka arritur në 62%. E pikërisht para se të kishim ndonjë mundësi për të dalë nga tragjedia e pandemisë, ia behu grushti i Shtetit. “Njerëzit po vdesin nga uria - pohoi kryeipeshkvi. Tmerr i madh të shikosh miliona njerëz që vdesin për shkak të një fatkeqësie të dyfishtë. Dikush duhet ta bëjë një vepër të mirë për këtë vend. Zoti i Mëshirës Hyjnore na kujton se duhet të kemi një fe, që shoqërohet edhe me vepra”.

Uria e dëshpërimi janë të gjithëpranishme në kampet e refugjatëve,  gjithnjë me frikën e vdekjes, ndërmjet pandemisë e grushtit të Shtetit. “Uria nuk është i vetmi problem, që duhet të përballojnë njerëzit tanë; njerëzit janë pushtuar jo nga një, por nga njëmijë ankthe: janë të traumatizuar. Shpirti i tyre është copëtuar nga dhuna në rrugë e është shkelur  me këmbë. Kanë tepër nevojë për një fjalë ngushëlluese”.

Kryeipeshkvi u drejtoi një përshëndetje të posaçme nënave të bijve vrarë gjatë protestave: “Shumë nga ju po e jetojnë Stacionin e Trembëdhjetë të Udhës së Kryqit si Maria, që qan mbi kufomën e të Birit! Jetojmë në një vend, ku qindra nëna panë, me lotët që u ridhnin si përrenjtë, bijtë e tyre të torturuar e të vrarë. Këto familje kanë shumë nevojë për fjalët tona. Për fjalë, që i sigurojnë se Jezusi, ashtu si dishepujve të Tij, u thotë ‘Mos kini frikë. Unë jam gjithnjë me ju!’”.

Kardinali Bo, jashtëzakonisht i prekur nga fati i gjithë banorëve të Mianmarit këto ditë Pashkësh, i kërkoi Zotit paqe e falje, duke kujtuar shprehimisht gjestin e bujshëm e guximtar të Motër Ann Rose Nu Thawng, rregulltare e Kongregatës së Shën Françesk Saverit, që u gjunjëzua para plotonit të policisë. Dha, kështu, përballë “cunamit të së keqes”, dëshminë “e faljes, përballë errësirës; të dashurisë, përballë urrejtjes”. “Ndihmona, o Zot! Toka jonë është e plagosur, e mbytur në gjakun e urrejtjes” - vijoi kardinali - “Na e jep hirin dhe guximin t’i falim armiqtë tanë, të ripajtohemi me ta e të mos i përgjigjemi çnjerëzimit me çnjerëzim, brutalitetit me brutalitet. Lufta civile do t’i plagoste të gjithë, e do të duheshin vjet e vjet për t’u shëruar! Ndihmona të mos e marrim rrugën e vetëshkatërrimit! Po të lutemi, me Shën Françeskun e Asizit: “Zot,  na bëj mjete të paqes sate!”.  

12 prill 2021, 11:41